Ndërlidhjet

Kosova në 2012-n


Flamuri i Kosovës
Flamuri i Kosovës
Viti 2012 do shënohet në kalendarin e shtetit të Kosovës si vit i përmbylljes së mbikëqyrjes ndërkombëtare. Shteti më i ri evropian mori 12 njohje të reja. Po gjatë këtij viti, edhe zyrtarisht Kosova nisi takimet në nivel të kryeministrave me Serbinë. Nga Bashkimi Evropian, Kosovës iu premtua edhe njëherë perspektiva evropiane dhe liberalizimi i vizave, por pasi t’i ketë plotësuar kriteret e parapara me standardet evropiane.

Por, si filloi ky vit nga jeta e përditshme dhe hallet e kosovarëve?

Vlimet politike dhe pakënaqësitë me procesin e bisedimeve me Serbinë sollën deri te përplasjet serioze të Policisë së Kosovës me aktivistët dhe zyrtarët më të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje në afërsi të Mërdares gjatë një proteste ku kjo parti politike e udhëhequr nga Albin Kurti po synonte të vendoste masa reciprociteti me Serbinë dhe ndalonte produktet e këtij vendi në Kosovë.

Policia ndërhyri mjaft ashpër. Dhjetëra të lënduar e arrestuar duke mos i kursyer as deputetët ishte bilanci i protestës së 14 janarit. Lideri i Vetëvendosjes shprehej i gatshëm që protestat të vazhdonin.

Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë këtu në vazhdimësi deri atëherë kur do të ndërmerren masat nga ana e institucioneve shtetërore, policisë së Kosovës, që ta zbatojnë këtë reciprocitet”, kishte deklaruar Kurti.

Protestat e Vetëvendosjes, të përsëritura edhe më 22 janar por nuk e vendosën reciprocitetin me Serbinë.

Kryeministri Hashim Thaçi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë i kishte cilësuar veprimet e Vetëvendosjes si përpjekje për të përsëritur ngjarjet e përgjakshme të janarit të Tiranës edhe në Prishtinë.

Krerët e Lëvizjes Vetëvendosje, që unë do t’i quaja “Vetëfundosje”, do të vetëfundosen, por nuk do të lejojmë që Kosovën ta fundosin në asnjë rrethanë. Nuk do të lejojmë gjithashtu qëllimin e këtyre krerëve të kësaj partie që janarin e vitit të kaluar të Tiranës ta sjellin këtë janar në Prishtinë”, ka thënë Thaçi.

Vetëvendosje ishte subjekti politik që kundërshtoi më së shumti dialogun Prishtinë – Beograd. Si rezultat i këtij dialogu, Kosova kishte pranuar marrëveshjen për fusnotën e cila në formë ylli vendosej pranë emrit të saj gjatë prezantimeve në nisma e konferenca rajonale e që më pas u bë praktikë për të gjitha forumet e mekanizmat ndërkombëtar. Ish-kryenegociatorja Edita Tahiri e kishte cilësuar këtë fusnotë si një fjollë bore që do të shkrihet.

Tragjedia në Restelicë

Por, dimri dhe acari i vitit 2012 nuk mbahet mend për shkrirjen e fusnotës sa mbahet mend për ortekun në fshatin Restelicë të Dragashit nga i cili më 11 shkurt, humbën jetën 9 pjesëtarë të familjes Reka, përderisa e ngujuar në borë e vetmja që i shpëtoi këtij orteku ishte vogëlushja Asmira Reka, 5 vjeç.

Tragjedia u përcoll me dhimbje në mbarë Kosovën. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga shpalli ditën e hënë, datë 13 shkurt, ditë zie shtetërore, në nderim të anëtarëve të familjeve Reka, që pësuan në kjo fatkeqësi.

Pas dimrit dhe acarit, pranvera i solli Kosovës premtimet e Bashkimit Evropian për perspektivën e saj evropiane. Shpërblimi i Brukselit, pasoi gatishmërinë e Prishtinës zyrtare për bisedime politike me Serbinë.

Studimi i Fizibilitetit

Ishte vet Komisionari Stefan Fule ai i cili langoi studimin e Fizibilitetit për Kosovën si hap i parë drejt negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, proces ky që mbetet në vijim edhe për vitin 2013.

Jam i lumtur që këtë herë nuk erdha në Prishtinë duarthatë. Kësaj radhe lansuam fillimin e studimit të fizibilitetit për Kosovën, si një proces që qon kah negociatat për marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit”, pati deklaruar Fyle në Prishtinë më 27 mars. Më pas, më 14 qershor, Kosova mori edhe udhërrëfyesin, por jo edhe datën e liberalizimit të vizave.

Zgjedhjet serbe

Ndërsa synon t’i arrijë disa nga standardet evropiane, Kosova vazhdon të ballafaqohet me probleme të mëdha të shtrirjes së sovranitetit në komunat veriore të banuara me shumicë serbe.

Për të dëshmuar autoritetin që ka në komunat serbe, Serbia edhe këtë vit më 6 maj organizoi zgjedhjet, përfshi edhe ato lokale nëpër komuna të caktuara në Kosovë.

Largimi i barrikadave

Pas afërsisht një viti të barrikadave nëpër rrugë në pjesën veriore, KFOR-i vendosi që t’i heq ato. Në mbrojtje të sigurisë dhe lëvizjes së lirë, dy ushtarë të KFOR-it qenë lënduar më 1 qershor gjatë aksionit për heqjen e barrikadave në Rudarë afër Zveçanit.

Për heqjen e barrikadës në Rudarë, KFOR-i është detyruar të përdorë edhe gazin lotsjellës për shpërndarjen e turmës së serbëve të revoltuar. Me rritjen e tensioneve, KFOR-i ka përfshirë në aksion edhe helikopterët.

Zhbllokimi i rrugëve, u hapi mundësi marrëveshjeve që priteshin në bisedimet Prishtinë - Beograd, sidomos i asaj për zbatimin e Menaxhit të Integruar të Kufirit.

Por, paraprakisht, Kosova duhet të përmbyllte edhe procesin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

Përfundimi i mbikëqyrjes

Më 2 korrik, Grupi Drejtues Ndërkombëtar në takimin e mbajtur në Vjenë vendosi që mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës të hiqet më 10 shtator. Për nder të kësaj date, në Prishtinë u ftua edhe arkitekti i statusit të Kosovës, Marti Ahtisari dhe personalitete tjera ndërkombëtare.

Kur e pata propozuar planin e kam ditur se do të jetë një rrugëtim i gjatë dhe i vështirë", ishte shprehur presidenti Ahtisari më 10 shtator në foltoren e Kuvendit të Kosovës.

Me përmbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, Plani i Presidentit Ahtisari në bazë të cilit edhe ishte shpallur pavarësia e Kosovës e koordinuar me SHBA-të dhe vendet më të fuqishme evropiane u vlerësua se ishte përmbushur në nivelin e kënaqshëm, ndonëse të gjithë akterët e pranuan se ky plan nuk ishte zbatuar fare në komunat veriore.

Të njëjtën ditë, presidentja Atifete Jahjaga siguroi ish-mbikëqyrësit ndërkombëtar për rrugën që do të ndjek shteti më i ri evropian.

Vizioni ynë si popull dhe si vend është Evropa. Synim i të gjithë neve është anëtarësimi në NATO dhe Bashkim Evropian”, ishte shprehur Jahjaga.

Ndërkaq kryeministri Thaçi tha se me gjithë përparimet Kosova ende nuk ishte shteti i ëndrrave të kosovarëve.

Kosova e vitit 2012 nuk është ende Kosova e ëndrrave tona”, kishte vlerësuar Thaçi.

Ndonëse i dha fund mbikëqyrjes ndërkombëtare, Kosova njëherësh u pajtua t’i jap fuqi ekzekutive misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit – EULEX, me çka prania ndërkombëtare ruajti një pjesë të konsiderueshme të kompetencave në fushën e sundimit të ligjit.

Rihapja e procesit ndaj Limajt

Këto kompetenca EULEX-i i ushtroi në disa raste. Por ai që më së shumti bëri bujë ishte rihapja e procesit ndaj nënkryetarit të PDK-së dhe deputetit Fatmir Limaj i akuzuar për dy vepra, njërën për krime lufte dhe tjetrën për korrupsion e krim të organizuar.

Procesi i gjykimit e më pas rigjykimit ndaj Limajt, sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me krimet e luftës në procesin e njohur si “Kleçka” nga ana kosovare u cilësua si proces politik, kurse nga EULEX-i si proces i vendosjes së drejtësisë.

Po në lidhje me aktakuzat për krime lufte, ky vit përmbylli edhe një proces tjetër. Por, ai nuk u zhvillua në Kosovë, por në Hagë.

Lirimi i Haradinajt

Tribunali i Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi më 29 nëntor, shpalli të pafajshëm Ramush Haradinajt dhe dy ish bashkëluftëtarë të tij duke i liruar ata nga të gjitha akuzat. Haradinaj u prit me ceremoni shtetërore dhe me turma njerëzish të mbledhur nëpër rrugët e Prishtinës.

Edhe pse në një proces të gjatë unë kam jetuar me ju me vendin. Jam gëzuar për të arriturat, për fitoret. Jam mërzitur për vështirësitë, për sfidat. Por, sot jam i gëzuar që drejtësia ndërkombëtare e ka konfirmuar se rruga jonë për liri ka qenë e pastër dhe e drejtë”, ka thënë Haradinaj në paraqitjen e tij të parë në Aeroportin e Prishtinës pas kthimit nga Haga.

Bisedimet Kosovë - Serbi

Viti 2012 sërish nuk rrumbullakoi simbolikën e 100 njohjeve të shtetit të Kosovës. Por, përfundimisht shënoi fillimin e bisedimeve Prishtinë – Beograd në nivel të kryeministrave.

Takimi i parë simbolik u mbajt më 19 tetor në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq u mbajt në Bruksel nën ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton.

Procesi i bisedimeve Kosovë – Serbi mori një dimension të ri pas vizitës së së sekretares amerikane të shtetit, Hilary Clinton dhe Përfaqësueses së Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme Catherinë Ashton në Beograd dhe Prishtinë.

Mesazhet e tyre ishin të qarta – bisedime duhet të zhvilloheshin por pa prekur në sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës.

Do të jem shumë e qartë, jo vetëm këtu në Prishtinë por për të gjithë ata që na dëgjojnë e shikojnë në rajon se Shtetet e Bashkuara janë të vendosura për integritetin dhe sovranitetin e Kosovës”, ka thënë sekretarja Clinton në Prishtinë më 31 tetor.

Ndërkaq Catherine Ashton kishte sqaruar se qëllimi i Brukselit ishte që nga këto bisedime të arrihet deri te një normalizim i marrëdhënieve Kosovë – Serbi dhe vendosje e një bashkëpunimi ndërmjet dyja vendeve.

IBM-ja

Si produkti i parë i tri takimeve të zhvilluara Thaçi – Daçiq, doli dakordimi i tyre për zbatimin e Marrëveshjes për Menaxhim të Integruar të Kufirit.

Kjo marrëveshje ishte cilësuar nga Hashim Thaçi si njohje e kufirit të Kosovës nga ana e Serbisë, përderisa Daçiq kishte thënë se ishte arritur një marrëveshje që njeh kufirin administrativ dhe jo shtetëror të Kosovës.

Në një fjalim para Kuvendit, Thaçi e kishte cilësuar kështu takimin me Daçiqin.

Unë, personalisht, nuk vuaj nga ndonjë nostalgji për t’i takuar udhëheqësit e një shteti që kanë shkaktuar vuajtje shekullore deri në përmasat e gjenocidit për qytetarët e vendit tim. Kujtesa jonë për viktimat e luftës të shkaktuara nga Serbia, kujtesa jonë për bijtë dhe bijat më të mirë që kanë rënë në altarin e lirisë, kujtesa për mijëra njerëz të zhdukur do të mbetet gjithmonë e freskët. Kurrë nuk do ta harrojmë tmerrin dhe
dhimbjen e shkaktuar nga Serbia
”, kishte deklaruar Thaçi.

Reformat kushtetuese e zgjedhore

Në planin e zhvillimeve të brendshme, duhet veçuar sidomos reformat kushtetuese e zgjedhore dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila e interpretoi si jo kushtetuese pjesën e marrëveshjes së liderëve politik të Kosovës të cilët me anë të marrëveshjes politike kishin parashikuar t’i shkurtonin mandatin pesë vjeçar presidentes Atifete Jahjaga për të quar vendin në zgjedhjet e para presidenciale.

Nga ai vendim i Kushtetueses, reformat kushtetuese dhe sistemi presidencial mbetën gati në harresë, por edhe u rrezikua i gjithë procesi i reformave zgjedhore, për shkak të insistimit të LDK-së që presidentja të jepte dorëheqjen.

Lideri opozitar, Isa Mustafa në disa raste i kishte përsëritur kërkesën presidentes që të jepte dorëheqje.

Ajo që ka mbetur është të plotësohet edhe kushti që zgjedhja e presidentit të mbahet gjashtë muaj pasi që Kuvendi t’i aprovon ndryshimet Kushtetuese. E nëse nuk do ta kemi vullnetin e presidentes që ta bëj këtë atëherë ne nuk do t’i përkrahim këto ndryshime në Kuvend dhe nuk do të ndryshoj Kushtetuta sepse ne nuk do ta japin votën si LDK”, është shprehur Mustafa.

Por cila është përgjigja e presidentes Jahjaga në kërkesën e LDK-së për dorëheqjen e saj.

Asnjëherë nuk është paraparë dorëheqja e presidentit të vendit dhe mua nuk më lejohet të jap dorëheqje, sepse kjo do të nënkuptonte procedurë tjetër të zgjedhjeve dhe ushtrues detyre të presidentit të vendit”, ka thënë Jahjaga.

Viti 2012 po përmbyllet me shumë paralajmërime për rikonfigurimin e qeverisë. Kurse paqartësitë rreth reformave kushtetuese dhe zgjedhore si dhe brishtësia e koalicionit qeverisës që dita ditës po humb shumicën në Kuvend, mund të rikthejnë si top temë për vitin 2013 mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG