Ndërlidhjet

Kriza ekonomike në Evropë, transferohet edhe në Kosovë


Ilustrim
Ilustrim


Rritet pakënaqësia e qytetarëve kosovarë sa i përket orientimit ekonomik. Kështu thuhet në anketën e fundit të publikuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Prishtinë (UNDP), i quajtur Pulsi Publik.

Sipas kësaj ankete të realizuar në fund të muajit mars dhe në fillim të muajit prill, rezulton se 74 për qind e të anketuarve janë të pakënaqur me drejtimin aktual ekonomik, ndërsa vetëm 6 për qind janë të kënaqur ose shumë të kënaqur.

Se gjendja ekonomike është shumë e vështirë, konsiderojnë edhe ekspertë për çështje ekonomike. Sipas tyre, rënie të aktiviteteve ekonomike ka në shumicën e vendeve të Evropës.

Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se edhe në Kosovë gjatë këtij viti po vërehet një thellim i krizës ekonomike dhe financiare, që sipas tij, është rezultat i mungesës së investimeve të huaja dhe nivelit të lartë të importit dhe shkallës së ulët të eksportit.

“Problemi nuk është vetëm në ekonominë e Kosovës, tashmë kemi atë reflektimin e krizës evropiane dhe botërore në Kosovë dhe problemi mund të thellohet. Posaçërisht, unë u frikohem shqetësimeve apo problemeve sociale, të cilat mund të paraqiten për shkak të shkallës së lartë të papunësisë”, thotë Bektashi.

Shqetësimet sa i përket aktiviteteve ekonomike, nuk janë vetëm për Kosovën, por ka edhe në rajon dhe Evropë, thotë edhe eksperti tjetër i Ekonomisë, Naim Gashi.

Ai thotë se në këtë kohë, në shumë vende të Evropës, ka rënie ekonomike, shkurtim të vendeve të punës, probleme këto nga të cilat, nuk mund të anashkalohet as Republika e Kosovës.

“Në vitet e fundit, përveç problemeve ekonomike, me të cilat përballen qytetarët, është edhe mungesa e procesit të liberalizimit të vizave. Ne jemi qytetarët e vetëm në Ballkan që kemi regjim të vizave ndaj Bashkimit Evropian. Kjo ka ndikuar në përkeqësimin e kënaqshmërisë së qytetarëve ndaj proceseve politike, ekonomike dhe të tjera”, konsideron Gashi.

Ndryshe, në anketën e UNDP-së, përgjegjësinë për gjendjen e tashme ekonomike në vend, qytetarët ia atribuojnë Qeverisë së Kosovës.

Por, Naim Gashi thotë se përveç autoriteteve qeveritare, përgjegjës është edhe komuniteti i biznesit.
Unë mendoj se fajtor individual në këtë aspekt nuk ka, të gjithë janë nga pak...

“Unë mendoj se fajtor individual në këtë aspekt nuk ka, të gjithë janë nga pak, edhe bizneset, Qeveria, komunat, por edhe donatorë ndërkombëtarë dhe mbështetës të Kosovës, për arsye se kanë disa obligime të dhëna, sa i përket Kosovës dhe duhet t’u përmbahen. E, ato janë hapja e një perspektive ekonomike, politike dhe integruese për Kosovën në raport me Bashkimin Evropian”, thekson Gashi.

Përveç problemeve ekonomike, prania e korrupsionit, papunësia dhe pasiguria
brengosin kosovarët, thuhet në anketën e UNDP-së.

Anketa është zhvilluar me 1290 qytetarë të Kosovës, të të dyja gjinive dhe në të gjitha komunat e Kosovëa. Mostra ka përfshirë 832 shqiptarë, 230 serbë dhe 228 pjesëtarë të komuniteteve tjera që jetojnë në Kosovë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG