Ndërlidhjet

Themelohet Zyra Administrative në Mitrovicën e Veriut


Piter Feith dhe Hashim Thaçi gjatë konferencës me gazetarë në Prishtinë.
Piter Feith dhe Hashim Thaçi gjatë konferencës me gazetarë në Prishtinë.
Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për themelimin e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, e cila është thënë se do të ofrojë të gjitha shërbimet për qytetarët e kësaj pjese të Republikës së Kosovës dhe do të koordinojë angazhimet dhe investimet qeveritare në këtë pjesë të vendit.

"Fillimisht kjo zyrë do të përbëhet nga 7 drejtori me 55 të punësuar dhe ajo do të drejtohet nga një zyrtar i lartë administrativ, që do të përzgjidhet përmes konkursit nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal", thuhet në komunikatën për media të kabinetit qeveritar.

Pjesa veriore e Kosovës, e banuar me shumicë serbe, ende nuk është futur nën kontrollin e autoriteteve qendrore të Prishtinës.

Deri më tani janë hartuar disa plane nga institucionet ndërkombëtare dhe vendore, derisa Plani i Ahtisarit, mbi bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës, parasheh në detaje integrimin e pjesës veriore të Mitrovicës.

Zyra Civile Ndërkombëtare vendimin e së mërkurës të Qeverisë së Kosovës për krijimin e Zyrës së re Administrative në Mitrovicë të Veriut (ZAMV), e sheh në kontekst të këtij plani.

“Vendimi i Qeverisë për krijimin e Zyrës Administrative në Mitrovicën e Veriut, udhëhiqet nga Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit (PGJS), me të cilin ofrohet një nivel i lartë i decentralizimit për qytetarët në zonat veriore të Kosovës. Ky është hapi tjetër teknik drejt krijimit të një komune të veçantë në Mitrovicën e Veriut, siç parashihet nga PGJS-ja”, ka deklaruar Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (ICR) Piter Feith.

Së fundi, Bashkimi Evropian i ka përsëritur kërkesat që Prishtina të dalë me një agjendë gjithëpërfshirëse për veriun, kërkesë kjo e bërë edhe në raportin e Progresit të Komisionit Evropian të vitit të kaluar.

ICO-ja ka disa këshilla për Qeverinë se si ta bëjë funksionale zyrën në veri si dhe integrimin e serbëve në atë pjesë, të cilët vazhdojnë të njohin si të tyre, vetëm institucionet shtetërore të Serbisë.

“Unë e inkurajoj Qeverinë që të bazohet në përvojën e fituar nga krijimi i komunave të serbëve të Kosovës në jug të Ibrit duke u shtrirë dorën qytetarëve në veri me synim sigurimin e demokracisë legjitime lokale, zhvillimin ekonomik dhe mbrojtjen e mënyrës tradicionale të jetesës për të gjithë”, ka thënë shefi i ICO-së.

Zyra thuhet se do të sigurojë deri në 80 vende të reja pune dhe do të ketë një buxhet prej rreth 4 milionë eurosh në vit për shërbimet bazë për komunitetin dhe projektet e infrastrukturës në Mitrovicën e veriut.

"ICO i inkurajon të gjithë qytetarët e Mitrovicës së Veriut që të sjellin ekspertizën dhe përkushtimin e tyre për komunitetin e tyre, duke ndihmuar që kjo zyrë të bëhet organ përfaqësues dhe efektiv, që t’u përgjigjet plotësisht nevojave të qytetarëve të Mitrovicës së Veriut", thuhet në deklaratën e ICO-së.

Përveç mosrespektimit të institucioneve qendrore të Kosovës, veriu në vitet e pasluftës është shquar si një vatër e vazhdueshme tensionesh, të shoqëruara herë pas herë edhe me dhunë ndëretnike.

Përpjekja e fundit e Prishtinës zyrtare, për ta futur nën kontroll atë pjesë, u bë në korrik të vitit të kaluar, kur u synua kthimi i kontrollit në pikat kufitare 1 dhe 31 që lidhin Kosovën me Serbinë.

Serbët lokalë kundërshtuan këtë veprim, dhe si pasojë u vra një polic i njësisë speciale të Kosovës, Enver Zymberaj.

Që nga ajo kohë, shumë rrugë që lidhin pjesën jugore të banuar me shumicë shqiptare dhe atë veriore të banuar me serbë, vazhdojnë të jenë të bllokuara me barrikadat e vendosura nga serbët lokalë.

Serbët po pengojnë, jo vetëm qarkullimin e automjeteve të institucioneve qendrore dhe shqiptarëve, por edhe atyre të mekanizmave ndërkombëtarë, në veçanti të EULEX-it.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG