Ndërlidhjet

Kosova pëson nga kriza ekonomike në Eurozonë


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Të dhënat statistikore të Bashkimit Evropian, në të cilat thuhet se në tre muajt e parë të vitit 2013 ka shënuar rënie rritja ekonomike në vendet e Eurozonës, ka ngritur shqetësime edhe në Kosovë.

Ekspertë të çështjeve ekonomike thonë se kjo rënie e rritjes ekonomike në Eurozonë, do të ketë efekte negative në ekonominë e Kosovës.

Kriza ekonomike e vendeve të Eurozonës do të reflektohet në rënien e dërgesave të emigrantëve kosovarë, në rënien e eksportit dhe investimeve të huaja të drejtpërdrejta në Kosovë. Dhe, si rrjedhojë e këtyre elementeve, do të ketë rënie të rritjes ekonomike edhe në Kosovë.

Profesori i ekonomisë, Musa Limani, i tha Radios Evropa e Lirë se Kosova ka qarkullim të mallrave dhe shërbimeve me 27 vendet e Bashkimit Evropian, si në eksport, ashtu edhe në import dhe çdo ndryshim në ecuritë ekonomike të këtyre vendeve, do të ketë reflektim edhe në Kosovë.

“Ecuritë ekonomike në vendet tjera, e në veçanti në rajon dhe në Evropë kanë ndikim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në rrjedhat ekonomike të Kosovës. Në kohën bashkëkohore mund të them se proceset ekonomike janë shumë të theksuara dhe ndikojnë në mënyrë reciproke te vendet që kanë marrëdhënie ekonomike. Prandaj, ekonomia jonë, përveç faktorit të brendshëm, varet shumë edhe nga faktorët e jashtëm”, thotë Limani.

Ndryshe, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka parashikuar që Kosovë, në vitin 2013, të ketë rritje ekonomike jo më të lartë se 3 për qind.

Por, sidoqoftë, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, Kosova gjatë tre vjetëve të fundit ka shënuar rritje më të lartë ekonomike se sa parashikimet e FMN-së për vitin 2013.

Gjatë tre vjetëve të fundit, ekonomia e Kosovës kishte përmbyllur vitet me rritje ekonomike mbi 4 për qind.

Për vitin 2013 parashikimet për rritje ekonomike në Kosovë, sipas profesor Limanit, janë 2 deri në 2.5 për qind.

Duke pasur parasysh rënien e investimeve direkte të huaja, mund të them se dinamika e zhvillimit ekonomik në Kosovë, sipas vlerësimit tim mund të jetë 2 deri në 2.5 për qind, për arsye se të gjitha këto elemente negative që mund t’i ketë Kosova si reflektim i krizës në eurozonë shprehen drejtpërdrejt në dinamikën e zhvillimit ekonomik në vend”, shton Limani.

Për rënien e rritjes ekonomike në vendet e Eurozonë, flasin edhe përfaqësuesit e bizneseve.

Kryetari i Aleancës Kosovare e Biznesit, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se ekonomia e Kosovës do të shënojë rënie si pasojë e këtyre trendëve negativ ekonomike te vendet e Eurozonës.
Kosova tashmë është duke përjetuar krizën...

“Kosova tashmë është duke përjetuar krizën, pasi që edhe në Kosovë kemi rënie të investimeve të huaja rreth 40 për qind. Kjo do të thotë se investitorët e huaj në Kosovë po mungojnë për arsye të krizave që ata i kanë në vendet e tyre”, thekson Shahini.

Ndryshe, sipas statistikave të Bashkimit Evropian bëhet e ditur se prodhimi i brendshëm bruto i vendeve të Eurozonës në tre muajt e parë të vitit 2013, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, është ulur me 1.1 për qind.

Ndërkohë, rritja ekonomike e 27 vendeve të BE-së, gjatë kësaj periudhe në krahasim me tremujorin e fundit të vitit 2012, ka pësuar një rënie prej 0.1 për qind, ndërsa në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2012, është ulur me 0.7 për qind.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG