Ndërlidhjet

Joseriozitet në procesin e privatizimit të PTK-së


PTK
PTK
Shtyrja e procesit të privatizimit të Postë-Telekomit të Kosovës nga ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë vlerësohet se po reflekton jo seriozitet tek investitorët potencialë.

Autoritetet e Kosovës, të cilat kishin deklaruar se procesi i privatizimit do të përfundojë këtë vit, të premten, përmes një deklarate për media, njoftuan se kanë zgjatur afatin për dorëzimin e ofertave të investitorëve potencialë për privatizimin e PTK-së, deri më 15 janar të vitit 2013.

Në këtë shtyrje, sipas Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, ka ndikuar interesimi për mbështetje nga institucionet financiare, veçmas pas pranimit të Republikës së Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Lumir Abdixhiku, thotë për Radion Evropa e Lirë se procesi i privatizimit ka filluar pa përgatitje dhe, si i tillë, në vazhdimësi po tregon jo seriozitet.

“Konsideroj se që nga fillimi ky proces ka filluar pa përgatitjet e duhura, dhe për atë kemi pasur shtyrje të njëpasnjëshme. Nuk di se sa ndikojnë shtyrjet e procesit të privatizimit në gjenerimin e ofertave më të mira, por e gjithë kjo tregon joseriozitet”, thotë Abdixhiku.

Kosova ,vlerësojnë ekspertët ekonomikë, nuk po kalon në një periudhë të mirë sa i përket imazhit ekonomik. Ky imazh i keq, sipas tyre, po e zhvlerëson Postë-Telekomin e Kosovës.

Drejtori i Institutit për Hulumtime të Avancuara (GAP), Agron Demi, thotë se në të gjitha proceset e privatizimit të ndërmarrjeve publike, Qeveria e Kosovës ka dështuar dhe nuk ka arritur t’i përfundojë procedurat në afatet e parapara kohore.

“Të gjitha proceset e deritashme në rastin e privatizimit të ndërmarrjeve publike, janë shtyrë dhe nuk janë përmbushur në afatet e parapara kohore. Njëjtë ka ndodhur me distribucionin e KEK-ut dhe me termocentralin ‘Kosova e re’, ashtu po ndodh edhe me PTK-në. Dhe, kjo është për arsyeve se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë përgatitjet e duhura dhe është futur në këtë proces pa përgatitje dhe pa matje të duhur, nëse realisht kompanitë apo tregu është i gatshëm për këto transaksione ekonomike”, thekson Demi.

Privatizimi i PTK-së ka kaluar në disa procese. Fillimisht në vitin 2010 në Kuvendin e Kosovës ishin ngritur reagime për dhe kundër privatizimit. Me rastin e miratimit të strategjisë për privatizimin e ndërmarrjes, partitë në pushtet votuan për shitje, ndërsa opozita votoi kundër.

Më pas ishte hapur një proces për privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës , por procesi qe mbyllur në tetor të vitit 2011, pasi që nga konkurrenca u tërhoq Telekomi kroat me arsyetimin se menaxherët e Postës dhe Telekomit të Kosovës janë të dyshuar për korrupsion.

Aktualisht, në garë për privatizimin e PTK-së janë disa kompani.

Sidoqoftë, ekspertë të ekonomisë, thonë se në vend se të shtyhet ky proces, do të ishte më mirë të ketë ndërprerje të privatizimit.

Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku thotë se deri në marrjen e një vendimi për privatizim është dashur të sigurohet një bazë ligjore rreth privatizimit, të gjendet një kohë më e përshtatshme për ta shitur PTK-në.

“Kosova nuk është se po kalon në një periudhë shumë të mirë sa i përket imazhit ekonomik dhe assesi PTK-ja brenda Kosovës nuk ka treguar një imazh të mirë me ato afera korruptive e nepotizmi”.

“Në anën tjetër, kemi një krizë evropiane, investimet nuk janë në nivelin e duhur, pra momenti i tanishëm nuk është i përshtatshëm për të marrë më shumë para. Jemi në një situatë kur nuk e kemi as ambientin në shtëpi të mirë, nuk e kemi as asetin që dëshirojmë ta shesim të përgatitur mirë, dhe nga kjo nuk përfiton askush”
, vlerëson Abdixhiku.

Ngjashëm shprehet edhe Agron Demi:

“Në vend se të shtyjë privatizimin e PTK-së, Ministria e Zhvillimit Ekonomik do të ishte shumë më mirë të anulojë në tërësi privatizimit e PTK-së për shkak se ato mjete të kërkuara nga shitja e PTK-së, mund të merren nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim përmes kredive të buta”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG