Ndërlidhjet

Privatizimi dhe projektet kapitale


Ilustrim
Ilustrim
Privatizimi i ndërmarrjeve publike në Kosovë, sipas autoriteteve në vend, nuk ndikon në realizimin apo fillimin e projekteve kapitale.

Në buxhetin e vitit 2013, buxhet ky i cili është miratuar nga Qeveria e Kosovës, është futur ndërtimi i autostradës Prishtinë - Hani i Elezit.

Zëdhënësi në Ministrinë e Financave, Menderes Ibra, thotë për Radion Evropa e Lirë se çështja e privatizimit të ndërmarrjeve publike, siç është Postë-Telekomi i Kosovës, nuk ndikon në realizmin e projekteve të parapara në buxhetin e vitit 2013.

“Sa i përket fillimit të nisjes së punëve të autostradës Prishtinë - Hani i Elezit, është e ndërlidhur me një gjendje të caktuar financiare me bilancin bankar të vendit dhe kjo nuk ndërlidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me privatizimin apo jo të Postë-Telekomit të Kosovës”, thotë Ibra.

Për autostradën e re Prishtinë - Hani i Elezit, është bërë e ditur se nga buxheti i viti 2013, i cili kap shumën 1 miliardë e 586 milion euro, fillimisht janë ndarë 30 milionë euro.

Projekti për realizimin e autostradës Prishtinë-Han i Elezit është prezantuar në vitin 2010. Sipas projektit të prezantuar, autostrada do të ndërtohet në një trase tërësisht të re, me gjatësi prej 55 kilometrash.

Autostrada do të ketë dy tunele, ndërsa më i gjati do të jetë ai i Kaçanikut, me 2. 2 kilometra.

Shpejtësia maksimale në autostradë, sipas projektit, do të jetë 120 kilometra në orë.

Megjithatë, njohës të çështjeve ekonomike thonë në vazhdimësi se projektet kapitale të Kosovës, të cilat futen në buxhetin e vitit përkatës, ndërlidhen me shitjen e ndërmarrjeve publike.

Agron Demi, nga Instituti për Studime të Avancuara, (GAP), jem më shumë hollësi:

“Ajo çka ne e kundërshtojmë është se investimet kapitale, sidomos në rrugë, po lidhen me shitjen e ndërmarrjeve publike. Shitja e ndërmarrjeve publike, të cilat janë profitabile siç është PTK-ja, po bëhet me qëllim të investimeve në rrugë, të cilat edhe sipas vetë vlerësimeve të Qeverisë së Kosovës, janë treguar se nuk po sjellin zhvillim ekonomik dhe punësim”.

Privatizimi i PTK-së ka kaluar në disa procese. Fillimisht në vitin 2010 në Kuvendin e Kosovës ishin ngritur reagime pro dhe kundër privatizimit. Me rastin e miratimit të strategjisë për privatizimin e ndërmarrjes, partitë në pushtet votuan pro shitjes, ndërsa opozita kundër.

Më pas ishte hapur një proces për privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës , por procesi qe mbyllur në tetor të vitit 2011, pasi që nga konkurrenca u tërhoq Telekomi kroat.

Aktualisht, në garë për Privatizimit e PTK-së janë disa kompani, dhe autoritetet e Kosovës kohë më parë kanë bërë të ditur se brenda këtij viti, do të shpallet kompania fituese për privatizimin e kësaj ndërmarrjeje.

Agron Demi thekson se nëse nuk do të mund të shitet PTK-ja ashtu siç edhe janë planifikimet e Qeverisë së Kosovës, nuk do të mund të realizohet ndërtimi i autostradës Prishtinë - Han i Elezit.

“Edhe në buxhetet e viteve të kaluara 2012, 2011, 2010 Qeveria e Kosovës i ka shfrytëzuar investimet kapitale si një aspekt në rast se mungojnë të hyrat e mjaftueshme vetanake, ose në rast se buxheti i Kosovës është në rrezik, atëherë Qeveria e Kosovës i ka anuluar shumicën e projekteve kapitale, dhe që nga viti 2010 kemi bartje të projekteve nga viti në vit, pasi që Qeveria ka konstatuar se nuk ka mjete të mjaftueshme. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me autostradën Prishtinë – Han i Elezit”, thekson Demi për Radion Evropa e Lirë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG