Video: Gresa Kraja & Edona Peci
Lëvizja Vetëvendosje ka konfirmuar se lideri i saj, Albin Kurti, nuk është arrestuar;
Sipas njoftimit më të fundit të kësaj lëvizjeje, të arrestuar nga radhët e saj janë edhe Gani Krasniqi, Blerim Maçestena, Salih Zyba, Hysen Durmishi, Naser Shatri.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se janë arrestuar gjithsej 42 persona, kurse 13 pjesëtarë të policisë kanë marrë lëndime.
“Gjatë protestës së sotme në hyrje të Podujevës që çon në vendkalimin kufitar në Merdare, policia ka kërkuar nga protestuesit që të lirojnë rrugën, në mënyrë që të lejohet qarkullimi i lirë. Një urdhër i tillë nuk është zbatuar dhe policia ka ndërhyrë”, deklaroi Kelani, duke shtuar se policët e Kosovës janë lënduar me mjete të forta, të cilat janë hedhur nga protestuesit.
Nuk ka informacione ende për numrin e të lënduarve nga radhët e protestuesve, ndonëse ky numër pritet të jetë jo i vogël, sipas ekipit të Radios Evropa e Lirë.
Rreth orësh 14:30 Forcat e Policisë së Kosovës, filluan aksionin për shpërndarjen e turmës së mbledhur në kryqëzimin rrugor midis Podujevës dhe Merdares.
Policia ka hedhur gaz lotsjellës, ka përdorur topa uji dhe shkopinj gome, kurse vetë ndërhyrja ka pasuar një urdhër të lëshuar nga autoritetet e rendit për të liruar kryqëzimin e bllokuar.
Nga ana e turmës është vërejtur hedhje gurësh e shishesh.
Pas orës 15:00, kryqëzimi dukej në një situatë më të qetë dhe një nga automjetet e para që kaloi andej ishte një kamion me targa të Suboticës, njoftojnë korrespondentët e Radios Evropa e Lirë.
Autoritet doganore në vendkalimin kufitarë në Merdare bëjnë të ditur se deri më tani nga Serbia në Kosovë kanë hyrë dy kamionë me mallra komerciale. Sipas tyre, njëri kamion ka qenë transit, kurse tjetri ka transportuar miell nga Serbia në Kosovë.
Aktivistët e Vetëvendosjes ishin ndaluar nga Policia e Kosovës në hyrje të rrugës që çon në Podujevë. Njësitet speciale të Policisë së Kosovës, e kishin bllokuar kalimin e rrugës, që çon për në pikën kufitare në Merdare.
Gjatë një fjalimi të mbajtur para më shumë se 200 protestuesve, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u bëri thirrje të gjithëve të protestojnë në mënyrë paqësore kundër moszbatimit të mocionit të reciprocitetit të Kuvendit të Kosovës me Serbinë.
Albin Kurti tha se me bllokimin e rrugës nga Policia e Kosovës, Qeveria e Kosovës po bllokon lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj në territorin e Kosovës, ndërsa po lejon qarkullimin e veturave dhe mallrave serbe për në Kosovë.
Plani për të bllokuar hyrjen e mallrave serbe është kundërshtuar ashpër si nga autoritetet kosovare, ashtu edhe ato ndërkombëtare, por aktivistët e Vetëvendosjes mbeten të vendosur për, siç thuhet, zbatimin e plotë të reciprocitetit tregtar, ekonomik dhe politik ndërmjet dy vendeve.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, më 7 dhjetor, patën miratuar mocionin e Lëvizjes Vetëvendosje për ndërmarrjen e masave të tilla.