Video: Gresa Kraja
Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk janë lejuar nga ana e Policisë së Kosovës, që të shkojnë deri te pikat kufitare në Merdare dhe te Dheu i Bardhë.
Protestuesit janë grumbulluar disa kilometra larg këtyre pikave, ku po qëndrojnë me qëllim që të bllokojnë hyrjen e mallrave serbe në Kosovë.
Që nga fillimi i protestës, në orën 13, e deri më tash, nga pika kufitare në Merdare, sipas ekipit të Radios Evropa e Lirë që gjendet në vendin e ngjarjes, nuk ka hyrë asnjë automjet apo kamion me targa të Serbisë.
Një kamion me tabela të Shkupit të Maqedonisë është lënë i lirë të kalojë nga ana e protestuesve, të cilët kanë bllokuar njërën korsi të kësaj rruge magjistrale.Ndërkaq, nga rruga magjistrale që çon te Dheu i Bardhë, njoftohet se deri tash janë kthyer nga protestuesit disa automjete të vogla me tabela të shtetit serb.
Por, Policia ka njoftuar përmes një komunikate për media, se gjate ditës së sotme në pikë- kalimin kufitar në Merdare, kanë kaluar pesë kamionë me mallra të ndryshme, si dhe tre të tjerë kanë kaluar në pikë-kalimin kufitar Dheu i Bardhë, pa përcaktuar se çfarë tabela kishin këto automjete.
Përfaqësues të Lëvizjes kanë thirrur protestën, siç është thënë, në mbrojtje të Republikës dhe prodhimit vendor.
Aktivistët që janë nisur drejt pikës kufitare në Merdare, janë ndaluar nga policia në vendin e quajtur “Dy urat”, në dalje të Podujevës, përtej kryqëzimit ku kishin ndodhur përplasjet e javës së kaluar.
Policia ka bërë një kordon në mes të dy urave duke mos lejuar depërtimin e protestuesve kah pika kufitare me Serbinë, Merdare.
“Neve tashmë na ka penguar policia në marshin tonë paqësor. Policia është dashur të na lejojë neve rrugëtimin e mëtutjeshëm deri në afërsi të pikës në Merdare dhe qëllimi ynë nuk është që t’i bllokojmë qytetarët, por ta pengojmë Serbinë”, ka thënë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili bashkë me deputetë e aktivistë të tjerë gjenden në mesin e turmës në Podujevë.
Policia e Kosovës, ndërkaq, ka njoftuar se deri më tash nuk është regjistruar asnjë incident në të dy rrugët magjistralet që çojnë në Merdare dhe te Dheu i Bardhë.
“Deri më tani nga ana e protestuesve është bllokuar njëra korsi e magjistrales dhe mund të themi se situata është e qetë duke mos u evidentuar asnjë incident”, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
Zëdhënësi Kelani ka thënë se varësisht nga ndryshimi i situatës, “Policia e Kosovës veprimet e veta do t’i ndërmarrë konform procedurave dhe autorizimeve ligjore”.
Ndryshe, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se protesta, e cila po vëzhgohet nga afër edhe nga ish-ambasadori i misionit të OSBE-së në Kosovë, Uilliam Uoker, nuk do të jetë e kufizuar në kohë, po qe se nuk do të ketë ndërhyrje të policisë.
Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë këtu, skenari është i njëjtë, shpresoj se Policia e ndryshon skenarin dhe nuk është
e dhunshme.
“Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë këtu, skenari është i njëjtë, shpresoj se Policia e ndryshon skenarin dhe nuk është e dhunshme”, është shprehur Kurti duke iu referuar përplasjeve të 14 janarit ndërmjet policisë dhe protestuesve.
“Reciprociteti nuk ka afat, reciprociteti është vlerë universale, ne do të qëndrojmë këtu në trysninë tonë që institucionet shtetërore ta zbatojnë reciprocitetin”, ka thënë Kurti.
Policia ka njoftuar një ditë më parë se nuk do të lejojë bllokimin e rrugëve magjistrale, e as pikat kufitare në Merdare dhe te Dheu i Bardhë, për ku janë paraparë të zhvillohen protestat.
Ndërkohë, që siç raporton ekipi i Radios Evropa e Lirë, masa të shtuara të sigurisë janë parë gjatë tërë rrugës nga Prishtina për në Podujevë.
Përfaqësuesit e Vetëvendosjes po kërkojnë vazhdimisht nga turma që të lënë të hapur njërën korsi të rrugës. Si Lëvizja Vetëvendosje, ashtu edhe Policia, kanë bërë thirrje që protesta e sotme të zhvillohet në mënyrë paqësore.
Policia ka kërkuar që të mos bllokohen rrugët magjistrale dhe as vendkalimet kufitare. Përmes komunikatave për media, policia u adresohet qytetarëve që duan të marrin pjesë në protesta, duke ua kujtuar atyre kufirin e shkeljes së ligjit si dhe mediave, ku përcakton rregullat se ku duhet të rrinë gazetarët në protestat e sotme, çfarë duhet të kenë të veshur dhe mundësinë e ndjekjes penale, po qe se konsiderohet se i kanë penguar zyrtarët policorë duke u afruar kah ta.
Policia e Kosovës u kritikua nga organizata të ndryshme për të drejtat e njeriut se në protestat e 14 janarit ka përdorur dhunë joproporcionale ndaj protestuesve, ndaj të cilëve qe hedhur gaz lotsjellës dhe ujë.
Ndërkohë, njëri nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Florin Krasniqi, u ka bërë thirrje protestuesve që protesta të jetë tërësisht paqësore dhe ka tërhequr vërejtjen se “nëse ka individë që nuk duan të jenë paqësorë, ata nuk janë me këtë lëvizje.
“Këta policë janë vëllezërit tanë dhe gabimet që i kanë bërë disa kolegë të tyre, nuk do t’i bëjnë, sepse nuk janë policë të Qeverisë, por të shtetit të Kosovës”, citohet të ketë thënë Krasniqi.
Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje nuk hoqi dorë nga protestat e sotme në dy pikat kufitare me Serbinë, në Merdare dhe te Dheu i Bardhë, edhe pse Kuvendi i Kosovës votoi të premten mocionin që rrëzon atë të 7 dhjetorit për reciprocitet me Serbinë dhe mbështet marrëveshjet e arritura me Beogradin në kuadër të dialogut. Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje e quajtën “jokushtetues dhe të turpshëm” mocionin e së premtes.
Për më shumë informacion për protestën e 14 janarit, lexoni edhe këto:
Mbi 140 të arrestuarBE: Protesta e VV, kundër parimeve evropiane
AI dënon forcën e policisë