Ndërlidhjet

Zhvillimi ekonomik varet nga sektori privat


Produkte vendore
Produkte vendore
Autoritetet kompetente në Kosovë duhet të krijojnë kushte dhe mekanizma që të përmirësohet sektori privat, rrjedhimisht të rritet zhvillimi ekonomik dhe shkalla e punësimit në vend, thonë njohës të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve.

Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, konsideron se sektori privat në Kosovë duhet vërtet të jetë promotor i zhvillimit ekonomik, e jo vetëm të cilësohet se duhet të jetë i tillë.

Ai thotë se problemet, me të cilat ballafaqohet ky sektor, dëshmohen me faktin se paga mesatare është më e ulët në këtë fushë sesa në sektorin publik, përderisa në shtetet e zhvilluara, sipas tij, ndodh e kundërta.

Sipas Shahinit, autoritetet qeveritare kanë bërë që edhe rritja ekonomike dhe investimet të ndodhin në sektorin publik duke anashkaluar sektorin privat.
Këtu te ne është e kundërta; nga sektori privat tentojnë të futen në sektorin publik.

“Në të gjitha vendet e zhvilluara, sektori privat është një ndër sektorët më të rëndësishëm dhe më të interesuarit janë që të futen në sektorin privat për punësim. Do të thotë, fluksi më i madh është nga sektori publik, duke ecur në sektorin privat”.

“Këtu te ne është e kundërta; nga sektori privat tentojnë të futen në sektorin publik. Kjo ndodh për arsye se në sektorin publik, punëkërkuesit janë të interesuar të kenë një vend pune të sigurt. Do të thotë kjo tregon se sektori privat në Kosovë ka sfida”
,thotë Shahini.

Ndërkaq, Muhamet Sadiku, ekspert për çështje ekonomike, thotë se autoritetet kompetente pas vitit 1999 kanë shpresuar se sektori privat do të fuqizohet dhe do të kontribuojë në rritjen e numrit të të punësuarve.

Por, zhvillimet e deritashme, thekson Sadiku, kanë treguar se sektori privat nuk ka përjetuar zhvillim të tillë dhe as që ka pasur ndonjë ndikim pozitiv në jetën ekonomike dhe sociale në Kosovë.

“Sigurisht që ka arsye të mëdha, që sektori privat është në nivel të tillë të zhvillimit. Së pari kanë munguar efektet e privatizimit. Dihet se privatizimi në Kosovë është realizuar në rrethana tejet të vështira”.

“Pastaj, kemi vështirësi të mëdha në funksionimin e ndërmarrjeve ekzistuese private. Kemi një sistem me kosto të lartë të financimit, kredia në Kosovë është me kosto të lartë dhe kjo është pengesë e madhe për forcimin e aftësisë konkurruese të ndërmarrjeve private”
, vlerëson Sadiku.

Eksperti Muhamet Sadiku konsideron se hartimi i një strategjie për zhvillim ekonomik do të ndikonte në krijimin e një mjedisi më të përshtatshëm biznesor që forcon sektorin privat, krijon hapësirë për hapjen e ndërmarrjeve të reja, kurse fuqizon ato ekzistueset.
Sigurisht, që fati i zhvillimit ekonomik të Kosovës, në periudhën e ardhshme varet nga fuqizimi i sektorit privat.

“Sigurisht, që fati i zhvillimit ekonomik të Kosovës, në periudhën e ardhshme varet nga fuqizimi i sektorit privat. Është koha e fundit që të gjitha energjitë edhe politike, profesionale dhe shkencore të orientohen në formulimin e një strategjie të qartë, me qëllim që ky sektor të fuqizohet”.

“Nga fuqizimi i sektorit privat, varet se sa do të bëhet Kosova një shtet i ekonomisë së tregut dhe sa do të bëhet shtet i fuqishëm demokratik”,
thekson Sadiku.

Edhe Agim Shahini nga komuniteti i biznesit privat, thotë se ekzekutivi i vendit duhet të përgatisë një strategji, e cila fokusohet te sektori privat.

“Për këtë duhet një strategji. Strategjia për zhvillim ekonomik të Kosovës duhet të fokusohet në sektorin privat. Sektori privat duhet t’i ketë dyert e hapura, duhet të mos punojë në stres të konkurrencës jo fer, në stres të politikave dhe bankave që kanë një interes të lartë, dhe ata nuk mund të jenë konkurrentë me produktet e veta në rajon” konsideron Shahini.

Në anën tjetër, përfaqësues të Qeverisë, vazhdimisht kanë potencuar përpjekjet për mbështetjen e sektorit privat në vend dhe vazhdimisht e kanë cilësuar këtë sektor si promotor të zhvillimit ekonomik.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG