Ndërlidhjet

“Mitrovica e veriut” sfida e fundit e Planit Ahtisari


Veri...
Veri...
Komunat e reja të Kosovës duhet të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë me Qeverinë dhe institucionet tjera qendrore, u tha të enjten në një konferencë në lidhje me decentralizimin e pushtetit, sipas dispozitave të parapara me Planin e Ahtisarit.

Si rezultat, ky decentralizim ka sjellë deri më tani krijimin e nëntë komunave të reja.

Megjithatë, sfida më e madhe tash mbetet formimi i komunës së Mitrovicës veriore.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, tha me këtë rast se me përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë, edhe nivelet e pushtetit komunal duhet të jenë të gatshme të ballafaqohen me më shumë sfida dhe përgjegjësi.
Ky vit shënon një të arritur tjetër në zhvillimin e Kosovës si shtet - fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë.


Ky vit shënon një të arritur tjetër në zhvillimin e Kosovës si shtet - fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë. Ky proces i tranzicionit, në të cilin do të hyni, ka një ndikim në komuna, e për ju fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë do të sjellë përgjegjësi më të mëdha, sepse do të duhet që të mbështeteni më shumë në forcat tuaja”, tha ambasadori Dell.

Ambasadori amerikan përshëndeti vendimin e Qeverisë së Kosovës për themelimin e Zyrës Administrative në veri.

Ky vendim, sipas tij, flet më së miri për përkushtimin e Qeverisë për krijimin e kushteve sa më të mira për qytetarët e saj.

Ndërkaq, shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare - ICO, Piter Feith, potencoi se formimi i komunës së re të Mitrovicës së veriut paraqet një nga sfidat e fundit, por edhe më të vështirat që dalin si obligime nga zbatimi i Pakos së Ahtisarit.

Është e qartë se detyra më e rëndësishme, e cila mbetet në agjendën e decentralizimit, është themelimi i komunës së re në komunën e Mitrovicës”, theksoi Feith.

Ai tha se ICO-ja dhe Qeveria e Kosovës do të diskutojnë me serbët në lidhje me hezitimet dhe rezervat e tyre rreth zyrës së re që pritet të hapet në veri.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviq, tha se të gjitha komunat e reja kanë shënuar përparim në përmirësimin e kushteve për qytetarët, por theksoi se në veri mbetet sfidë funksionimi i strukturave paralele.

Po në lidhje me veriun e Kosovës, të enjten foli edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Gjatë një fjalimi para Kuvendit, Thaçi u zotua për formimin e komunës së re të Mitrovicës veriore, duke përmendur tri momente kyçe për veriun.

Momenti i parë është 25 Korriku, kur përfundimisht u shuan ëndrrat e Serbisë për ndarjen e Kosovës. Momenti i dytë - organizimi i zgjedhjeve të Serbisë nga OSBE-ja, dhe hapi i tretë - Zyra Administrative, e cila do të ketë kompetenca ekzekutive”, thakryeministri Thaçi.

Kundër formimit të komunës së dytë në qytetin e Mitrovicës u shpreh Lëvizja Vetëvendosje, e cila nuk e mbështeti në asnjë fazë Planin e Ahtisarit.


Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se Qeveria paralajmëron formimin e një Zyrë Administrative atje pa shuarjen e strukturave paralele, çka, sipas tij, pashmangshëm se do ta çojë vendin në negociata që mund të përfundojnë me autonomi apo shkëputje të kësaj pjese nga Kosova.

Të krijosh atje zyra administrative, ndërkohë që Beogradi i ka edhe strukturat e veta të MUP-it, është të eksperimentosh po sikurse Bajram Rexhepi me kontejnerin e plastikës që u shkatërrua nga bandat e Beogradit”.

Pa shpërbërjen e strukturave të Beogradit në veri, pa shporrjen e punëtorëve të MUP-it atje, pa çarmatosjen e bandave dhe pa arrestimin e strukturave të krimit të organizuar në veri, çdo përpjekje për integrimin e kësaj pjese të Kosovës mund të mbetet vetëm një dëshirë e mirë”, u shpreh Konjufca.

Sidoqoftë, nëse Qeveria e Kosovës dhe ICO-ja ia dalin që të krijojnë edhe komunën veriore të Mitrovicës me gjithë kundërshtimet e shprehura nga serbët e atjeshëm dhe përfaqësuesit e tyre, atëherë përmbyllja e fazës së pavarësisë së mbikëqyrur që pritet të shpallet këtë vit, do të mund të konsiderohej si mision i kompletuar, sa i përket zbatimit të Planit të presidentit Ahtisari.
XS
SM
MD
LG