Ndërlidhjet

Porositë e Clintonit, të qarta për serbët


Mitrovicë (Foto nga arkivi)
Mitrovicë (Foto nga arkivi)
Porositë e sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, lidhur me sovranitetin dhe integritetin e Kosovës, kanë qenë të qarta për të gjithë, pra edhe për serbët e veriut të Kosovës, por ata do të vazhdojnë të rezistojnë, vlerësojnë politikanët serbë nga veriu i vendit.

Politikani serb nga veriu i Mitrovicës, Oliver Ivanoviq, ish-zyrtar i Qeverisë së mëparshme serbe, thotë se deklaratat e sekretares së Shtetit, Clinton, përfaqësojnë qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat tashmë e kanë bërë të ditur se nuk do të heqin dorë nga shteti i Kosovës, pavarësinë e të cilit e kanë pranuar.



Sipas tij, serbët e veriut as që kanë pritur që ky qëndrim të jetë ndryshe, por, siç thotë ai, prania e zonjës Clinton së bashku me shefen e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, tregon një qasje dhe qëndrim të përbashkët ndaj temës së Kosovës, e cila, sipas tij, është një temë e hapur.

“Është e sigurt se mund të pritet një përshpejtim në procesin e bisedimeve dhe shpresojmë, të paktën nga ajo që e kanë thënë ato, se ekzistojnë sinjale për një zgjidhje, e cila do të ishte e pranueshme për të dyja palët. Kjo, për faktin se zgjidhjet që vinin nga jashtë, përballë JKushtetutës sonë, janë shumë negative. Duke filluar prej Ahtisarit, por edhe para tij, gjithmonë kanë qenë zgjidhje që u kanë konvenuar shqiptarëve të Kosovës. Besojmë se kjo nuk do të ndodhë tash”, thotë Ivanoviq.

Por, kështu nuk mendon politikani serb, Dragisha Kërstoviq nga Leposaviqi. Ai thotë se sekretarja e Shtetit, Clinton, ua ka bërë të qartë të gjithëve qëndrimin e saj dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, se lidhur me statusin e Kosovës nuk do të ketë kurrë farë dialogu.
...zonja Hillary Clinton, ashtu sikurse edhe herëve tjera, edhe këtë herë, ka qenë mjaft e qartë.

“Mua më duket se zonja Hillary Clinton, ashtu sikurse edhe herëve tjera, edhe këtë herë, ka qenë mjaft e qartë. Qëndrimet e saj, të cilat edhe e prezantojnë qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë krejtësisht të qarta. Sidomos, të qarta janë kur flitet për sovranitetin dhe integritetin e Kosovës. U tha qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të lejojnë çfarëdo diskutimi ose dialogu lidhur me këtë çështje. Kështu që nuk besoj që kushdo qoftë do të mund ta interpretojë ndryshe këtë qëndrim, nga ajo çfarë e ka thënë zonja Klinton”, shprehet Kërstoviq.

Në anën tjetër, Ivanoviq vlerëson se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sovranitetin dhe integritetin e Kosovës, buron nga fakti se ato e kanë pranuar Kosovën si shtet. Por, sipas, tij, serbët nuk do të heqin dorë nga qëndrimet e tyre.
Nga ana jonë, nuk do të ketë tërheqje.

“Nga ana jonë, nuk do të ketë tërheqje. Kosova, si e tillë, nuk do të pranohet si shtet dhe derisa Serbia ta ketë një qëndrim të tillë, kjo në masë të madhe do të ndikojë edhe në qëndrimet e anëtarëve të përhershme të Këshillit të Sigurimit”.

“Njeriu i zakonshëm nuk mendon në këtë mënyrë. Ai thotë ‘ne e dimë se çfarë mendojnë amerikanët, prandaj shkojmë tutje’. Është me rëndësi që amerikanët dhe Bashkimi Evropian në këtë moment pajtohen se problemi i serbëve në Kosovë nuk është zgjidhur dhe se serbët, problemet e tyre të grumbulluara, nuk mund t’i zgjidhin vetë me shqiptarët, por është e nevojshme një prani e fuqishme ndërkombëtare
”, thekson Ivanoviq.

Edhe Kërstoviq vlerëson se në veri të Kosovës, serbët do të vazhdojnë ta rezistojnë shtetin e Kosovës, duke këmbëngulur se Kosova është pjesë e Serbisë.

"Në veri do të ketë ende rezistencë. Në veri ende do të vazhdojë ajo politikë, e cila e konsideron Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë, ashtu siç edhe është thënë në Kushtetutën e shtetit serb. Por, mendoj se me kohë gjërat duhet të ndryshojnë”, potencon Kërstoviq.

Ndryshe, sekretarja e Shtetit, Clinton, dhe baronesha Ashton, u kanë bërë thirrje Kosovës edhe Serbisë që ta vazhdojnë dialogun deri në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG