Ndërlidhjet

Çmimet e "kontestueshme" të energjisë


ILustrim
ILustrim
Çmimet e energjisë elektrike në Kosovë sillen nga 2.54 centë deri në 10.16 centë për një kilovat në orë. Sipas zyrtarëve të Zyrës së Rregullatorit për Energji, çmimet janë të ndara në tri blloqe tarifore, në tarifë të ulët dhe të lartë, si dhe ndryshimi i çmimeve gjatë sezonit të dimrit që është më i lartë dhe sezonit veror që çmimet ulen.

Gani Buçaj, kryesues i Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorëve në këtë Zyrë, shpjegon më shumë lidhur me çmimet e energjisë elektrike gjatë sezonit dimëror, të cilat janë më të shtrenjta:

“Nëse flasim për konsumatorët shtëpiakë, kemi sistemin tarifor me tri blloqe tarifore: blloku i parë që është prej 0 deri në 200 kilovatë në muaj, tarifa e ulët dhe e lartë; Për tarifën e lartë, apo shpenzimi i energjisë gjatë ditës, çmimi është 5.05 centë, ndërsa natën 2.54 centë".

"Blloku i dytë: prej 200 deri në 600 kilovatë, tarifa ditën kushton 7.0 centë ndërsa natën 3.51 centë. Kurse, në bllokun e tretë apo mbi 600 kilovatë orë, atëherë tarifa ditën është 10.16 centë për kilovat/orë dhe natën është 5.07 centë”.



Tarifat e pashfrytëzueshme

Sipas shpjegimit të Gani Buçajt, për sezonin dimëror, tarifa e lartë aplikohet nga ora 7:00 deri në ora 22, ndërsa për sezonin veror - tarifa e lartë aplikohet nga koha 8:00 deri në orën 23:00.

Sezoni dimëror fillon nga 1 tetori deri më 31 mars, ndërsa sezoni i ulët apo ai veror nga muaji prill deri më 31 shtator.

Por, pse përdoren blloqet tarifore nga Zyra e Rregullatorit për Energji?

Buçaj konsideron se ky vendim mbron qytetarët me të ardhura të ulëta dhe nxit konsumatorët që ta kursejnë energjinë elektrike.

Blloqet tarifore përdoren për disa arsye. Qysh më herët kemi bërë një studim dhe në bazë të këtij studimi vlerësojmë se sistemi me blloqe tarifore mbron konsumatorët me të ardhura më të ulëta. Do të thotë ata që kanë të ardhura më të ulëta, mbrohen në bazë të kësaj, sepse kanë çmime shumë më të lira. Ndërsa, mbi 600 KW çmimet janë më të larta".

"Vlerësimi i dytë, është arsyeja që të nxiten konsumatorët që energjinë elektrike ta shpenzojnë në mënyrë efikase, për arsye se prodhimi nuk e mbulon konsumin, dhe duhet të kursejmë energjinë”, shpjegon Buçaj.

Në anën tjetër, përfaqësues të organizatave joqeveritare pohojnë se qytetarët e Kosovës paguajnë rreth 50 për qind më shumë për energji elektrike, sesa qytetarët në cilindo shtet tjetër në rajon apo në ato të Bashkimit Evropian.

Dren Pozhegu, hulumtues në Institutin për Studime të Avancuara "GAP”, thotë se çmimi i energjisë elektrike, shikuar për kilovat, është më i shtrenjtë se në Serbi dhe Maqedoni.
...e paguajmë rreth 53 për qind më shumë se në të gjitha vende e rajonit

“Nëse llogarisim edhe koston e jetesës, parimin e fuqisë blerëse, atëherë rezulton se ne paguajmë rreth 53 për qind më shumë se në të gjitha vende e rajonit”, thekson Pozhegu.

Dren Pozhegu konsideron se çmim i energjisë elektrike është dashur të jetë më i ulët, për shkak të, siç thotë ai, subvencioneve që janë dhënë nga institucione të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare për këtë sektor.

Sipas Pozhegut, që nga përfundimi i luftës e deri më tani, Qeveria e Kosovës ka ndarë mbi një miliard euro subvencione Korporatës Energjetike të Kosovës, ndërsa nga viti 1999 deri në vitin 2007, në këtë sektor Bashkimi Evropian ka investuar mbi 400 milionë euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG