Ndërlidhjet

Privatizimi që dëmtoi shtetin


PTK-ja e cila u privatizua së fundmi...
PTK-ja e cila u privatizua së fundmi...

Në këtë vit bëhet një dekadë që kur ka filluar procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë. Gjatë një dekade, janë privatizuar shumë ndërmarrje. Por, efektet e privatizimit nuk ishin shumë pozitive dhe ky proces kishte rezultuar me shkurtime të vendeve të punës.

Kështu, së paku, e vlerësojnë këtë proces, organizatat ekonomike në Kosovë dhe përfaqësues të punëtorëve.

Sipas të dhënave të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, gjatë kësaj periudhe janë privatizuar mbi 1,000 ndërmarrje, prej të cilave mbi 700 janë privatizuar me metodën e spin off-it dhe rreth 300 kontrata të privatizimit janë nga shitja e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore.

Nga privatizimet dhe shitja e këtyre aseteve, deri më tani janë mbledhur mbi 613 milionë euro.

Ndërkaq, nga ndërmarrjet publike, Qeveria e Kosovë, deri tani ka bërë privatizimin e distribucionit të furnizimit me energji elektrike dhe Postë - Telekomin e Kosovës.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë rreth këtij procesi kishte bërë disa hulumtime. Drejtori Ekzekutiv i OEAK-ut, Arian Zeka, thotë se nëse merret parasysh numri i ndërmarrjeve të privatizimit ku investitorët e rinj kanë arritur të investojnë në to dhe të ndikojnë në ekonomin e Kosovës, janë shumë të pakta.

“Nëse ndalemi të analizojmë si ka shkuar procesi në fillim, atëherë ka pasur jashtëzakonisht të meta me mungesë të madhe të legjislacionit, natyrisht edhe me obstruksionet e ndryshme politike nga ata, të cilët në atë kohë e kanë drejtuar procesin që ka qenë shtylla e IV e UNMIK-ut, në kuadër të së cilës ka funksionuar edhe Agjencia e Mirëbesimit”, thotë Zeka.

Procesi i privatizimit deri në muajin prill të vitit 2008, është mbikëqyrur nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, ndërkaq, pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kompetencat kanë kaluar në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, vazhdimisht e kishte kundërshtuar procesin e privatizimit.

Hasan Abazi, kryetar i Sindikatave Industriale të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se procesi i privatizimit të ndërmarrjeve, si shoqërore, ashtu edhe atyre publike, nuk ka qenë i orientuar drejt krijimit të vendeve të punës, por më shumë drejt mbledhjes së mjeteve të privatizimit, gjë që, sipas tij, ka qenë elementi kryesor që ka ndikuar negativisht në këtë proces.

“Kemi pritur që me privatizim do të vinte një rimëkëmbje e ekonomisë, por për fat të keq këto ëndrra të shoqërisë kosovare nuk u bënë realitet dhe privatizimi, i cili ishte bërë, si nga AKM-ja, ashtu edhe nga AKP-ja, ka dështuar dhe është degraduar komplet ekonomia e Kosovës, si nga ana e punësimit, si nga rritja e kapaciteteve ekonomike”, shprehet Abazi.

Në procesin e privatizimit kanë kaluar edhe shumë vende të rajonit. Por, krahasuar me vendet e rajonit, të cilat po ashtu kanë kaluar në një proces të privatizimit, Kosova, thekson Zeka, qëndron shumë më keq, për faktin se investitorët, të cilët privatizonin këto ndërmarrje, nuk ishin shumë të suksesshëm krahasuar me rajonin.

Një problem tjetër, po ashtu, që e bënte Kosovën të ketë një proces të privatizimit me efekte më pak të kënaqshme se vendet e rajonit, shton Zeka, ishin edhe problemet politike që e përcillnin vendin.

“Në momentin kur janë privatizuar këto ndërmarrje, kemi pasur probleme tjera, duke përfshirë këtu edhe problemet politike, në radhë ta parë probleme të statusit. Nuk e kemi pasur të shpallur pavarësinë dhe ky është një problem dhe çka e përkeqëson rastin e Kosovës kundrejt vendeve të rajonit”, vlerëson Zeka.

Edhe Hasan Abazi nga Sindikata e industrialistëve thotë se të gjitha shtetet, të cilat kanë kaluar në këtë proces të privatizimit, kanë kaluar më mirë se Kosova.

“Përvojat e këtyre shteteve nuk kanë hyrë në Kosovë, në veçanti e Sllovenisë si proces i suksesshëm nuk është aplikuar te ne. Këtu, në Kosovë, privatizimi ka shkuar në favor të njerëzve në pushtet. Nëse në vendet e rajonit procesi i privatizimit ka ndikuar në zhvillim ekonomik dhe zbutje të papunësisë, në Kosovë ka ndodhur e kundërta”, shton Abazi.

Zyrtarë të AKP-së, ndërkaq, vazhdimisht e kishin cilësuar procesin e privatizimit të suksesshëm.

Procesi i privatizimit të ndërmarrjeve në Kosovë pritet të përfundojë brenda një periudhe pesë vjeçare, ndërsa sa i përket përmbylljes së tërë procesit, agjencia është e varur nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, që, sipas ligjit, ka juridiksion mbi AKP-në.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG