Drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës dhe ekspertë të ekonomisë, kanë ngritur shqetësimet e tyre lidhur me ngritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Ata kanë thënë se ngritja e çmimit të energjisë, do të shkaktojë probleme të mëdha, si për qytetarët, po ashtu edhe për bizneset.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, deklaroi se ngritja e çmimit të energjisë krahas situatës jostabile të ekonomisë, do të bëjë që bizneset të largohen nga Kosova.
Gërxhaliu tha se nuk duhet që qytetarët e Kosovës dhe komuniteti i biznesit të jetë ai që duhet të paguajë gjithmonë si pasojë e keqmenaxhimit dhe korrupsionit.
“Jemi të vetëdijshëm se efektet e një ngritjeje të tillë kanë një multi-dimensonalitet dhe nuk na habit fakti që shumë biznese janë në tkurrje”.
“Po ashtu, shumë biznese janë në mbyllje dhe shumë biznese janë në hulumtime të alternativave për të bartur prodhimin në vendet e tjera të rajonit edhe për shumë arsye të tjera, por njëra ndër to është ngritja e çmimit të energjisë elektrike ”, deklaroi Gërxhaliu.
Largimi i bizneseve nga vendi, sipas Gërxhaliut, do të jetë një mesazh jo i mirë për Kosovën dhe imazhin e saj në arenën ndërkombëtare.
“Mesazhi që del nga largimi i bizneseve kosovare jashtë Kosovës, është grushti më i madh që u jepet proceseve zhvillimore në Kosovë”, vlerësoi Gërxhaliu.
Ai theksoi se edhe me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet aktuale, ngritja e çmimeve duhet të kalojë të paktën gjashtë muaj pas ngritjes së parë dhe jo brenda dy muajve të ketë një ngritje për afër 10 për qind.
Sipas tij, e gjithë kjo situatë ndodh si pasojë e mosrespektimit të ligjeve.
“Po të ketë sundim të rendit dhe ligjit, po të ketë ngritje të përgjegjësisë individuale dhe institucionale, Kosova do të kishte kapacitete të reja prodhuese, Kosova do të kishte investitorë të huaj. Kosova nuk do të kishte një monopol ose keqpërdorim të pozitave në aspektet energjetike dhe me siguri, Kosova do të ishte më atraktive për investitorët në fusha dhe segmente të tjera”, theksoi Gërxhaliu.
Nevojën për shtrenjtim të energjisë elektrike, Distribucioni për Furnizim me Energji Elektrike, KEDS, e kishte paraqitur pas aksidentit të ndodhur në muajin qershor në termocentralin “Kosova A”.
Ibrahim Rexhepi, drejtor ekzekutiv i Qendrës Strategjike dhe Sociale “STRAS”, tha se në raportin e Bankës Botërore, ku flitet për Kosovën dhe gjendjen ekonomike, Kosova përshkruhet si një vend me pak përparime në aspektin ekonomik. Por, kur e mendon situatën me energji, përsëri gjendja është shumë keq.
“Mos të flasim për problemet e tjera të zbatimit të kontratave, të funksionimit të ligjit, të garantimit të investimeve qoftë edhe te siguria fizike. Mos të flasim edhe për korrupsionin. Kështu që krejt kjo e krijon një ambient që investitori shumë më me qejf zhvendoset diku tjetër, afër kufirit të Kosovë dhe prej atje e furnizon dhe e kontrollon tregun në Kosovë”, tha Rexhepi, derisa bashkë me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës morën pjesë në një takim me gazetarë, ku folën për konferencën ndërkombëtare “Tregu Energjetik Evropa Juglindore 2014” që do të mbahet në javën e ardhshme.
Ndryshe, në fund të muajit të kaluar Bordi i ZRRE-së ka nxjerrë vendim lidhur me rritjen e tarifave të energjisë elektrike për 5,18 për qind.
Një vendim të ngjashëm ky institucione e kishte marrë edhe në muajin qershor, ku kishte aprovuar vendime për rritje të tarifave me pakicë të energjisë elektrike prej 4.57 për qind për konsumatorët e rregullt.
Ngritja e çmimit të energjisë ka shtyrë shumë sindikata dhe organizata që të reagojnë, por më së shumti shqetësime ka ngjallur te qytetarët.
Haki Bajrami, rreth të 60-ve e quan katastrofë shtrenjtimin e energjisë:
"Shtrenjtimi do të jetë katastrofë. Edhe me çmimet aktuale, ne nuk po jemi në gjendje t'i paguajmë faturat e shpenzuara”.