Ndërlidhjet

Amullia rreth PTK-së


Postë-Telekomi i Kosovës
Postë-Telekomi i Kosovës
Qeveria e Kosovës vazhdon t’u bëjë thirrje pesë kompanive të para të kualifikuara, që të marrin pjesë në garë për blerjen e 75 për qind të aksioneve të Postë-Telekomit të Kosovës.

Përderisa Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i mbështetur edhe nga disa dhjetëra organizata joqeveritare javën e kaluar ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për peticion kundër privatizimit të kësaj ndërmarrjeje publike.

Lidhur me këtë, njohësit e rrethanave ekonomike konsiderojnë se është krijuar një amulli rreth privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv në Institutin “ Riinvest”, thotë se ideja e privatizimit është e mirë, por jo mënyra e privatizimit, pasi sipas tij, ndërmarrjet publike nuk po privatizohen, por po zhvlerësohen.

Abdixhiku vlerëson se për privatizimin e PTK-së kërkohet të gjendet një pajtueshmëri ndërmjet qëndrimeve të Qeverisë dhe palëve të pakënaqura. E, kjo pajtueshmëri, thotë ai, kërkon ndërprerjen e procesit për shkak të shumë parregullsive në këtë kompani.

“Unë besoj se një mes, ndërmjet këtyre dy qëndrimeve do të ishte adekuat. Ky mes do të kërkonte në radhë të parë ndërprerjen e këtij procesi, për shkak të aferave korruptive, për mosshitjen e aseteve pa një përcaktim të pragut minimal, pa përmirësim të imazhit, pa largimin e punëtorëve që janë futur aty me nepotizëm dhe lidhje politike, pa rritjen e investimeve dhe një proces, i cili do të ngrinte vetë vlerën e asetit për ta shitur më pas. Do të thotë, ne gjithsesi duhet të mbrojmë idenë e privatizimit, por jo atë që është duke bërë Kosova tani”, thotë Abdixhiku.

Kriteri i vetëm për kompanitë e parakualifikuara, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, në bazë të të cilit do të përzgjidhet blerësi potencial, do të jetë çmimi më i lartë i ofruar për aksionet që do të shiten.

Por, Abdixhiku thotë se Kosova duhet të përcaktojë një prag minimal dhe mos të pranojë asnjë ofertë nën këtë prag.

“Ne kemi parapërcaktuar çmimin e PTK-së nëpër vite, ju kujtohet vlera prej 300 milionë eurosh, është futur nëpër çdo dokument të mundshëm strategjik të Kosovës. Fatkeqësisht, ky numër është publik dhe investitorët e huaj e kanë parë parapërcaktimin dhe preferencat tona për PTK-në”.

Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku
“Në anën tjetër, shitja për 300 milionë euro, është një shitje mjaft absurde, meqenëse PTK- ja me gjithë këtë menaxhim dhe me këtë amulli, bën një profit vjetor prej 60 milionë eurosh dhe të kthesh investimin për pesë vjet, me të vërtetë është një humbje e madhe për Kosovën dhe profit jashtëzakonisht i madh për çdo investitor të huaj”, vlerëson Abdixhiku.

Ndërkaq, eksperti tjetër i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, thekson se pavarësisht kundërshtimeve të disa organizatave joqeveritare, sindikatave të punëtorëve dhe kohës së papërshtatshme për këtë proces, privatizimi i PTK-së është në interes të ekzekutivit.

Qeveria ka mungesë të mjeteve financiare, thotë ai, dhe me çdo kusht dëshiron të sigurojë të hyra për buxhet.

“Problemi është pse ajo (Qeveria), paraprakisht nuk ka siguruar një konsesus të përgjithshëm, i cili do të lehtësonte procesin, e jo që të shkonte me kundërshtime, madje të fuste dilema edhe tek investitorët e mundshëm”.

“Privatizimi në këto rrethana është bukur i rrezikshëm dhe nuk krijon ambient që këtu të futen investitorë seriozë apo investitorë, të cilët kanë fuqi të madhe për financim”,
shprehet Rexhepi.

Ndryshe, privatizimi i Postë-Telekomit, ka rinisur pas dështimit të këtij procesi vjeshtën e vitit të kaluar.

Procesi qe mbyllur në tetor të vitit 2011, pasi që nga konkurrenca u tërhoq Telekomi kroat, meqë, siç thuhet, menaxherët e Postës dhe Telekomit të Kosovës dyshohen për korrupsion.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG