Ndërlidhjet

Opozita: Kush është blerës i PTK-së?


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Privatizimi i Postës dhe Telekomit të Kosovës, ka përplasur sërish pozitën dhe opozitën në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Deputetë nga opozita, procesin e privatizimit e kanë quajtur jotransparent, madje kanë kërkuar nga organet kompetente të dihet se kush saktësisht është blerësi i vërtet i PTK-së, dhe njëherësh të dihet përbërja dhe prejardhja e kapitalit të kompanisë blerëse.

Sipas tyre, privatizimi i Telekomit është në kundërshtim me Ligjin mbi ndërmarrjet publike, ndërsa në Kosovë nuk ka fare ligj për privatizim, nuk ka as ligj për privatizimin e PTK-së.

Në mungesë të bazës ligjore, sipas tyre, PTK-ja është kontrabanduar më ligjin e buxhetit.

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka shprehur shqetësimin se privatizimi i PTK-së, është përcjellë me manipulime dhe , siç është thënë “pazarllëqe” të shumta.

Deputetja Hikmete Bajrami, nga kjo parti, kërkoi të informohet se ku do të shpenzohen 277 milionë eurot, nga shitja e kompanisë më profitabile në vend.

“Nuk dihet se kush janë aksionarët, se cili është qëllimi i privatizimit. Ne kur kemi pyetur zyrtarët e qeverisë, ata nuk kanë asnjë përgjigje se çfarë do të ndodhë me 277 milionë eurot".

"Lihet të kuptohet se kjo shumë do të investohet në asfalt, në vetura luksoze të zyrtarëve të kësaj qeverie, do të investohen në karburante dhe në faturat e telefonit. Dhe kjo vërtet është për tu shqetësuar”, theksoi Bajrami.

Ndërkaq, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shprehur shqetësimin se qeveria jo vetëm që po e shet, por edhe po e blen Telekomin. Sipas tij, nuk dihet se të kujt janë 277 milionë euro.

“Unë dyshoj se kjo qeveri, jo vetëm që po e shet, por edhe po e blen Telekomin. Ose, më saktë, qeveria e shet, disa qeveritarë dhe kryeministri e blejnë. Prandaj, ne ende nuk mund të themi se këtu bëhet fjalë për kurrfarë investimesh të huaja përderisa nuk e dimë se të kujt janë ato 277 milionë euro".

"Ne duhet ta dimë përbërjen dhe prejardhjen e këtij kapitali. Kush pra e ka blerë Telekomin? Të gjithë ata që thonë se nuk ka rëndësi se të kujt janë paratë dhe cila është origjina e tyre, ose nuk shqetësohen edhe nëse Serbia e Rusia janë blerës, ose e dinë se kush janë blerësit e vërtetë, por po i fshehin ata”, tha Kurti.

Në anën tjetër ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ka ripërsëritur se privatizimi i 75 për qind të aksioneve të Postë Telekomit të Kosovës, është bërë në harmoni të plotë me Kushtetutën dhe Ligjet e Republikës se Kosovës.

Ai tha se ky proces ka përfunduar më transparencë të plotë.

“Për privatizuesin, faza e parë, e cila duhet të jetë mbyllja financiare është garancion bankar tre milionë euro, dhe ky garancion do të tërhiqet nëse kompani nuk i plotëson kushtet e dorëzuara sipas procesit të para kualifikimit dhe mjeteve të cilat është dashur të ngiten".

"Ndërsa, nga momenti i nënshkrimit të kontratës deri në dorëzimin e kompanisë, deri në pagesën e parave, garancioni bankar të cilën koto kompani e kanë ofruar është 10 milion euro. Prandaj në rast s kompania nuk ka fuqi financiare për të bërë një pagesë të tillë, atëherë do ti merret garancioni bankar prej 10 milion eurosh”, theksoi Beqaj

Qeveria e Kosovës, të martën, ka miratuar shitjen e Postës dhe Telekomit të Kosovës, te kompania gjermane "AXOS- capital”, në konsorcium me “ Najafi Companies LLC" dhe me partnerët e saj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG