Ndërlidhjet

Kandidatura dhe studimi i fizibilitetit


Flamuri i BE-së dhe i Serbisë...
Flamuri i BE-së dhe i Serbisë...
Ministrat e Bashkimit Evropian në takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së kanë arritur të martën kompromis për t’i dhënë statusin e kandidatit Serbisë,dhe rreth formulimit për marrjen në dijeni të qëllimit të Komisionit Evropian për të nisur një studim fizibiliteti për Kosovën.

Ka qenë ky kompromis pas diskutimeve dyditëshe, së pari nga ministrat e jashtëm të hënën, diskutim i cili ka vazhduar edhe të martën.

Për habi, rreth Sebisë, pengesa e fundit ka qenë Rumania, e cila insistonte që në dokument të thuhet se Serbia duhet të mbrojë të gjitha të drejtat e pakicës vllahe në Serbi.

Sa i përket Kosovës, në konkluza thuhet se pa paragjykuar qëndrimin e shteteve anëtare për statusin, apo asnjë vendim të ardhshëm që do të merrej nga këshilli, këshilli merr në dijeni qëllimin e Komisionit Evropian për të nisur një studim fizibiliteti për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit mes Bashkimit Evropian të Kosovës.

Ky formulim ka qenë kompromis i të gjitha 27 shteteve anëtare të BE-së, pasi që janë adresuar edhe shqetësimet e shteteve të cilat nuk e njohin shtetësinë e Kosovës.

Presidenca daneze, por edhe komisioneri i zgjerimit Shtefan Fyle, vendimet e së martës i kanë quajtur si vendime të mira si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën, dhe për tërë rajonin.

Krahas konkluzave të këshillit rreth Kosovës është dhënë edhe një aneks i posaçëm nga Komisioni Evropian, ku thuhet se studimi i fizibilitetit i komisionit do të shqyrtojë se a janë përmbushur kriteret politike, ekonomike dhe ligjësore për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Më tej, në këtë thuhet se nisa e studimit të fizibilitetit për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit është pa prejudikuar statusin legal dhe pozicionet e shteteve, rreth njohjes së Kosovës.

Po ashtu, të martën, në konkluzat e BE-së shihet se Bashkimi Evropian ka përfillur edhe formulën rreth fusnotës, për të cilën ishin pajtuar të premten Prishtina dhe Beogradi, në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Sa i përket Serbisë, këshilli i ministrave ka konkluduar se Serbia i ka përmbushur kriteret e nevojshme për marrjen e statusit të kandidatit, ka bërë përparim në zbatimin e marrëveshjeve në dialog me Prishtinën, ka arritur marrëveshjen për bashkëpunimin rajonal dhe ka bashkëpunuar aktivisht për t’ia mundësuar EULEX-it dhe KFOR-it që të zbatojnë mandatin e tyre.

Në dritë të këtij ekzaminimi, këshilli rekomandon dhënien e statusit të kandidatit Serbisë, dhe pret qe ky vendim të konfirmohet në samitin e marsit të Këshillit Evropian, thuhet në konkluzion.

Po ashtu, konkluzionet merren edhe me zbatimin e marrëveshjeve që janë arritur në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe u bëjnë ftesë të dyja palëve që të vazhdojnë implementimin e marrëveshjeve të arritura deri tani.
XS
SM
MD
LG