Ndërlidhjet

Pesë vjet pas - Shporta e qytetarit, çdo vit më e varfër


Ilustrim
Ilustrim
Gjatë këtyre pesë vjetëve të Kosovës shtet i pavarur, fuqia blerëse në vend është vlerësuar vazhdimisht nga ekspertë të çështjeve ekonomike dhe hulumtimeve të bëra nga shoqëria civile, se kishte shënuar rënie drastike. Inflacioni përgjatë kësaj kohe thuhet të ketë arritur deri në 30 për qind.

Qytetarë të Kosovës të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, japin mendimet e tyre rreth rënies së fuqisë blerëse dhe ngritjes së çmimeve në tregun kosovar.

Ngritje e çmimeve, thonë qytetarët përgjatë këtyre vjetëve, është vërejtur te produktet e konsumit, siç janë buka, vaji, perimet dhe veshmbathja.

Mervete Siqani, mësuese, bën një krahasim të çmimeve në Kosovë me një nga vendet e Bashkimit Evropian ku ajo ka jetuar për dy vjet. Ajo thotë se çmimet në Kosovë janë shumë më të larta se sa çmimet në vendet ku standardi jetësor është shumë më i lartë.

“Kam jetuar jashtë vendit për dy vjet dhe kur u ktheva në Kosovë pashë se çmimet ishin të njëjta, pavarësisht pagës që atje ishte shumë më e lartë. Këtu merr 300 euro rrogë, ndërsa paguan produkte me çmim marramendës. Mund të them se janë çmimet më të shtrenjta se sa, për shembull, në Gjermani”, shprehet ajo.

Ilaz Sinani thotë se nga viti në vit ka parë që çmimet në tregun e Kosovës të kenë shënuar ngritje. Shporta mujore e këtij konsumatori tani, krahasuar me atë të pesë vjetëve më parë, është e varfëruar për 50 euro.

“Çdo ditë keq e më keq. Nuk ka pasur ndryshime. Nëse një produkt është ngritur një herë, ai nuk është liruar më. Në familjen time shporta mujore peshon më pak se para pesë viteve”, thotë ai.

Ngjashëm mendon edhe Vesel Kelmendi:

“Çmimet janë rritur, pavarësisht asaj se rrogat kanë mbetur të njëjta. Në një familje nëse nuk punojnë dy apo më shumë anëtarë, është vështirë të përballohen këto çmime të larta”.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës të publikuara përgjatë këtyre viteve, po ashtu, kishin treguar se ka pasur inflacion në Kosovë.

Sipas të dhënave të fundit të kësaj agjencie, çmimet në muajin janar janë ngritur për 0.6 për qind, në krahasim me muajin dhjetor 2012.

Shkalla e inflacionit, e matur në muajin janar 2013, krahasuar me muajin janar 2012 ishte 3.6 për qind. Kurse, shkalla mesatare vjetore e inflacionit në vitin 2012, ishte 2.5 për qind.

Ngritje e çmimeve vërehet te perimet, me 11.5 për qind, me një ndikim prej 0.5 për qind, dhe duhani 1.5 për qind me një ndikim prej 0,1 për qind në indeksin e çmimeve.

Ndërkaq, rënie e çmimeve është vërejtur te pajisjet, shërbimet telefonike dhe të telefaksit.

Besa Zeneli bën një krahasim të shportës mujore të familjes së saj për këto vitet e fundit.

“Duke marrë parasysh që para dy vjetëve me 100 euro ke mundur t’i blesh të gjitha gjërat e shtëpisë, tani 180 euro nuk mjaftojnë. Nuk e di a janë rritur çmimet apo ne po konsumojmë më shumë. Ka ngritje të çmimeve edhe në veshmbathje. Çmimet janë më të larta se në vendet tjera evropiane”, thotë ajo.

Sipas Sinan Gashit, çmimet e konsumit në Kosovë mund të jenë ngritur deri në 50 për qind, gjatë këtyre pesë vjetëve.

“Pa dyshim që ka ngritje të madhe. Nëse krahasohet nga viti në vit mund të them lirisht që ka ngritje deri në 50 për qind të çmimeve të konsumit”, thotë ai.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG