Ndërlidhjet

Dështon synimi për 100 njohje (?)


Ilustrim
Ilustrim
Synimi strategjik i Kosovës për të arritur 100 njohje deri në fund të këtij viti mund të rezultojë i pasuksesshëm, nëse vendi nuk njihet edhe nga dy shtete brenda më pak se një jave të mbetur.

Të hënën, pavarësia e Kosovës u njoh nga Pakistani duke e çuar në 98 numrin e shteteve që kanë njohur vendin.

Përfaqësues të opozitës kosovare dhe njohësit e rrethanave politike japin mendime të ndryshme për faktorët që kanë përcaktuar ritmin e njohjeve, ndërsa shprehen pesimistë për ndryshimin eventual të dinamikës së procesit në 2013-ën.

Skënder Hyseni, ish-ministër i Punëve të Jashtme, tani deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se disa vende hezitojnë të ndryshojnë qasjen ndaj Kosovës për shkak të dilemave ekzistuese për natyrën e dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka dështuar në shpjegimin e duhur të natyrës së këtij dialogu dhe rrjedhimisht vendet që nuk e kanë njohur Kosovën kanë dilema dhe e lexojnë në mënyra të ndryshme këtë dialog që po zhvillohet. Disa nga ato vende e lexojnë si dialog për statusin dhe kjo natyrisht i zmbraps në qëllimet për ta njohur Kosovën”, u shpreh Hyseni.

Mediat serbe, ndërkaq, njoftuan se në fillim të vitit të ardhshëm, qeveria serbe planifikon të iniciojë një fushatë tjetër lotuese kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Por, Predrag Simiq, profesor i shkencave politike në Universitetin e Beogradit, tha se skena politike në Serbi është e përçarë në qëndrimin ndaj Kosovës.

Simiq tha se pa u zgjidhur kriza e shkaktuar nga “platforma për Kosovën” të cilën e plasoi së fundi qeveria serbe, nuk dihet se cilët do të jenë hapat e ardhshëm diplomatik karshi Prishtinës zyrtare.

Politika e jashtme e Serbisë, veçanërisht përcaktimi se a do të ketë lobim kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës apo jo, do të varet nga qëndrimi që do të pasonte krizën aktuale ndërmjet presidentit dhe kryeministrit”, theksoi Simiq.

Ai tha se takimi i radhës ndërmjet kryeministrit serb, Ivica Daçiq, dhe homologut të tij kosovar, Hashim Thaçi, i parashikuar të mbahet më 17 janar, mund të sjell më shumë qartësi në veprimet e ardhshme që do t’i ndërmarrin palët.

I dizajnuar nga BE-ja për t’i normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës e Serbisë, dialogu në mes tyre pat nisur në 2011, ndërsa u ngrit në nivel më të lartë të përfaqësimit në vjeshtën e këtij viti.

Procesi ka për synim t’i zgjidh problemet e mbetura në mes të dyja vendeve drejt integrimit të tyre në Bashkimin Evropian.

Pesë nga 27 vendet anëtare të këtij mekanizmi nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG