Ndërlidhjet

PTK-ja privatizohet shpejt


PTK
PTK
Më gjithë faktin se Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së ka zgjatur prapë afatin për dorëzimin e ofertave për kompanitë e parakualifikuara deri më 31 janar të këtij viti, interesimi i investitorëve potencialë për privatizimin e kësaj kompanie mbetet i lartë, thonë autoritetet kompetente.

Arsim Bruçaj, menaxher i njësisë për implementimin e projektit, në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, konsideron se me gjithë zgjatjen e afatit, gjatë tre mujorit të parë të këtij viti pritet të përfundojë procesi i privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Ai madje shprehet se nuk ka shqetësim për shtyrje apo pezullim të mëtutjeshëm të privatizimit të kësaj kompanie.

Interesimi i investitorëve mbetet i lartë. Pra nuk besoj se do të ketë ndonjë shqetësim në raport më interesimin e investitorëve. Interesimi i investitorëve mbetet ende i lartë. Deri më tani gjithçka po shkon sipas dinamikës së paraparë, nuk ka ndonjë shqetësim që rrezikon procesin apo shtyrjen. Kështu që i tërë procesi pritet të përfundojë brenda këtij tre mujori”, tha Bruçaj.

Përveç pesë kompanive të para kualifikuara vitin e kaluar, Bruçaj nuk tregon se a ka ndonjë kompani tjetër në këtë proces.

Procesi ka shkuar në dy faza, faza e parë ka të bëjë më para kualifikimin. Ata investitorë të cilët janë para kualifikuar, si liderë them, ata kanë të drejtë të marrin pjesë në fazën e dytë të garës”, shprehet Bruçaj.

Në anën tjetër, njohës të çështjeve ekonomike vazhdimisht kanë kritikuar mënyrën e procesit të privatizimit të PTK-së.

Edhe tash ata nuk besojnë se autoritete kompetente kanë bërë përgatitjet e nevojshme që procesi i privatizimit të kompanisë thuajse më profitabile në vend do të sjellë dobi për vendin.

Muhamet Sadiku, ekspert për çështje ekonomike, thekson se procesi i privatizimit të PTK-së, edhe gjatë këtij viti do të mbetet sfidues për autoritetet kompetente.

Bazuar në atë që ka ndodhur në përpjekje për të privatizuar asetet publike, e posaçërisht atë të Post Telekomit të Kosovës, atëherë ky proces mbetet sfidues për Kosovën. Proces i cili vështirë do të përfundojë sipas pritjeve, proces ky që është përballë me tensione, reagime të shumta dhe proces që është shkuar në mungesë të një transparence dhe të një komunikimi në shoqëri”.

Rreth privatizimit të PTK-së duhet të pranohet definitivisht se në shoqërinë kosovare nuk ekziston një koncensues i pranueshëm prandaj kjo çështje sfiduese do të përcjellë edhe në të ardhmen këtë proces.”

Sadiku, madje nuk shpreson se PTK-ja mund të privatizohet gjatë tre mujorit të parë të këtij viti.

Vërtet është vështirë të thuhet se a do të privatizohet PTK-ja në këtë vit, këtë duhet vënë në kontekstin e zhvillimeve politike dhe makroekonomike të cilat ndodhin në Kosovë. Këtë në veçanti duhet vënë në kontekst në mjedisin biznesor i cili ekziston në Kosovë”.

Kjo periudhë tregon se Kosova ende nuk është bërë mjedis miqësor për investime dhe ende nuk është bërë treg atraktiv për hyrjen e investitorëve strategjik. Ky proces do të jetë i sfiduar, ne do të dëshironim që PTK-ja të shitet në rrethana të një stabiliteti politik, në rrethana të një konsensusi të pranueshëm për shoqërinë dhe në rrethana të një komunikimi më grupet e interesit të shoqërisë”, thotë Sadiku.

Qeveria e Kosovës në vitin 2008 ka vendosur që të fillojë procesin e privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës. Por, problemet e shumta që përcjellën procesin disa herë pezulluan dhe shtyen shitjen e PTK-se.

Por, pavarësisht kësaj autoritet kompetente sigurojnë që procesi do të jetë transparentë, ndërsa blerësi potencial, sipas tyre, obligohet që kompaninë ta zhvillojë dhe të përmirësojë edhe më tutje shërbimet e ofruara për qytetarë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG