Ndërlidhjet

Çfarë e pret Kosovën pas braktisjes së ndeshjes kundër Rumanisë?


Futbollistët e Kosovës (me fanella të zeza) gjatë një kacafytjeje me futbollistët e Rumanisë, para se ta braktisnin lojën e Ligës së Kombeve në Bukuresht, 15 nëntor 2024.
Futbollistët e Kosovës (me fanella të zeza) gjatë një kacafytjeje me futbollistët e Rumanisë, para se ta braktisnin lojën e Ligës së Kombeve në Bukuresht, 15 nëntor 2024.

Përshëndetje! Sot, sigurisht, nuk është e enjte, dita kur ne zakonisht e dërgojmë përmes emailit newsletter-in tonë të përjavshëm. Megjithatë, Radio Evropa e Lirë ka menduar t’jua sjellë këtë të martë një numër special, të cilin e kemi quajtur Në 3 minuta shtesë.

Tema më e diskutuar e ditëve të fundit ka qenë vendimi i futbollistëve të Kombëtares së Kosovës për ta braktisur një ndeshje të Ligës së Kombeve kundër Rumanisë në Bukuresht. Cilat pritet të jenë pasojat e këtij veprimi?

Çdo javë, Radio Evropa e Lirë ju sjell një material të kompletuar për temën më të përfolur të javës, dhe ju njofton se çfarë ia vlen të dini për të.

Për ta pranuar të parët në emailin tuaj, para publikimit në ueb-faqen e REL-it, regjistrohuni falas!

Kosova argumenton se futbollistët e saj kishin të drejtë ta braktisnin njëanshëm ndeshjen e Ligës së Kombeve në futboll kundër Rumanisë në Bukuresht javën e kaluar, pas ankesave për thirrje raciste nga tifozët rumunë.

Por, për këtë, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) tani duhet ta bindë Federatën Evropiane të Futbollit (UEFA), e cila pritet të vendosë për epilogun e ndeshjes së zhvilluar më 15 nëntor.

Disa ekspertë ligjorë me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, megjithatë, thanë se ka pak mundësi që vendimi i shtëpisë qeverisëse të futbollit evropian të shkojë në dobi të Kosovës, duke parë mënyrën se si rrodhi ndeshja, e cila nxiti reagime madje edhe përtej futbollit, edhe nga krerët e të dyja vendeve.

Futbollistët e Kosovës e lanë fushën e lojës kur kishin mbetur pak sekonda para vërshëllimës së fundit të gjyqtarit, teksa rezultati ishte 0:0. Ndeshja fillimisht u pezullua, para se të braktisej një orë më vonë, sepse kosovarët nuk pranuan të ktheheshin në barin e gjelbër.

Kjo ndodhi pasi disa tifozë rumunë brohoritën “Serbia! Serbia!”, gjatë një kacafytjeje mes kapitenit të Kosovës, Amir Rrahmani, dhe sulmuesit rumun, Denis Alibec.

FFK-ja i akuzoi tifozët e Rumanisë për “sjellje të papërgjegjshme dhe diskriminuese”, dhe tha se futbollistët e saj u larguan nga fusha për shkak të “mungesës së dinjitetit dhe sigurisë”.

Tifozët rumunë mbajnë flamuj dhe ndezin flakadanë gjatë ndeshjes mes Rumanisë dhe Kosovës në Ligën e Kombeve, e cila u braktis nga kosovarët që i akuzuan rumunët për thirrje raciste dhe anti-Kosovë.
Tifozët rumunë mbajnë flamuj dhe ndezin flakadanë gjatë ndeshjes mes Rumanisë dhe Kosovës në Ligën e Kombeve, e cila u braktis nga kosovarët që i akuzuan rumunët për thirrje raciste dhe anti-Kosovë.

Pohimet e saj u hodhën poshtë nga Federata e Futbollit e Rumanisë (FRF), e cila tha se “nuk kishte thirrje raciste gjatë ndeshjes”, dhe shprehu keqardhje që Kosova mori vendim për ta braktisur ndeshjen.

UEFA njoftoi më 16 nëntor për hapjen e procedurave disiplinore ndaj të dyja federatave, dhe tha se do ta kumtojë vendimin rreth procedurave “kur të jetë koha e përshtatshme”.

Avokati sportiv italian, Claudio Monteleone, tha për Radion Evropa e Lirë se, megjithëse është herët të thuhet se cili do të jetë vendimi, në rastet kur një ekip e braktis lojën njëanshëm, ai e humb ndeshjen me rezultat zyrtar si pasojë.

“Në shikim të parë, faktet duket se thonë që këtu vlen rregullorja e UEFA-s, e cila përcakton se ekipi që e ka braktisur lojën konsiderohet ta ketë humbur atë me rezultat 3:0”, tha Monteleone.

A mund ta fitojë Kosova ndeshjen ndaj Rumanisë në UEFA?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:12 0:00

Sipas rregullores së UEFA-s për siguri dhe mbrojtje, ndeshja braktiset në rast të incidenteve të rënda racizmi dhe ajo, në parim, duhet të bëhet me pajtimin e të gjitha palëve të përfshira.

Procedura me tre hapa kërkon që gjyqtari i ndeshjes të kërkojë thirrje publike për ndaljen e sjelljeve raciste, ta ndërpresë ndeshjen derisa të ndalen ato dhe, si zgjidhje e fundit, ta ndërpresë ndeshjen përfundimisht.

Gjyqtari danez, Morten Krogh, e ndërpreu ndeshjen në Arenën Kombëtare në Bukuresht për rreth 50 minuta, dhe më pas u kërkoi futbollistëve të Kosovës të ktheheshin në fushë për vazhdimin e saj. Por, ata nuk pranuan.

Futbollistët e Kosovës duke shkuar drejt zhveshtores pasi e braktisën ndeshjen e Ligës së Kombeve me Rumaninë në Bukuresht, pak sekonda pa përfunduar ajo, duke u ankuar se kishte thirrje raciste nga ana e vendësve.
Futbollistët e Kosovës duke shkuar drejt zhveshtores pasi e braktisën ndeshjen e Ligës së Kombeve me Rumaninë në Bukuresht, pak sekonda pa përfunduar ajo, duke u ankuar se kishte thirrje raciste nga ana e vendësve.

Avokati Sabin Gherdan, i cili përfaqësoi Rumaninë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në rastin e medaljes së bronztë të fituar nga gjimnastja Ana Barbosu pas Lojërave Olimpike, tha se në ndeshjen Rumani-Kosovë argumentet për një vendim të favorshëm janë në anën e rumunëve.

"Sa i përket asaj që ndodhi, nuk shoh ndonjë tjetër zgjidhje, përveç një ndeshjeje të fituar nga Rumania 3:0, në tavolinë", u shpreh avokati për Radion Evropa e Lirë.

Por, jo gjithçka është shumë e qartë. Organi për kontroll, etikë dhe disiplinë i UEFA-s pritet të marrë kohë për të vendosur për këtë ndeshje, e cila ishte pothuajse një përsëritje e ndeshjes së para një viti në stadiumin e njëjtë ndërmjet dy kombëtareve të njëjta.

Kosova u ankua se tifozët rumunë të premten e kaluar brohoritën “Kosova është Serbi” dhe “Serbia” – nga e cila Kosova shpalli pavarësinë më 2008 – që ishte përsëritje e thirrjeve të bëra gjatë vizitës së fundit të Kosovës në Bukuresht në shtatorin e 2023-tës, për çka UEFA e kishte dënuar dhe gjobitur Rumaninë.

Kapiteni i Kosovës, Rrahmani, tha pak pas ndeshjes se e kishte njoftuar gjyqtarin “së paku tri herë” për thirrjet, të cilat u bënë pasi ai u përfshi në një incident me lojtarin kundërshtar, Alibec.

Menaxheri i ekipit kombëtar të Kosovës, Bajram Shala, tha më 17 nëntor se ekipi ligjor i FFK-së i ka dorëzuar të gjitha dëshmitë e saj, dhe se është duke “punuar fort për të sjellë drejtësinë në vend”.

Monteleone, ndërkaq, beson se është e vështirë të përcaktohet në këtë fazë nëse Kosova është fajtorja e vetme për mosvazhdimin e ndeshjes më 15 nëntor.

“Nuk kemi qasje në dokumente zyrtare të asaj ndeshjeje, siç është raporti i gjyqtarit, që mund të merret për referencë specifike”, tha Monteleone, duke shtuar se shumë do të varet nga raporti i delegatit të ndeshjes.

Një arbitër në Këshillin e Arbitrazhit Sportiv në Kosovë dhe në Gjykatën Evropiane të Arbitrazhit (ECA), Fisnik Salihu, tha se pret që UEFA t’i dënojë të dyja federatat. Raporti i gjyqtarit të ndeshjes, i delegatit zyrtar të ndeshjes, si dhe dëshmitë e të dyja federatave do të jenë vendimtare, sipas tij.

Futbollistët e Kosovës u panë duke e bërë me duar simbolin e shqiponjës dykrenore përballë tifozëve të Rumanisë derisa po largoheshin nga fusha, duke i zemëruar ata. Ky gjest është imitim i shqiponjës në flamurin kombëtar të Shqipërisë.

Edhe Kosova ishte gjobitur muajin e kaluar për shkak të ndërprerjeve në ndeshjen e parë me Rumaninë në shtator, kur tifozët kishin hedhur flakadanë, ishin futur në fushë dhe e kishin fishkëllyer himnin kombëtar rumun.

“Në veçanti janë të rëndësishme deklaratat e gjyqtarit dhe delegatit të ndeshjes, pasi në situata të tilla janë protokolle të caktuara të sigurisë që duhet të administrohen dhe aplikohen. Lidhur me këtë ndeshje, pres që të ketë dënime të ashpra nga organet përgjegjëse për të dyja palët. Nuk pres që palët të arrijnë ato që pretendojnë”, tha Salihu.

Ai shtoi se është interesant të shihet se si UEFA do ta interpretojë ankesën e Kosovës për racizmin dhe për sjelljet e publikut, dhe nëse përsëritja e këtyre veprimeve arrin standardin e mjaftueshëm për moszhvillim të ndeshjes.

Federata kosovare ka lënë të kuptohet se do të ankohet në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Zvicër, nëse UEFA vendos përfundimisht t’ia japë fitoren Rumanisë.

CAS-i ka rrëzuar shpesh vendimet e UEFA-s apo të shtëpisë botërore të futbollit, FIFA, por do të ishte e vështirë të mendohej çfarë do të kishte qenë vendimi i kësaj gjykate në një fazë kaq të hershme.

“Është herët të flitet për CAS, pa pasur vendimet e shkallës së parë dhe dytë të UEFA-së. Varësisht, këtyre vendimeve, pres që palët t’i drejtohen CAS-it për një vendim final”, tha Salihu.

Reagime përtej fushës së futbollit

Incidenti i 15 nëntorit në Bukuresht nxiti reagime edhe përtej fushës së futbollit, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që e mbrojti vendimin e lojtarëve të vendit të tij për ta braktisur fushën, duke e nxitur homologun e vet rumun, Marcel Ciolacu, ta kritikojë atë për “përzierjen e sportit me politikë”.

Kurti i takoi futbollistët e Kosovës pas kthimit të tyre në Prishtinë, një ditë pas ndeshjes në Rumani, dhe i përgëzoi për vendimin.

“Ai është qëndrim parimor, i drejtë e dobishëm edhe për Kosovën, për futbollin e për secilin qytetar të vendit tonë, që është ndier i përfaqësuar me deklaratën dhe qëndrimin e kapitenit Amir Rrahmani”, u shpreh Kurti.

Ai i bëri thirrje UEFA-s dhe FIFA-s që të “mos lejojnë këto gjëra”.

“Kosova ka pasur të kaluar të vështirë, luftë, masakra e gjithçka. Nuk ka qenë e lehtë të arrihet këtu, andaj meritojmë respekt. Të gjithë duhet të dinë se Kosova është Kosovë, ose se Kosova është Shqipëri, kaq, këtu mbaron”, tha Kurti.

Rumania është njëra nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, bashkë me Spanjën, Qipron, Greqinë dhe Sllovakinë, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Kryeministri i Rumanisë tha se homologu i tij kosovar po përpiqet ta shndërrojë “viktimën në agresor”.

Çfarë do të nënkuptonte për Kosovën fitorja apo humbja?

Kosova dhe Rumania i fituan ndeshjet e tyre të mbetura në Grupin 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve, të hënën e 18 nëntorit, që nënkupton se as fitorja jashtë fushës nuk do t’i kryente punë Kosovës për ta fituar grupin.

Rumania i prin grupit me 15 pikë, ndërsa Kosova ka 12 pikë, në vendin e dytë, pra pa llogaritur pikët nga ndeshja e braktisur më 15 nëntor.

Nëse Kosovës i jepet fitore 3:0 për ndeshjen e braktisur, atëherë ajo do ta barazonte Rumaninë në krye të grupit, me nga 15 pikë secila.

Gjëja e parë që do të shikoheshin janë ballafaqimet kokë më kokë, dhe meqë Kosova e humbi ndeshjen e parë në Prishtinë 3:0, do të duhej të vendoste goldallimi, pra cila skuadër ka shënuar dhe pranuar më pak gola.

Edhe në këtë rast, të dyja skuadrat do të kishin goldallim të ngjashëm, +9, gjë që dërgon te një kriter tjetër: kush ka shënuar më së shumti gola.

Rumania i ka shënuar 15 gola në këtë fushatë, ndërsa Kosova 10, dhe sikur t’i shtoheshin tri gola nga fitorja e mundshme 3:0 nga ndeshja e braktisur, ato nuk do t’i mjaftonin.

Pra, Rumania e ka fituar grupin dhe është ngritur në Ligën B.

Faleminderit që e lexuat këtë "bonus" newsletter! Nëse ju pëlqeu, ju ftojmë ta shpërndani me të tjerët. (Ata mund të abonohen falas këtu për ta pranuar çdo numër të newsletter-it tonë).

Për fund, ju rekomandojmë t'i shikoni disa materiale të përzgjedhura që i kemi publikuar ditëve të fundit:

Keni diçka për të na thënë? Duam t’ju dëgjojmë. Na shkruani në evropaelire@rferl.org.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG