Ndërlidhjet

Oferta për PTK-në, 277 milionë euro


PTK
PTK
Komisioni Qeveritar për Privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës ka shpallur ofertën financiare të kompanisë gjermane "AXOS- capital”, në konsorcium me “Najafi Companies LLC", dhe me partnerët e saj si ofertën më të mirë për shitjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së.

Ky konsorcium ka ofruar 277 milionë euro për PTK-në. Duhet cekur që kjo kompani ka kërkuar që në rastin e blerjes së këtij 75 përqindëshi të aksioneve, të ketë para të gatshme 35 milionë euro.

Derisa kompania tjetër, e cila ishte në garë “M1 International”, ka ofruar vetëm 150 milionë e 10 mijë euro.

Oferta financiare e kompanisë "AXOS- capital”, në konsorcium me “Najafi Companies LLC”, do t’i dërgohet Qeverisë së Kosovës, e cila më pas do të vendosë për aprovim apo jo.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ka bërë të ditur se në këtë garë kanë qenë kompani mjaft të përgjegjshme dhe, sipas tij, është një tregim i mirë për ekonominë e vendit, pasi që në këtë krizë ekonomike, Kosovës po i kthehet besimi nga investitorë, të cilët po besojnë në ligjet dhe në të ardhmen e Kosovës.

“Si komision, kemi pasur dje një takim pasdite dhe kemi marrë në dijeni raportin e Komisionit të vlerësimit, raportin e këshilltarit të transaksionit, raportin e këshilltarit strategjik, të cilët kanë konfirmuar që të dy kompanitë kanë ofruar oferta të përgjegjshme dhe vlerësimi ligjor dhe teknik është bërë pa asnjë vërejtje”, ka thënë Beqaj.

Ministri Beqaj, procesin e privatizimit të PTK-së, e ka vlerësuar transparent dhe në harmoni me ligjin. Ai ka siguruar se statusi i të gjithë të punësuarve mbetet i pandryshuar për tre vjetët e ardhshëm.

"Axos Capital Partners" është shoqëri aksionare investuese e investitorëve ndërkombëtarë të teknologjisë dhe telekomit. "Axos Capital" është me bazë në Hamburg, Gjermani.

"Najafi Companies LLC" është një firmë private ndërkombëtare e investimeve me bazë në Phoenix, Arizona (SHBA) dhe me zyra në Nju Jork, Paris, Toronto. "Najafi Companies LLC" ka investime në sektorët e medias, teknologjisë, energjisë, industri dhe pasurive të patundshme në SHBA, në Evropë dhe vende të tjera të botës.

PTK-ja është një prej kompanive më fitimprurëse publike në Kosovë, e cila për çdo vit i ka sjellë buxhetit të Kosovës të hyra prej 40 milionë eurosh. Vetëm në vitin 2009, Qeveria e Kosovës me një vendim, i ka marrë rreth 180 milionë euro të hyra të grumbulluara për disa vjet në Postë-Telekomin e Kosovës.

Privatizimi i PTK-së deri më tani ka kaluar në disa procese. Fillimisht në vitin 2010 në Kuvendin e Kosovës ishin ngritur reagime për dhe kundër privatizimit.

Ndërkaq, që nga fillimi i procesit të Privatizimit të Postë-Telekomit të Kosovës, i cili kishte filluar në vitin 2009, e deri më tani, Qeveria e Kosovës ka shpenzuar afër 8 milionë euro për këshilltarë të transaksionit dhe për këshilltarë strategjikë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG