Ndërlidhjet

Gjysma e popullsisë e papunë


Prishtinë...
Prishtinë...
Shkalla e papunësisë në Kosovë, edhe sipas të dhënave të fundit nga rezultatet përfundimtare të regjistrimit të popullsisë, vazhdon të mbetet e lartë dhe e pandryshueshme.

Në rezultatet e regjistrimit të popullsisë, ku tregohen edhe shifrat e papunësinë, thuhet se prej 508.100 banorëve që janë të aftë për punë, 44.9 për qind janë të papunë. Kosova ka 227.646 banorë të papunë, përderisa të punësuar konsiderohen 280.454 persona.

Ekspertë të çështjeve ekonomike, thonë se kjo papunësi krijon pakënaqësi sociale dhe ka rrezik që kjo gjendje të manifestohet në trazira sociale në vend.

Drejtori i institutit “Riinvest”, Lumir Abdixhiku thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo përqindje e papunësisë duhet të jetë shqetësuese për autoritetet e Kosovës.

Sipas tij, me 44.9 për qind papunësi, Kosova çdo ditë humb gjysmën e fuqisë punëtore.

Është një numër alarmant, një numër rekord për Kosovën është një numër shqetësues për çfarëdo shtrese ekonomike e Kosovës. Me 44 për qind të papunë i bie se ne çdo ditë humbim gjysmën e fuqisë punëtore, jo vetëm që humbim në vlerë por kemi edhe një barrë për të zgjidhur. Tani një pjesë e madhe të kësaj fuqie punëtore është në papunësi në periudhë afatgjate”, thotë ai.

Përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për uljen e papunësisë, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike nuk kanë qenë të suksesshme, pasi që ky problem i papunësisë, vendin është duke e përcjellë që nga paslufta.

Ndërkohë, të dhënat e fundit për shkallën e lartë të papunësisë ishin hedhur poshtë nga përfaqësuesit e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Ata nuk ishin pajtuar me këtë përqindje, duke thënë se ky numër nuk është real dhe se është më i vogël.

Megjithatë, eksperti i ekonomisë, Lumir Abdixhiku thotë se është befasues fakti se si institucionet e Kosovës ende nuk po arrijnë të kuptojnë këtë gjendje alarmante të papunësisë dhe preferojnë shifra më të vogla.

Si i tillë nuk është një numër i habitshëm. Kosova ka një popullsi mjaft të re. Kosova çdo vit ushqen tregun e punës me 35 mijë të papunë, me një strukturë të tillë normat e papunësisë kanë mbetur të pandryshuar në këto katër- pesë vitet e fundit. Kjo papunësi 44.9 për qind është mjaft reale për situatën e tanishme ekonomike në Kosovë”, thotë Abdixhiku.

Ndërkohë në Kosovë edhe rritja ekonomike për vitin 2012 e cila ishte parashikuar të jetë mbi 5 për qind ka rënë në 3.8 për qind, sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Kjo papunësi, e cila sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike është një barrë, kërkon zgjidhje të menjëhershme. Dhe kjo zgjidhje, thonë ata, duhet të bëhet nga politikat favorizuese drejt sektorit privat.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini thotë për Radion Evropa e Lirë se për të ulur këtë normë të papunësisë duhet të krijohen politika në drejtim të punësimit.

Qeveria e Kosovës duhet të reformojë politikat tregtare për rritjen e interesimit për investime të reja në Kosovë. Pa investime nuk ka punësim të ri, pa punësim formal ne gjithmonë do të kemi shifra alarmante”, shprehet ai.

Ndryshe, në Kosovë, sipas të dhënave të vitit 2009 të bëra nga Banka Botërore, varfëria ishte 34 për qind e gjithë popullsisë.

Sipas këtij raporti, pak më shumë se një e treta e popullsisë jetonin nën vijën e varfërisë absolute me 1.55 euro në ditë, ndërsa 12 për qind jetonin nën vijën e varfërisë së skajshme me 1.02 euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG