Edhe 14 vjet pas, Kosova pa vizion ekonomik

Ilustrim

Edhe 14 vjet pas luftës, Kosova vazhdon të ketë ekonomi të dobët, shkallë të lartë të papunësisë dhe varfërisë. Qeveritë, të cilat udhëhoqën vendin përgjatë këtyre viteve, nuk arritën të përmirësojnë gjendjen ekonomike dhe sociale, vlerësojnë ekspertë të fushës së ekonomisë në Kosovë.

Ata thonë se këto ngecje në ekonomi ndodhën pikërisht për faktin se asnjëra nga qeverisjet e Kosovës zhvillimin ekonomik nuk e kishte vënë si prioritet në agjendat e tyre.

Rritja ekonomike në Kosovë gjatë këtyre viteve nuk ishte më e lartë se 5 për qind, papunësia ka një shkallë të lartë deri në 40 për qind dhe të pandryshuar nëpër vite, derisa varfëria është 29.2 për qind.

Udhëheqësi i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale "STRAS”, Ibrahim Rexhepi, thotë për Radion Evropa e Lirë se është bërë shumë pak për zhvillimin ekonomik të Kosovës nga ajo që është shpresuar dhe është pritur se do të arrihet pas përfundimit të luftës.

“Esenciale janë dy probleme që qëndrojnë zvarrë, e që ndoshta kanë një kontinuitet historik. Është problemi i papunësisë dhe niveli i lartë i varfërisë. Në aspektin historik dihet se Kosova ka qenë njëri prej rajoneve më të pazhvilluara në shtetin e dikurshëm, kështu që ai problem mbetet i pazgjidhur edhe tash 14 vjet pas çlirimit”, vlerëson Rexhepi.

Sidoqoftë, pas luftës së fundit, 14 vjet më parë, Kosova trashëgoi një ekonomi të dëmtuar. Problemet ekonomike në Kosovë ishin si pasojë e shumë faktorëve. Përveç që ishte vendi më i pazhvilluar në ish-Jugosllavi, Kosova pësoi dëme të shumta ekonomike gjatë luftës së vitit 1999.

Eksperti i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, tregon se gjatë luftës ndodhi një shkatërrim i madh i resurseve që ka Kosova, e në veçanti te minierat dhe qymyri. Për të rifutur në funksion këto resurse, thekson Rexhepi, ka pasur ngecje në investime nga autoritetet e Kosovës.

Por, gjithsesi Rexhepi thekson se ka shumë probleme ekonomike të trashëguara, e që është e natyrshme se nuk mund të tejkalohen për një periudhë të shkurtër kohore.

Mosvendosja e ekonomisë si prioritet në agjendat e partive që udhëhoqën vendin gjatë këtyre viteve, thotë Agron Demi, drejtor ekzekutiv i Institutit për Hulumtime të Avancuara, ka bërë që vendi të ketë ende probleme të mëdha ekonomike dhe sociale.

“Asnjëherë asnjë qeveri nuk ka pasur një agjendë kryesore që i tërë aktiviteti qeveritar është orientuar drejt zhvillimit ekonomik. Për këtë arsye, zhvillimi ekonomik për këto 14 vjet ka qenë i ultë dhe nuk ka arritur të nxjerrë vendin nga varfëria dhe gjendja e rëndë sociale”, shprehet Demi.

Ai thekson se që nga viti 2004 Kosova ka pasur një rritje nominale të buxhetit prej 54 për qind, apo nga 600 milionë deri në 1.4 miliard, rritje kjo e pamjaftueshme për të adresuar problemet thelbësore që ka vendi.

Siç thekson Demi, ajo që do të duhej kjo qeveri të bënte, është luftimi i dukurive negative, të cilat po e ngufatin ekonominë e vendit.

“Ajo çfarë do të duhej të bëhej, është krijimi i një ambienti të sigurt për investime direkte, të ulet niveli i korrupsionit, të sigurohen investitorët e huaj se investimi i tyre është i sigurt”, konsideron Demi.

Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se Kosovës, përgjatë këtyre viteve, përveç tjerash, i ka munguar edhe një plan nacional i zhvillimit ekonomik, plan ky që sipas ekspertit të ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, do ta orientonte ekonominë e Kosovës.

“Që nga vitit 2008, më konkretisht prej kohës kur mendohet se janë marrë autorizimet e plota për udhëheqje, realisht asnjë qeveri nuk ka pasur vizion se ku duhet të fokusohet në mënyrë që të tejkalohen këto probleme. Jemi dëshmitarë të situatës së rëndë energjetike, e cila nuk është e këtij viti, por e sa e sa viteve, por jemi njëkohësisht edhe dëshmitarë të deklaratave për ngritje të termocentraleve që kurrë nuk po fillojnë”, shton Rexhepi.