Ndërlidhjet

Pavarësia dhe sovraniteti nuk vihen në diskutim


Këshilli i Sigurimit, fotografi nga arkivi
Këshilli i Sigurimit, fotografi nga arkivi
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka mbajtur seancën e rregullt për Kosovën, në të cilën është diskutuar raporti tremujor i sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki-mun.

Raporti është fokusuar në çështjen e përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, në situatën në veri të Kosovës dhe në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Farid Zarif, ka bërë thirrje për një angazhim më të madh të komunitetit ndërkombëtar për të zgjidhur çështjet e hapura, sidomos atë të veriut të vendit.

Për herë të parë, seanca është ndjekur nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologu i tij serb, Ivica Daçiq.

Kreu i Qeverisë së Serbisë ka deklaruar se Beogradi është i gatshëm për bisedime të nivelit të lartë me Prishtinën.

“Autoritetet e reja në Serbi, qeveria e re dhe presidenti i shtetit synojnë të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e deritashme, me insistimin që një gjë e tillë të bëhet edhe nga Prishtina. Ndonëse dialogu teknik duhet të vazhdojë, ai nuk është i mjaftueshëm. Serbia është e gatshme për dialog të nivelit të lartë. Nuk mund të shmangen bisedimet për asnjë çështje të pazgjidhur”, ka thënë Daçiq.

Ai ka theksuar se Serbia “kurrë dhe në asnjë rrethanë” nuk do të njohë pavarësinë, që, sipas tij, kanë shpallur “organe të shqiptarëve të Kosovës.

“Zgjidhja e statusit final të Kosovës do të jetë njëri nga prioritetet kryesore të Qeverisë sime. Jemi të gatshëm që, përmes dialogut dhe bisedimeve, të arrijmë te një zgjidhje e qëndrueshme dhe paqësore, duke marrë parasysh interesat e ligjshëm edhe të shqiptarëve, edhe të serbëve edhe të të gjithë popujve të tjerë që jetojnë në Kosovë”, ka thënë Daçiq.

Deklaratës së tillë i është përgjigjur kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duke thënë se statusi i Kosovës “është zgjidhur njëherë e përgjithmonë më 17 shkurt të vitit 2008”.

Kosova është njëri nga shembujt më të suksesshëm të shtet-ndërtimit dhe fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë ndërkombëtare hap një kapitull të ri, ka thënë Thaçi.

“Vendosmëria jonë dhe mbështetja e pamasë e bashkësisë ndërkombëtare kanë prodhuar një shtet modern dhe të qëndrueshëm, me qëllimin kryesor të integrimit në institucionet euro-atlantike”, ka theksuar kryeministri kosovar.

Ai e ka cilësuar si prioritet normalizimin e marrëdhënieve shtetërore me Serbinë, por duke mos vënë kurrë në diskutim pavarësinë, sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës.

“Shtetësia e Kosovës është fakt politik dhe juridik”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri i Kosovës ka kujtuar po ashtu se në dialogun teknik, Prishtina dhe Beogradi kanë arritur shtatë marrëveshje, por, sipas tij, shumica kanë mbetur vetëm në letër, pasi Serbia pengon zbatimin e tyre.

“Ne besojmë se progresi i vërtetë i dialogut qëndron në zbatimin e plotë të marrëveshjeve dhe kjo është arsyeja përse Republika e Kosovës ka dëshmuar të jetë konstruktive dhe efektive në arritjen dhe zbatimin e marrëveshjeve”, është shprehur Thaçi.

Zbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialog është cilësuar si çështje kyçe edhe nga disa anëtare të Këshillit të Sigurimit, përfshirë, Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Ato po ashtu kanë dënuar aktet e dhunës, qoftë ndërmjet banorëve lokalë, qoftë kundër forcave ndërkombëtare, ndërsa kanë vlerësuar lart vendimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e Zyrës Administrative në veri.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG