Ndërlidhjet

Si të arrihet rritje më e lartë ekonomike?


Ilustrim
Ilustrim
Rritja ekonomike, që arriti normën prej 3.8 për qind, në vitin e kaluar, vazhdon të mbetet e pamjaftueshme për t’i adresuar problemet, me të cilat ballafaqohet Kosova.

Por, që kjo rritje ekonomike të shënojë ngritje më të lartë gjatë këtij viti, ekspertë të çështjeve ekonomike sugjerojnë autoritetet e Kosovës që të marrin masa konkrete në zhvillimin e sektorit privat.

Për rritje reale të produktit të brendshëm bruto, ekspertët e ekonomisë thonë se duhet të investohet në bujqësi, agrobiznes dhe në industri.

Eksperti i ekonomisë, Ismajl Kastrati, thotë për Radion Evropa e Lirë se investimi në këta sektorë do të ndihmojë vendin në zhvillim ekonomik dhe më pas në adresimin e problemeve thelbësore që ka Kosova.

“Orientime themelore të Qeverisë duhet të jenë bujqësia dhe agrobiznesi. Përveç tjerash, kjo do të kishte efekt edhe në rritjen ekonomike në zvogëlimin e papunësisë dhe do të ndikonte drejtpërdrejt në zvogëlimin e nevojave për import, e që do të ndikonte në mënyrë të drejtpërdrejtë në përmirësimin e bilancit të pagesave”
, thotë Kastrati.

Në anën tjetër, eksperti i ekonomisë, Lekë Musa, thotë se duhet të krijohet ambient i favorshëm biznesor për investitorët e huaj. Këta investitorë, thotë ai, do të mund të investonin në resurset natyrore që ka Kosova dhe investimi i tyre do të krijonte rritje më të lartë ekonomike.

Lekë Musa
Lekë Musa
“Mos të harrojmë se janë disa projekte shumë me rëndësi, të cilat duhet të realizohen së shpejti, siç është ligji mbi minierat, i cili ligj do të hapë sektorin e thëngjillit për sektorin privat dhe aty mund të ketë disa projekte shumë të leverdishme që mund të hapin vende të reja të punës”, bën të ditur Musa.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrorë të Kosovës, rritja reale e produktit të brendshëm bruto në vitin 2012 arriti normën prej 3.8 për qind, ndërsa bartës kryesor i rritjes ishte sektori publik nëpërmjet investimeve kapitale.

Derisa sektori privat kontribuoi në rritjen ekonomike nëpërmjet rritjes së konsumit, investimet private u karakterizuan me zhvillime të ngjashme me vitin paraprak, pozitive, por me trend të ngadalësuar.

Ekspertë e ekonomisë tregojnë se asnjë nga vendet e rajonit nuk e mbështet rritjen ekonomik në sektorin publik, por bartësi kryesor i rritjes ekonomike është sektori privat.

Sipas ekspertit të ekonomisë, Ismjal Kastrati, Kosova nuk mund të krahasohet me asnjë nga vendet e rajonit, ndoshta, siç thotë ai, për shkak të asaj se Kosova ende është në fazën e tranzicionit dhe ka ngecur shumë në zhvillimin e sektorit të prodhimtarisë.

“Duke u nisur nga fillimi, pra nga gjendja ku ne kemi qenë, nuk mund të krahasohemi me vendet e rajonit, pasi që ne jemi në fazën gati fillestare të tranzicionit dhe posaçërisht jemi mbrapa në sektorin e prodhimit, ku ne edhe më tutje nuk jemi të përqendruar si shoqëri dhe as Qeveria nuk është e përqendruar në forma të ndryshme të stimulimit të prodhimit dhe krijimit të vlerave të reja. Faktikisht, ekonomia reale te ne është shumë prapa”, shpjegon Kastrati.

Me rritjen ekonomike aktuale, eksperti i ekonomisë, Lekë Musa, thotë se Kosova nuk ka arrin t’i adresojë problemet thelbësore të papunësisë dhe varfërisë.

Ndërsa, për të pasur një zhvillim më të madh ekonomik që do të bënte Kosovën të krahasohej me vendet e rajonit, Musa thotë se rritja ekonomike duhet të jetë 10 për qind.

“Kosova, për të arritur zhvillimin ekonomik të vendeve të rajonit, duhet të ketë një rritje ekonomike për 10 për qind për 10 vjet”, vlerëson Musa.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG