Ndërlidhjet

Strukturat paralele mbajnë status-quo në veri


Mitrovicë (Foto nga arkivi)
Mitrovicë (Foto nga arkivi)
Njohësit e çështjeve sigurisë vlerësojnë se strukturat paralele në veri të Kosovës vazhdojnë të funksionojnë dhe të dirigjohen nga zyrtarë të regjimit të Beogradit, duke vazhduar politikën kriminale.

Eksperti për çështje ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja, thotë se institucionet kosovare dhe ato ndërkombëtare duhet të jenë më të vendosura në shuarjen e këtyre strukturave.



“Kuptohet se këto struktura, janë të karakterit ushtarak, të karakterit policor dhe të shërbimeve sekrete atje, janë në një numër mjaft të madh për çka kemi folur deri më tani në shumë raste. Në këtë mënyrë, po pengohet edhe puna e Policisë së Kosovës, ku veprimtaria e saj është gati se e bllokuar totalisht. Prandaj, mos-heqja e këtyre strukturave, do të thotë mbajtja e kësaj situate nën ndikimin e Beogradit zyrtar”, thotë Qehaja.

Funksionimi i strukturave paralele të Serbisë në veri të Kosovës u diskutua edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rosemary DiCarlo, theksoi se strukturat serbe në veri nuk kanë kurrfarë leje në Kosovë, dhe se ato është dashur të hiqen shumë herët, bazuar në Rezolutën 12 44.

Shuarjen e këtyre strukturave e kanë kërkuar shumë herë dhe nga institucionet e kosovare dhe ato ndërkombëtare që janë duke vepruar në vend.

Situata e sigurisë në veri të Kosovës, në javët e fundit sipas zyrtarëve policorë ka qenë më e qetë, megjithëse për banorët në lagjet e banuara me popullatë të përzier, situata thuhet të jetë herë pas here me tension.

Autoritetet e rendit tregojnë se në veri të Kosovës vazhdojnë problemet sa u takojnë çështjeve të sigurisë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, thotë për Radion Evropa e Lirë se për funksionimin në mënyrë të duhur të institucioneve kosovare, pengesë janë strukturat paralele.

Policia e Kosovës
Policia e Kosovës
“Para çdo vendimi politik apo deklaratave të nivelit të lartë politik për gjendjen në veri të Kosovës dhe varësisht nga deklaratat ato edhe vënë në funksion grupet e ndryshme kriminale, të cilat vazhdojnë të jenë prezent, duke terrorizuar popullatën, në veçanti atë serbe në veri të Kosovës”, deklaron Hoti.

Serbët në veri kanë penguar vazhdimisht qarkullimin e lirë, që nga aksioni i Policisë së Kosovës më 25 korrik 2011, për të futur nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31 që lidhin Kosovën me Serbinë.

Krahas funksionimit të strukturave paralele një problem tjetër në ketë pjesë të Kosovës janë edhe barrikadat e vendosura nga serbët, thotë zëdhënësi Besim Hoti.

“Barrikadat ende janë në rrugë, ato paraqesin probleme. Në veçanti barrikada mbi urën kryesore të lumit Ibër në Mitrovicë, është një nga pengesat, pasi që është një lidhje kyçe e lëvizjes së bashkimit të qytetit nga veriu në jug. Pra, me këto pengesa nuk mund të flasim për lëvizje të lirë. Për të folur për lëvizjen e plotë të qytetarëve gjithsesi mbetet ende punë për t’u bërë”, shton Hoti.

Kryetari i Komunës, Avni Kastrati, para pak ditësh ka thënë se barrikadat janë duke e penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe duke vështirësuar jetën e tyre.

“Strukturat e sigurisë, sidomos KFOR-i duhet të veprojë dhe t’i largojë barrikadat”, ka thënë Kastrati, duke kërkuar një prezencë më të shtuar të forcave të sigurisë edhe në Lagjen e Boshnjakëve dhe në Kodrën e Minatorëve.
XS
SM
MD
LG