Ndërlidhjet

Kosova nuk ishte e përgatitur për proces të privatizimit?


PTK
PTK
Korrupsioni në institucionet e Kosovës, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, ka bërë që procesi i privatizimit të ndërmarrjeve publike të ngecë dhe të mos dërgojë sinjal të mirë tek investitorët.

Eksperti i çështjeve ekonomike, njëherazi ish ministër i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet vendore nuk e kanë qenë të përgatitura ashtu si duhet për të hyrë në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve publike në mënyrë të suksesshme.

Ka informacione që shumë operatorë të interesuar për sektorin në vazhdimësi janë paraqitur si të interesuar, por në përgatitje të procedurave në hapa të vazhdimit të përgatitjes për privatizim, janë tërhequr sepse ka pasur elemente që janë ndërlidhur me kërkesa të paligjshme, me kërkesa që në gjuhen më të thjeshtë, po quhen kërkesa korruptive”, thekson Shatri.

Procesi i privatizimit të Postë-Telekomit të Kosovës kishte dështuar vitin e kaluar, dhe këtë vit kanë filluar procedurat e reja.

Autoritetet kosovare kanë deklaruar tashmë se ky privatizim do të kryhet brenda këtij viti.

Eksperti i ekonomisë Haki Shatri, mendon se në këtë proces të ri të privatizimit të PTK-së janë bërë disa hapa pozitivë dhe janë disa veprime që lidhen me përgatitje më serioze, por siç thekson ai, vlera e shitjes dhe vlera e tërheqjes se investimeve është devalvuar.

Sipas tij, kurdo që do të privatizohet kjo ndërmarrje, vlera e saj në treg do të jetë nën realen.

Ndërkohë, ditë në parë, autoritetet kompetente në Prishtinë, kanë shpallur konsorciumin turk Limak& Çalik, ofertuesin e preferuar për Privatizimin e Distribucionin e Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS).

Oferta prej 26.3 milionë eurosh, e ofruar nga ky konsorcium, është shpallur më e mira.

Do të ishte rezultat i mirë nëse konsumatorit të Kosovës do t’i ofrohet një energji elektrike kualitative pa ndërprerje, dhe të eliminoheshin dobësitë të cilat e kanë përcjellë këtë sektor prej 12 vjetësh. Pra, ajo që janë në humbje teknike, humbje nga mospagesa, përfshire faturat e energjisë edhe nga ato regjione, të cilat me vite nuk kanë paguar, e kam fjalën për veri, por edhe për disa regjione tjera të Kosovës”, shprehet Haki Shatri.

Në anën tjetër, profesori i ekonomisë Musa Limani, vlerëson se këto privatizime të këtyre ndërmarrjeve nuk do të duhej të ndodhnin fare.

Nëse procesi i privatizimit në ndërmarrjeve shoqërore të cilat janë privatizuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk kanë treguar sukses, sipas profesor Limanit, nuk do të ishte e nevojshme privatizimi i ndërmarrjeve publike siç është PTK-ja dhe KEDS-i.

Ne kontekst të kësaj mund të them se procesi i privatizimit, ashtu si është realizuar në Kosovë në përgjithësi, qoftë me spin-off apo privatizim tjetër, nuk dha rezultate të pritura. Përkundrazi, efektet janë shume negative, prandaj rezultatet janë në dëm të proceseve ekonomike të Kosovës".

"Andaj, unë mendoj se qeveria duhet ta bëjë një analizë mbi procesin e privatizimit deri më tani, dhe të shoh ku kanë qenë ato të meta, dobësi , zbrazësi dhe çfarë efekte ka dhënë modeli spin-off, dhe në përgjithësi procesi i privatizimit, e mandej të fillojë me privatizimin e ndërmarrjeve publike”, thotë ai.

Profesor Limani është i mendimit që ato ndërmarrje publike, të cilat përformojnë mirë, të mos privatizohen.

Ai thekson se ndërmarrjet të cilat kanë afarizëm pozitiv edhe në vendet e Bashkimit Evropian apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë privatizuar.

Unë mendoj se Qeveria ka punë shumë tjera më me prioritet sa i përket politikave zhvillimore, reformave, hartimit të strategjive të tjera, se sa të merret me ndërmarrjet publike, të cilat momentalisht me sa unë kam njohuri kanë afarizëm pozitiv, prandaj në këtë moment aktual ndoshta nuk do të ishte mirë të ngutemi në këtë drejtim. Por, qeveria i ka edhe arsyet e veta, andaj është vendimmarrëse dhe mund të vendoës si dëshiron”, shprehet Limani.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG