Ndërlidhjet

Përfitimet nga 25% e aksioneve të PTK-së


PTK
PTK
Pas privatizimit të 75 % të aksioneve të Postë Telekomit të Kosovës, ekzekutivit të vendit i kanë mbetur në pronësi 25 për qind të aksioneve.

Zyrtarë qeveritarë bëjnë të ditur se në pronësi qeveritare mbesin të gjitha pronat e paluajtshme të PTK-së, që në gjithë territorin e Kosovës llogariten të jenë mbi 160 objekte.

Arsim Bruçaj, menaxher i njësisë për implementimin e Projektit, për Radion Evropa e Lirë, thotë se më këtë përqindje mundësohet përfaqësimi i një anëtari të qeverisë në Bordin e ardhshëm të Postës, dhe njëherësh blerësi i ri, do të paguajë qira për shfrytëzim të objekteve dhe gjera tjetra rreth 10 milionë euro në vit.

“Duhet theksuar se komisioni sipas autorizimeve të Kuvendit, ka përfunduar privatizimin e 75 për qind të aksioneve të Telekomit. Posta e Kosovës është një etnitet i veçantë dhe në korrik të vitit 2010 është ndarë nga Telekomi, të gjitha pronat e paluajtshme të Postës, dhe për më shumë, Telekomi i paguan të holla për shërbime dhe qira Postës".

"Pra janë shitur 75 për qind të aksioneve të Telekomit dhe Republika e Kosovës, është aksionar më 25 për qind dhe përfaqësohet më një anëtar në bordin e ardhshëm të PTK-së", shprehet Bruçaj.

Ditën e martë, Qeveria e Kosovës zyrtarizoi shitjen e 75 për qind të aksioneve të kësaj kompanie, me çmim prej 277 milionë eurosh.

Kompania gjermane “AXOS- Capital” me konsorcium me “Najafi Companies LLC” tashmë është pronare e PTK-së.

Shitja e 75 për qind të aksioneve ka qenë vazhdimisht kontestuese nga ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të opozitës.

Sipas tyre mbetja e 25 për qind të aksioneve në pronësi të qeverisë sjell përfitime të vogla.

Ibrahim Rexhepi, nga organizata joqeveritare “Stras” konsideron se ka pasur mundësi që në pronësi të qeverisë të mbetet më shumë se një e katërta e aksioneve.

“Në vendet me ekonomi më të zhvilluar, me treg më të avancuar, me konkurrencë shumë të ashpër, kompanitë e telekomunikacionit kanë 50- 51 për qind të aksioneve".

"Mirëpo, arsyetimi i qeverisë ka qenë se asnjë investitorë nuk do të interesohet që të blejë më pak aksione, qeveria ka përdorur këtë filozofi që realisht nuk e ka bindur askënd”, shprehet Ibrahimi, për Radion Evropa e Lirë.

PTK-ja është një prej kompanive më fitimprurëse publike në Kosovë, e cila për çdo vit i ka sjellur buxhetit të Kosovës, në formë të dividentës të hyra prej 40 milionë eurosh.

Madje, sipas disa ekspertëve, kjo kompani vetëm në 5 vitet e fundit ka realizuar fitim prej plot 317 milionë eurosh, fitim ky i derdhur në buxhetin e Kosovës qoftë nëpërmjet dividentës qoftë nëpërmjet tatimit në fitim.

Në anën tjetër, ambasadat e Gjermanisë, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Britanisë, në Kosovë, e kanë mbështetur privatizimin e PTK-së.

Sipas tyre, privatizimi PTK-së paraqet një mundësi të rëndësishme për rivitalizimin e sektorit të teknologjisë informative dhe telekomunikimit dhe është thelbësor për rritjen ekonomike të Kosovës.

Në anën tjetër, zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka kundërshtuar privatizimin e 75 për qind të Postës dhe Telekomit të Kosovës, duke e cilësuar këtë akt si “të paligjshëm”, meqë objektet, siç thuhet, janë pronë e Telekomit të Serbisë.

Sidoqoftë, Postë Telekomi i Kosovës, ka përafërsisht 2,400 punëtorë në tërë Kosovën, ndërkaq edhe pas privatizimit, punëtorët do të kenë kontratë 3 vjeçare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG