Ndërlidhjet

Njohjet - me apo pa ndikim në proceset integruese?


Harta e Kosovës
Harta e Kosovës
Në pritje të konfirmimeve me shkrim nga vende të ndryshme, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, nuk mund të japë një shifër të saktë të shteteve që e kanë njohur Kosovën deri më tani.

Petrit Selimi, zëvendësministër i Punëve të Jashtme, shfaqi shpresën që deri në fund të këtij muaji në ministri të arrijnë konfirmimet në fjalë për ta çuar numrin e njohjeve në 96.

Petrit Selimi
Petrit Selimi
Aktualisht po presim edhe konfirmimet me shkrim të disa nga njohjet e paralajmëruara dhe ju them se me siguri do të mbërrijmë numrin 96 të njohjeve deri në fund të këtij muaji”, tha Selimi

Ndryshe, në ueb faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku janë të dhënat për numrin e shteteve që kanë njohur Kosovën, figurojnë vetëm 91 njohje.

Autoritetet kosovare, kanë bërë të ditur kohë me parë synimin për të arritur 100 njohje deri në fund të këtij viti.

Qëllim tjetër i diplomacisë kosovare është edhe anëtarësimi i vendit në organizatat ndërkombëtare, siç është ajo e OKB-së, BE-së dhe të tjera.

Pavarësisht dinamikës në procesin e njohjes, zëvendësministri Selimi thotë se në këtë rrafsh mund të ketë pengesa nga disa shtete që kundërshtojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Po t’i kemi 189, apo 190 njohje, mosnjohja nga ana e Rusisë apo e Kinës, do ta bllokonte rekomandimin, i cili është fundamentalisht i rëndësishëm për të procesuar kërkesën për anëtarësim të plotë në Kombet e Bashkuar”, tha Selimi.

Mësohet se anëtarësimi në OKB, varet nga rekomandimi i Këshillit të Sigurimit, do të thotë nga pajtueshmëria e Rusisë dhe Kinës që Kosova të behtë pjesë e OKB-së.

Bllokimi nga Rusia, si aleat kryesor i Serbisë, do të mund të parandalohej nëse shteti serb heq dorë nga pengesat që mund t’i bëjë Kosovës në këtë aspekt.

Mos bllokimi i Kosovës në proceset integruese, me theks te integrimi evropian, i është vënë Beogradit si parakusht për avancimin e agjendës drejt BE-së.


Pesimizëm për rolin e bisedimeve


Ilir Deda
Ilir Deda
Mirëpo, drejtori ekzekutiv i Institutit kosovar për kërkim dhe zhvillim të politikave (KIPRED), Ilir Deda, u shpreh pesimist për rolin që mund ta kenë bisedimet aktuale për normalizim marrëdhëniesh me palën serbe në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

E tash edhe ky dialog politik, i cili ka filluar, është një shpresë e cila nuk mjafton për Kosovën, se ndoshta me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë do te lëvizin edhe pesë shtetet e BE-së dhe Rusia e Kina. Ndoshta kjo shpresë edhe e pamjaftueshme sepse Kosovës i duhen më shumë garanca se në fund të normalizimit të raporteve me Serbinë, edhe shtetet mosnjohëse nuk do ta bllokojnë anëtarësimin ne OKB”, tha Deda.

Për me tepër, institucionet e Kosovës, thekson Deda, janë pre e mendimit të Brukselit, se vetëm nëpërmjet normalizimit të raporteve me Serbinë mund të shpresohet se shtetet tjera do ta ndryshojnë qëndrimin karshi Kosovës.

Kosova nuk mund të hyjë në proceset, apo duhet të jete më e ngurtë në kërkesa drejt partnerëve kyç ndërkombëtarë që me normalizimin me Serbinë të mos ketë vetëm shpresë se shtete e tjera do të ecin përpara, por që të këtë një koordinim të aktiviteteve që këto shtete të lëvizin përpara".

"Tek e fundit, nuk është problem i Kosovës që pesëshja e BE-së nuk e njeh Kosovën. Ky është problem i madh i BE-së që nuk po mundet të ndërtojë një pozitë me të fortë karshi statusit të Kosovës si union i shteteve
”, tha Deda.

Sido që të jetë, zyrtarë të ekzekutivit thonë se për anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë, është duke u shënuar progres i vazhdueshëm.

Ata nuk japin ndonjë afat kohor se kur Kosova do të anëtarësohet në BE, OKB, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Këshillin e Evropian e të tjera.
XS
SM
MD
LG