Ndërlidhjet

“Mrekullia” e rritjes së punësimit


Kosovë...
Kosovë...
Në Kosovë nuk ka ulje të shkallës së papunësisë, ashtu siç ka deklaruar se fundi Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), konsiderojnë njohës të çështjeve ekonomike.

Sipas tyre, shifrat për papunësi mund të ndryshojnë nga viti në vit, por që viteve të fundit nuk ka pasur ndonjë indikacion që siguron rritjen e punësimit në vend.

Ibrahim Rexhepi, udhëheqës i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale "STRAS", thotë se të dhënat e fundit të ASK-së burojnë nga një anketë e zhvilluar me mbi 10 mijë persona, anketë kjo, e cila po shfrytëzohet për efekte mediale dhe për të krijuar disponim të rrejshëm në opinion.

Ai madje thotë se anketa nuk tregon se në cilat fusha janë punësuar këta persona, dhe njëherazi, sipas tij, anketa është zhvilluar thuajse në periudhën e njëjtë kur ka ndodhur regjistrimi i popullsisë.

Nuk ka ulje, dhe a ulje nuk del as nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. ASK-ja ka folur për një anketë të cilën e ka bërë, por ajo tashmë këtë po përdor për efekte mediale, apo për të krijuar një disponim të rrejshëm në opinion".

"Sepse gjendja reale për papunësinë në Kosovë del nga të dhënat e regjistrimit të popullsisë. Fjala është për një anketë e cila për mostër ka një numër shumë kufizuar të njerëzve dhe jo të trajtojë gjendjen e përgjithshme në Kosovë”, thotë Rexhepi.

Ndryshe, nga rezultatet e përgjithshme të popullsisë, që janë publikuar në shtator të vitit të kaluar, thuhet se papunësia në Kosovë është 44.9 për qind.

Ndërkaq, në bazë të anketës së fuqisë punëtorë për gjashtëmujorin e parë të vitit 2012, të publikuar të martën nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, thuhet se niveli i papunësisë në Kosovë ka rënë për 10 për qind, apo në 35.1 për qind në krahasim me rezultatet e anketës së ngjashme të vitit 2009.

Eksperti tjetër i ekonomisë, Ismail Kastrati, dyshon se në Kosovë ka ulje të papunësisë nga 45 në 35 për qind, ashtu siç pretendon ASK-ja.

Kastrati, e quan “mrekulli” rënien e shkallës se papunësisë në Kosovë, kur vendet e ndryshme të Evropës ballafaqohen më rritje të numrit të të papunëve.

“Pikërisht, këto të dhëna për numrin e të punësuarve, janë të pabesueshme. Në këtë kohë kur në eurozone kemi rritje rapide të numrit të të papunëve, autoritete kosovare dalin me rezultate se nga viti 2009, kemi zbritur numrin e të papunëve për 10 për qind, është një “mrekulli”. Por, një mrekulli që mund të kontestohet çdo ditë”, shprehet Kastrati.

Përfaqësues të komunitetit të biznesit, ndërkaq dëshirojnë që ulja e nivelit të papunësisë të jetë 10 për qind, por sipas tyre, në realitet është vështirë e realizueshme.

Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, e quan shifër ambicioze, por e cila duhet të bazohet në fakte.

Ai ndërkaq, vlerëson se për të nxjerrë rezultatin e anketës, duhet të analizohen pyetjet e parashtruara, sepse në këtë mënyrë kuptohet se çfarë kahje kanë dashur t’i japin anketës.

Megjithatë, Shahini tregon se gjatë “Bursës së Punësimit” projekt ky që realizohet për çdo vit në Kosovë, me vështirësi arrihet të punësohen deri në 500 punëkërkues.

“Agjencia e Statistikave të Kosovë duhet të ketë të bazuara dhe të argumentuara mirë këto shifra, sepse është një institucion kredibil dhe kredibiliteti nuk duhet t’i humb për gabime teknike, qoftë pretendime politike apo për të ngritur imazhin në mënyrë artificiale. Është dashur të ketë analiza të thukëta për secilin sektor dhe më secilin vend të punës, ku janë punësuar ata persona
”, konsideron Shahini.

Edhe disa parti opozitare në Kosovë tashmë kanë deklaruar se nuk i besojnë shifrave të Agjencisë se Statistikave të Kosovës për rënie të shkallës se papunësisë.

Por, udhëheqës të Bankës Botërore në Kosovë, gjatë prezantimit të anketës, kanë thënë se rezultate janë të nivelit të besueshëm.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG