Ndërlidhjet

Tragjedia në Restelicë


Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga ka shpallur ditën e sotme ditë zie shtetërore, në nderim të anëtarëve të familjeve Reka, që pësuan në fatkeqësinë natyrore në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit.

Të shtunën nga një ortek që u rrokullis mbi shtëpitë në fshatin Restelicë kanë humbur jetën 9 persona, një vajzë pesëvjeçare është nxjerrë e gjallë, ndërsa dyshohet edhe për një të ngujuar nën borë.

Ekipet e shpëtimit kanë ndërprerë mbrëmjen e së dielës kërkimet për të ngujuarin e fundit për shkak të motit të keq. Kërkimet rinisin sot, ndërkohë që autoritetet qeveritare nuk kanë përjashtuar rrezikun nga orteqe tjera në këtë zonë.

Kosova është kapluar nga moti i ftohtë, ngjashëm sikurse edhe shumë shtete tjera në Ballkan dhe në Evropë.

Viktimat e Restelicës janë të parat në vend që pësojnë nga fatkeqësia natyrore, ndërkohë që në Evropë numri i të vdekurve nga të ftohtët ka kaluar 500-shin.(a.i.)



Borë deri në dy metra



Arton Koushevci

Kosova po vazhdon të ketë mot të ligë me reshje bore dhe temperatura të ulëta. Nga reshjet e mëdha, shumë komuna tashmë kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme.

Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës thonë se për të përballuar ketë situatë kanë marrë të gjitha masat.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se institucionet kanë vënë në funksion të gjithë mekanizmat në mënyrë që të ndihmohen qytetarët që po përballen me një situatë tejet të vështirë për shkak të motit.

Për t’u përballur me një situatë të tillë të rënduar për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, janë vënë në shërbim të gjithë mekanizmat. Kemi ngritur gatishmërinë më të lartë dhe jemi duke ndërmarrë të gjitha masat për të përballuar ketë vështirësi. Përkundër gjendjes së tillë që e kemi, situata në Kosovë deri më tani ka qenë edhe mbetet nën kontroll, megjithëse të reshturat janë duke vazhduar. Unë me një ekip qeveritar do te jemi ne disa nga komunat me të rënduara nga të reshurat e dendura, për te qenë më afër qytetareve dhe autoriteteve komunale”, tha Thaçi.

Ministria e Infrastrukturës njofton se për shkak të reshjeve të borës, qarkullimi në rrugë është vështirësuar, por ato kryesisht janë të kalueshme.

Kurse, sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, gjendje më e rëndë është në komunat e rrafshit të Dukagjinit.

Siç bëjnë të ditur zyrtarët e Kuvendeve Komunale dhe të Institutit Hidrometeorologjik, niveli i trashësisë së borës në disa komuna dhe fshatra të kësaj ane ka arritur nivelin e trashësisë në dy metra.

Drejtori i Institutit Meteorologjik të Kosovës, Sylë Tahirsylaj, tha se në disa në pjesë të vendit, reshjet e borës gjatë natës kanë qenë të pandërprera.

Niveli i borës varirojnë në vlera të ndryshme për shkak së ka pasur erë dhe ka pasur lëvizje turbulente që i ka bartur ato, prandaj në vende kodrinore malore, përkatësisht në bjeshkë, niveli arrin deri në 3 metra borë në ultësira, dhe në rrafshin e Kosovës janë një metër e gjysmë bilanci i tërësishëm që kur ka filluar. Këto reshje do të ndërpriten në ditën e sotme”, tha Tahirsylaj.

Reshjet e shumta të borës, çdo ditë e më shumë e kanë vështirësuar gjendjen në shumë pjesë të Kosovës.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, tregon se përkundër angazhimeve maksimale të kompanive të angazhuara, rrugët mbesin të vështira për qarkullim, sidomos në zonat rurale.

Ka të reshura të pandërprera, të mëdha, në gjithë territorin e komunës së Deçanit. Trashësia e borës deri tash ka arritur mbi 2 metra. Mund të them se shumica e fshatrave dhe territorit janë të zhbllokuara, por mbrëmë. gjatë gjithë natës ka punuar e gjithë makineria, por të reshurat nuk kanë pushuar. Mirëpo, përkundër vështirësive të mëdha, mund të them se gjithçka në komunën e Deçanit është në kontroll”, tha Selmanaj.

Kurse përfaqësuesit e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, thonë se reshjet e borës po shkaktojnë probleme edhe në trafikun ajror.

Altin Ahmeti, zëdhënës i këtij aeroporti, tha për Radion Evropa e Lirë se në orët e paradites nuk janë kryer disa fluturime. Aeroplanët, sipas tij, kanë nisur të operojnë tek në orët e pasditës.

Tash për tash gjendja në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, është normalizuar. Presim që edhe pak kohë t’i realizojmë edhe pesë fluturime të tjera dhe ta përmbyllim numrin e fluturimeve të cilat janë paraparë për ditën e sotme e ato janë 11 fluturime”, bëri të ditur Ahmeti.

Ndryshe, në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit, si pasojë e rrëshqitjes së një orteku bore, kanë humbur jetën 9 persona.

Kryetari i Komunës së Dragashit, Salim Jonuzi, deklaroi se njësitet e FSK-së të operacioni të kërkimit-shpëtimit, pasi që dje kishin ndërprerë punimet për shkak të motit të ligë, sot janë sërish në vendin e ngjarjes, dhe po vazhdojnë kërkimet për një personi tjetër që dyshohet se është nën rrënojë të shtëpisë

Njësitet e FSK-së kanë arritur në vendin e ngjarjes, kanë filluar punën, pra kërkim –shpëtimin. Sot rreth orës 14:00 do ta bëjmë varrimin e atyre 9 viktimave. Kjo është gjendja, mund të ketë fshatra të bllokuar por rreziqe nuk e besoj që do të ketë”, u shpreh Jonuzi.

Në rajonin e Restelicës rreth katër persona të tjerë të raportohet se janë të bllokuar nga bora në stanet e tyre në bjeshkë.

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës Kadri Kasatrati tha për Radion Evropa e Lirë se këta persona nuk janë në rrezik, por kanë kërkuar ndihmë.

Ne kemi bërë kërkesë zyrtare te komandanti i KFOR-it që me anë të helikopterit nga ajri t’u lëshohen ndihmat si: ushqim, ujë dhe veshmbathje. Ata nuk janë të rrezikuar”, bëri të ditur Kastrati.

Si pasojë e përkeqësimit të motit, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës, ka ndërprerë edhe për një javë mësimin në shkollat fillore dhe të mesme në mbarë Kosovën.


Shpëtimi i vogëlushes nga orteku
Shpëtimi i vogëlushes nga orteku
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:22 0:00
XS
SM
MD
LG