Ndërlidhjet

Mbingarkohet sektori privat


Puna në ndërtimtari
Puna në ndërtimtari
Punësimi në sektorin publik në Kosovë vazhdon të mbetet i ngrirë deri në fund të vitit 2015. Ndërkohë që krijimi i vendeve të reja të punës i mbetet sektorit privat.

Përfaqësues të organizatave ekonomike në Kosovë thonë se Qeveria e Kosovës duhet të krijojë mundësi më të mira bizneseve private, në mënyrë që të rritet punësimi në sektorin privat.

Korniza afatmesme e shpenzimeve 2013-2015, e miratuar nga Qeveria e Kosovës nuk parasheh punësim të ri deri në fund të vitit 2015.

Sipas kësaj, zëvendësime dhe pranime të punëtorëve të rinj do të bëhen vetëm atëherë kur kërkohet me ligj, ose kur punëtorët aktualë pensionohen apo nuk janë të gatshëm për punë.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se duhet të krijohet një strategji për punësim të ri përmes sektorit privat, derisa punësimi në sektorin publik është ngrirë.
Sektori privat duhet të mbështetet me projekte konkrete, të cilat rrisin punësimin...

“Sektori privat duhet të mbështetet me projekte konkrete, të cilat rrisin punësimin. Duhet të rriten subvencionet dhe duhet të mbështeten financiarisht projektet për punësim të ri nga donacionet e ndryshme, por edhe nga vetë institucionet e Kosovës. Po ashtu, duhet që bankat komerciale në Kosovë t’i ulin normat e interesit”, thotë Shahini.

Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës papunësia në Kosovë ka arritur në 44.9 për qind. Ndërsa, supozohet se në tregun e punës çdo vit në Kosovë hyjnë 25 - 30 mijë persona, të cilët janë të aftë për punë.

Sektori privat, thekson Shahini, duhet të jetë gjenerues i zhvillimit ekonomik, por deri më tani, sipas tij, ekonomia e Kosovës dhe politikat ekonomike, në përgjithësi, nuk kanë qenë në favor të zhvillimit të sektorit privat.

“Pa ndonjë strategji zhvillimore dhe pa ndonjë strategji për luftë kundër papunësisë dhe varfërisë, është shumë vështirë të zbutet papunësia, e cila në Kosovë është në nivel mjaft të lartë”, thekson Shahini.

Përveç, kornizës afatmesme të shpenzimeve, e cila nuk lejon punësim të ri në sektorin publik, edhe organizatat ekonomike ndërkombëtare kishin theksuar se sektori publik është i mbipopulluar me punëtorë dhe nuk duhet të ketë punësim të ri.

Po ashtu, një kërkesë e mekanizmave e ndërkombëtarë ka qenë që numri aktual i punonjësve në administratën publike të reduktohet.

Nisur nga e gjithë kjo, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se duhet të i kushtohet rëndësi sektorit privat.

Arian Zeka
Arian Zeka
“Në këtë kuptim, duhet t’i jepet më shumë rëndësi sektorit publik. Aktualisht, është duke iu dhënë një rëndësi, por është e pamjaftueshme. Institucionet e Kosovës duhet ta kuptojnë rëndësinë që ka sektori privat si në zhvillimin ekonomik të vendit, si në zbutjen e papunësisë etj”, vlerëson Zeka.

Për t’u përmirësuar gjendja në sektorin privat, thekson Zeka, institucionet e vendit duhet të krijojnë politika mbështetëse duhet të sjellin masa lehtësuese për të bërë biznes.

“Ajo çka duhet të bëjë Qeveria, është të krijojë lehtësi fiskale për zhvillimin e sektorit të prodhimtarisë, i cili, si sektor, do të ndihmonte punësimin dhe zhvillimin ekonomik. Zhvillimi i sektorit të prodhimtarisë do të ndihmonte edhe në përmirësimin e disbalancit tregtar”, thekson Zeka.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG