Ndërlidhjet

Rreth 1000 biznese falimentojnë


Dyqan me ulje çmimesh në Prishtinë
Dyqan me ulje çmimesh në Prishtinë
Në Kosovë, vetëm gjatë vitit 2011, kanë falimentuar rreth 1000 biznese, bëjnë të ditur zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Arsyet e shuarjes së këtyre bizneseve, sipas tyre, nuk dihen. Por, ekspertë të çështjeve ekonomike thonë se shkaktarët kryesorë mbeten mungesa e qasjes në kapital dhe infrastruktura ligjore e parregulluar mirë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Arta Istrefi, jep më shumë hollësi:
Në vitin 2011 kanë qenë të regjistruara 7809 kompani, kanë falimentuar 959 dhe kanë ndryshuar statusin 4697 kompani.

“Në vitin 2011 kanë qenë të regjistruara 7809 kompani, kanë falimentuar 959 dhe kanë ndryshuar statusin 4697 kompani. Këto janë të dhëna të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e bizneseve që vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë”.

Por, arsyet e falimentimit të këtyre bizneseve, zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë thonë se nuk dihen. Megjithatë, Arta Istrefi thekson se ankesat e bizneseve janë të shumta.

“Arsyet, zakonisht, nuk i shpallin dhe nuk i prezantojnë në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, sepse këtu janë vetëm ‘databazat’, ku merren prej kompanive, të cilat regjistrohen, ose ndryshojnë statusin, apo dhe falimentojnë. Ka ankesa të shumta, por nuk ka ndonjë specifikë të caktuar për shuarjen e këtyre bizneseve”, thekson Istrefi.

Në anën tjetër, pronarë të bizneseve të falimentuara, të kontaktuar kohë më parë nga Radio Evropa e Lirë, kishin theksuar se kanë shuar bizneset e tyre, për shkak të ngarkesave të larta tatimore dhe rënies së fuqisë blerëse. Ata kishin thënë se institucionet e Kosovës nuk po krijojnë kushte për të zhvilluar aktivitetin e tyre.

E, njohësit e çështjeve ekonomike, fajin për shuarjen e bizneseve, ua hedhin edhe vetë pronarëve. Milazim Abazi, ekspert i çështjeve ekonomike, thotë se arsyet janë të shumta, por një prej tyre është edhe mungesa e menaxhimit të mirëfilltë të bizneseve.
Në rend të parë, është mungesa e menaxhimit të mirëfilltë të ndërmarrjeve.

“Në rend të parë, është mungesa e menaxhimit të mirëfilltë të ndërmarrjeve. Në shumicën e ndërmarrjeve kosovare menaxhimi bëhet nga vetë pronarët e bizneseve, e që është gabim, pasi pronarët e bizneseve duhet të caktojnë menaxher profesional në udhëheqje, pastaj qasja në financim është e vështirësuar ”, vlerëson Abazi.

Sipas Abazit, në falimentimin e bizneseve ndikon edhe mosfunksionimi i organeve të drejtësisë, përkatësisht mosfunksionimi i gjykatave dhe kadastrave.

Ndryshe, ekspertët për çështje ekonomike thonë se shuarja e rreth 1000 bizneseve brenda një viti, duhet të jetë sinjal alarmues për institucionet kosovare, në mënyrë që të ndërmarrin hapa konkretë për ta përkrahur sektorin privat. Ata shprehin shqetësimet e tyre për faktin se me shuarjen e bizneseve, po shuhen shumë vende të punës, çka rrjedhimisht ndikon edhe në rritjen e shkallës së varfërisë në vend.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG