Ndërlidhjet

Kaosi energjetik nga mungesa e investimeve


"Kosova A", pas shpërthimit në Repartin e Elektrolizës
"Kosova A", pas shpërthimit në Repartin e Elektrolizës

Kosova nuk ka hyrë në krizë energjetike vetëm si pasojë e shpërthimit që ka ndodhur në Termocentralin “Kosova A”, por edhe si pasojë e moszhvillimit të projekteve në sektorin energjetik, vlerësojnë ekspertë të çështjeve energjetike dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Ata thonë se situata e rëndë energjetike në Kosovë do të reflektohet negativisht në zhvillimin ekonomik të vendit edhe për 10 vitet e ardhshme.

Muajin e kaluar në Termocentralin “Kosova A”, kishte ndodhur një shpërthim në Repartin e Elektrolizës, me ç’rast janë shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe duke pamundësuar operimin e saj dhe si pasojë janë shfaqur probleme të mëdha me furnim me energji elektrike.

Termocentrali “Kosova A” mbulon 1/3 e tërë konsumit vendor.

Eksperti i çështjeve energjetike, Ethem Çeku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se Kosova ka një sërë mangësish në sektorin energjetik dhe këto mangësi, siç thotë ai, po bëjnë që vendi të ketë probleme të furnizimit me energji elektrike.

“Ajo çka ndodhi para disa ditëve në ‘Kosovën A’, problemet që kanë të bëjnë me mosinvestimet e duhur në blloqet e Kosovës A dhe B, mosndërtimi i mini-hidrocentraleve në zonat ku ka potencial ujor, kanë bërë që KEK-u të prodhojë energji me një teknologji të stërvjetruar. Dhe, nuk është vetëm teknologjia e brendshme, por edhe te minierat ku ka eskavatorë të vjetruar, të cilët kanë vështirësi për të furnizuar me thëngjill”, thotë Çeku.

Pas gjendjes së krijuar në Termocentralin “Kosova A”, ministri në largim i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, ka mbajtur një takim me operatorët e energjisë, dhe kanë diskutuar për situatën energjetike në vend.

Ismajli ka thënë se po punojnë në atë drejtim që kjo situatë e rëndë e energjisë elektrike të tejkalohet dhe konsumatori të mos dëmtohet në asnjë mënyrë.

Visar Azemi, koordinator në konsorciumin e shoqërisë civile për zhvillim të qëndrueshëm, KOSID, konsorcium ky që merret me çështjet energjetike, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se shkaktarët për furnizim të rregullt me energji elektrike janë si pasojë e mosinvestimeve të duhura në këtë sektor.

“Problemet që i ka Kosova me energjinë elektrike, nuk janë për shkak të asaj se nuk prodhohet sasi e mjaftueshme energji elektrike, por është problemi i natyrës tjetër, siç janë humbjet teknike dhe komerciale dhe mungesa e programeve të efiçencës së energjisë ku në Kosovë ne konsumojmë 30 për qind më shumë energji sesa që është e nevojshme”, thekson Azemi.

Duke iu referuar ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”, përgatitjet për të cilin filluan në vitin 2001, eksperti i çështjeve energjetike, Ethem Çeku thotë se sikur ky projekt të realizohej, do ta nxirrte vendin nga kriza energjetike.

“Edhe tani kur është dashur që ne të kemi të përfunduar një projekt energjetik, ne ende po flasim a do të zgjedhim një investitor apo duhet të shkojmë në ndërtimin e një koncepti të ri energjetik për vendin. Këto janë telashe të mëdha për energjetikën në Kosovë dhe për vetë konceptin e zhvillimit ekonomik”, shton Çeku.

Në vitin 2006, për të parën herë Qeveria e Kosovës kishte shpallur tenderin për ndërtimin e termocentralit të ashtuquajtur “Kosova C”. Por, projekti, tashmë i quajtur “Kosova e Re” është përcjellë nga katër ministra dhe gati me ndërrimin e çdo ministri, pësuan ndryshimet në pakon tenderuese.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG