Ndërlidhjet

Barrikada mbi urën e Ibrit, simbol i turpit


Barrikada mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë...
Barrikada mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë...
Barrikada mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë simbolizon ndarjen dhe ajo duhet të largohet sa më shpejt, kanë deklaruar të enjten komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Drevs dhe kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati.

Pas një takimi të përbashkët ku është diskutuar për gjendjen në pjesën veriore dhe sfidat jo vetëm të lirisë së lëvizjes dhe qarkullimit, por edhe ato të sigurisë, komandanti i forcave paqeruajtëse të KFOR-it ka thënë se barrikadat nëpër rrugë të vendosura nga serbët lokalë, janë në kundërshtim të plotë me parimet evropiane për lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave.

Përderisa KFOR-i ka larguar shumë barrikada nëpër rrugët magjistrale që çojnë për në pikat kufitare 1 dhe 31 në kufirin me Serbinë, barrikada mbi urën e lumit Ibër mbetet aty.

Kjo barrikadë nga përfaqësuesit politikë të serbëve të atjeshëm cilësohet si simbol i rezistencës kundër shtrirjes së autoritetit të shtetit të Kosovës në veri.

Ndërkaq, gjenerali gjerman Drevs ka thënë se ndihej i turpëruar që shihte një pamje të tillë në këtë qytet.

“Natyrisht që e ndjej edhe si turp këtë barrikadë. Jo që e pengon lirinë e lëvizjes, por ajo barrikadë e paraqet edhe simbolin e ndarjes së një qyteti, i cili në fakt nuk është i ndarë dhe mund të bashkëjetojë”, ka thënë gjenerali Erhard Drevs.

Parimi kryesor i Bashkimit Evropian është lëvizja e lirë dhe se barrikadat bien ndesh me këtë parim, ka thënë Drevs. Ai u ka bërë thirrje edhe një herë niveleve politike në Prishtinë dhe Beograd që të gjejnë zgjidhje për probleme të tilla dhe ka kërkuar që marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja të zbatohen në terren.

“Shpresoj që të zbatohen të gjitha marrëveshjet që janë arritur deri më tani dhe nuk e shoh të logjikshme që të presim diçka prej marrëveshjeve të reja kur e dimë që marrëveshjet paraprake nuk janë zbatuar fare”, është shprehur Drevs.

Në anën tjetër, kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati, ka thënë se ka biseduar me komandantin e KFOR-it për angazhimet e forcave paqeruajtëse për mbylljen e rrugëve alternative nga Serbia për në Kosovë, të cilat nga grupe të ndryshme po shfrytëzohen për kontrabandë.

Ndërkaq, largimi i barrikadës mbi urën e Ibrit, ishte një nga kërkesat e tij të veçanta drejtuar komandantit të KFOR-it.

“Bukur shumë jemi ndalur te çështja e shqyrtimit të mundësisë së largimit të barrikadës mbi urën e Ibrit, por njëkohësisht kemi biseduar edhe për projektin humanitar ‘Ndihmo edhe ti’ që ka të bëjë me ndërtimin e shtëpive për të gjithë qytetarët që jetojnë në pjesën veriore”, ka thënë Kastrati.

Qeveria e Kosovës tashmë ka hapur edhe një zyrë administrative në pjesën veriore të Mitrovicës si përpjekje për të zbatuar Planin e Ahtisarit për statusin e Kosovës në këtë pjesë, i cili parasheh formimin e komunës veriore në këtë qytet.

Megjithatë, si në veri të Mitrovicës, ashtu edhe në tri komunat tjera veriore, autoritetet e Republikës së Kosovës nuk kanë ende shtrirje për shkak të pranisë së strukturave paralele serbe të mbështetura nga Beogradi zyrtar.

Një gjendje e tillë ka detyruar forcat paqeruajtëse të KFOR-it, të cilat janë nën komandën e NATO-s, që të mbajnë në jetë një paqe dhe siguri, ndonëse të brishtë, për banorët e atjeshëm që ballafaqohen seriozisht me sfidat e sundimit të rendit dhe ligjit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG