Ndërlidhjet

Nëntë të vdekur - rrezik nga ortekët tjerë



Numri i të vdekurve nga rrëshqitja e ortekut, i cili i ka goditur 15 shtëpi në anën e djathtë të fshatit Restelicë të Komunës së Dragashit, tashmë është ngritur në nëntë.

Gjatë ditës së shtunë njësitet e kërkim-shpëtimit kishin gjetur 7 trupa të pajetë dhe një fëmijë rreth 5 vjeç. Ndërkaq, gjatë kërkimeve të së dielës janë gjetur deri më tash edhe 2 trupa të vdekur, ndërkohë që në orët e fillimit të mbrëmjes, është ndërprerë kërkimi edhe i një personi, i cili dyshohet të jetë nën rrënojat e shtëpisë, që e ka goditur orteku i borës.

Bilancin e deritashëm tragjik të kësaj ngjarjeje e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Shemsi Syla, zëdhënësi i Forcës së Sigurisë së Kosovës:

“Nëntë janë gjetur të vdekur dhe një i gjallë. Ndërsa edhe për njërin, jemi në kërkim”.

Zëdhënësi i FSK-së, Syla, ka theksuar se pjesëtarët e kësaj force dhe të gjitha faktorët tjerë që kanë marrë pjesë në kërkim-shpëtimin e të goditurve nga orteku, kanë punuar me përkushtim të jashtëzakonshëm. Por, sipas tij, rreth orës 16: 30, ka pushuar aksioni i kërkim-shpëtimit, për shkak të kushteve të jashtëzakonshme klimatike në Restelicë.
Për momentin, është lëshuar një urdhëresë nga Shtabi i Përgjithshëm dhe Komandanti i Forcave të Sigurisë, për tërheqje, për shkak të kushteve të jashtëzakonshme...

“Për momentin, është lëshuar një urdhëresë nga Shtabi i Përgjithshëm dhe Komandanti i Forcave të Sigurisë, për tërheqje, për shkak të kushteve të jashtëzakonshme, të cilat mbretërojnë tash në vendin ku po gërmonin ushtarët për gjetjen edhe të personit të fundit. Kështu që ushtarët do të tërhiqen në bazë, për shkak se janë shumë të lodhur dhe janë të mërdhirë nga ky acar dhe nga këto të reshura të pandërprera, për të filluar nesër në orën 7:00 aktivitetin, njësoj si ka qenë sot”, ka thënë Syla.

Nën ortekun e borës, që në fillim, është dyshuar se kanë mbetur të ngujuar 11 persona. Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, në orët e pasdites, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kërkimet për gjetjen dhe shpëtimin eventual të personit të 11-të, që thuhet të ketë mbetur nën ortekun e borës, janë zhvilluar intensivisht.

Fehmi Mujota
Fehmi Mujota
“Janë të angazhuara të gjitha forcat dhe do të ngelin të angazhuara deri sa të mos arrijnë te trupat e fundit që janë ndodhur të ngujuar në shtëpitë e tyre në rastin e rënies së ortekut. Ne ende po shpresojmë që të ketë mbijetuar dikush prej tyre, por gjasat janë gjithnjë e më të vogla”, ka theksuar Mujota.

Në anën tjetër, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, të cilët kanë mbikëqyrur vazhdimisht situatën në fshatin Restelicë, nuk e kanë përjashtuar mundësinë që përsëri të ketë shembje të ortekëve të borës.

Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Shemsi Veseli, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se tashmë janë evidencuar rreziqet e mundshme.

“Nuk përjashtohet mundësia tash nga ana e majtë se mund ta godasë, për arsye se tash, sidomos kur temperaturat fillojnë pak edhe të bien dhe të zbutet bora. Mandej, mund të rrëshqasë dhe të shkëputet, sikurse ajo pjesë që tashmë është shkëputur e atij orteku. Mirëpo, megjithatë, tashmë ka filluar në njëfarë forme evakuimi i asaj pjese që është dyshuar dhe për të cilën rreziku është permanent. Kështu që, ata (banorët) do të zhvendosen eventualisht ose krejtësisht prej aty dhe do të shkojnë kah qendra e Restelicës ose do të bëhet ndonjë alternativë tjetër e mundshme”, ka thënë Veseli.

Ndryshe, për shkak të terrenit të vështirë në hapësirën ku janë shtëpitë e goditura nga orteku në Restelicë, sipas zyrtarëve të Qeverisë, për njësitë e kërkim-shpëtimit ka qenë e pamundur që të depërtojnë me makineri të rëndë për të hequr borën.

E gjithë puna për heqjen e borës në vendet, të cilat ishin piketuar se janë shtëpitë e goditura, është bërë me mjete dore dhe kjo formë e kërkimit do të vazhdojë edhe nesër. Gjatë ditës, fshatin Restelicë e kanë vizituar delegacione nga Qeveria e Kosovës. Në vendin e ngjarjes të dielën ka qenë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, disa ministra të Qeverisë, komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe personalitete të tjera.


Lexoni edhe këtë:
Shtatë të vdekur nga orteku i borës në Restelicë

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG