Ndërlidhjet

Varfëria në Kosovë (s')do të ulet deri më 2015


Mitrovicë, shkurt 2013...
Mitrovicë, shkurt 2013...
Republika e Kosovës është larg përmbushjes së objektivave për Zhvillim të Mijëvjecarit, që kanë për qëllim ta ulin dukshëm varfërinë globale, ta rrisin nivelin e edukimit, barazinë gjinore dhe shëndetësinë deri në vitin 2015.

Ligjvënësit kosovarë, përmes një rezolute, në vitin 2008 kanë miratuar Deklaratën e Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara. Atëbotë, ata qenë zotuar se së bashku me Presidencën dhe Qeverinë e Kosovës, do t’i përmbushin tetë objektivat e kësaj deklarate, përfshirë edhe varfërinë.

Por, njohës të çështjeve ekonomike dhe sociale, konsiderojnë se sfida më e madhe për autoritetet kosovare mbetet ulja e shkallës së varfërisë në Kosovë.

Sipas raportit të Bankës Botërore, në vitin 2008, kur edhe është miratuar Deklarata e Mijëvjeçarit, 45 për qind e kosovarëve kanë jetuar në varfëri, 15 për qind në varfëri të skajshme, ndërkaq 18 për qind të qytetarëve kanë qenë të rrezikuar nga varfëria. Këto shifra rezultojnë në kohën kur në Kosovë nuk ka pasur regjistrim të përgjithshëm të popullsisë.

Por, harta sociale nuk ka pësuar ndonjë ndryshim të madh, edhe tash pas pesë vjetësh.

Po sipas raportit të fundit të Bankës Botërore dhe Agjencisë për Statistika të Kosovës, në vitin 2011, thuhet se afër 30 për qind e popullsisë së përgjithshme jeton në varfëri, ndërkaq 10 për qind jeton në varfëri të skajshme.

Kurse, autoritetet kompetente në Prishtinë, thonë se që nga viti 2008 e deri më tani ka pasur zvogëlim të numrit të familjeve që kanë kërkuar asistencë sociale, që, sipas tyre, nënkupton se ka pasur një rënie të ndjeshme të shkallës së varfërisë.

Muhamet Gjocaj, udhëheqës i Departamentit të Mirëqenies Sociale në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në prononcimin dhënë Radios Evropa e Lirë, thotë se ekzekutivi është i përkushtuar në përmbushjen e këtyre objektivave, dhe shpresohet se deri në vitin 2015 zbutja e varfërisë do të jetë e ndjeshme, pa dashur të japë ndonjë shifër se sa mund të ulet shkalla e varfërisë.

“Nëse e marrin shembull vitin 2008, atëherë kanë qenë mbi 45 mijë familje me asistencë sociale, kurse tani kemi 31.397 familje. Në vazhdimësi, po ashtu edhe Ministria e Bujqësisë, me grantet që po jep për zhvillim të bujqësisë, është shënuar një indikator që kemi një rënie të ngadalshme të familjeve në skemën e ndihmave sociale”, thotë Gjocaj.

Por, ndryshe mendojnë ekspertë për çështje ekonomike. Ata nuk janë shumë optimistë se Kosova do t'i përmbushë objektivat e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara deri në periudhën e caktuar.

Berat Rukiqi, sekretar në Odën Ekonomike të Kosovës, shprehet skeptik për uljen e shkallës së varfërisë, për shkak, siç thotë ai, qytetarët janë duke jetuar në një periudhë jo të lehtë dhe me një tranzicion të gjatë, ku dinamika e zhvillimit ekonomik nuk është në koherencë me përmirësimin e këtyre indikatorëve.

Sipas Rukiqit, pa zhvillim të përgjithshëm ekonomik, rrjedhimisht rritje të shkallës së punësimit, nuk do të ketë ulje të varfërisë.

Berat Rukiqi
Berat Rukiqi
“Në konceptet moderne ekonomike, besohet që zhvillimi ekonomik mund të jetë objektivi kryesor, i cili pastaj do të ndikojë edhe në përmirësimin e indikatorëve të tjerë. Përderisa e kemi një qasje mjaft të reduktuar vetëm te reduktimi i varfërisë, besoj se do të kemi rezultate më të mangëta", shprehet Rukiqi.

Duke marrë parasysh proceset zhvillimore në mbarë botën dhe parametrat ekonomikë në Kosovë, nuk ekziston ndonjë atmosferë shpresëdhënëse për përmbushjen e këtyre objektivave, thotë edhe sociologu Fadil Maloku.

“Nëse e marrim parametrin e parë, thellimi do të jetë më evident edhe si pasojë e kësaj në Kosovë do të ketë pakënaqësi të theksuara, të cilat mund të sjellin pasoja dhe probleme tjera, politike ekonomike etj”, thekson Maloku.

Deklarata e Mijëvjeçarit është nënshkruar në vitin 2000 nga vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe ka përcaktuar 8 qëllime, 18 plane dhe 48 indikatorë, për të matur progresin deri në vitin 2015.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG