Ndërlidhjet

Shtrenjtimi i energjisë elektrike, kërkesë e ngutshme


Ilustrim@Shutterstock
Ilustrim@Shutterstock

Pas shtrenjtimit të energjisë elektrike në muajin korrik, ngritje të çmimit mund të ketë edhe muajt e ardhshëm, pasi një kërkesë të tillë operatorët energjetikë që veprojnë në Kosovë, tashmë kanë dorëzuar te Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Por, përfaqësues të shoqërisë civile, të punëtorëve dhe qytetarët kërkojnë që autoritetet kompetente të mos e aprovojnë kërkesën, pasi ngritja e çmimit rëndon jetën e qytetarëve dhe bizneseve.

Zëdhënësja e Zyrës së Rregullatorit për Energji,(ZRRE), Adelina Murtezaj, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, bën të ditur kërkesën, por një vendim përfundimtar pritet se shpejti.

Sipas një rregulloreje të kësaj zyre, shkalla minimale e ngritjes së çmimit mund të arrijë deri në 5 për qind.

"Aktualisht, këto kërkesa janë duke u shqyrtuar nga ekspertët tanë në Departamentin për çmime dhe tarifa. Rregulloret tona parashohin shqyrtimet e tilla të jashtëzakonshme, të cilat mund të ndodhin për arsye të ndryshme. Së shpejti, pasi të përfundojnë analizat, Rregullatori do të dalë me një raport, që do të jetë publik, në të cilin do të ftohen të gjitha palët e interesit të japin komentet dhe kontributin për gjetjen e një rezultati të përbashkët”, thotë Murtezaj.

Nevojën për shtrenjtim të energjisë elektrike, Distribucioni për Furnizim me Energji Elektrike, KEDS, e ka paraqitur pas aksidentit të ndodhur në muajin qershor në “Termocentralin “Kosova A”.

Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë se kërkesa e operatorëve është e ngutshme dhe tendenca e tyre është që të shfrytëzohet situata e krijuar në termocentralin “Kosova A”.

Për këtë nuk duhet të ndëshkohen qytetarët e Kosovës, thotë Visar Azemi, koordinator në konsorciumin e shoqërisë civile për zhvillim të qëndrueshëm, KOSID, konsorcium ky që merret me çështjet energjetike.

Mirëpo, një zgjidhje alternative, sipas tij, duhet të gjendet nga operatorët energjetikë dhe Qeveria e Kosovës.

Po shpresojmë që Zyra e Rregullatorit për Energji, të mos marrë ndonjë vendim të ngutshëm për të rritur çmimet e energjisë elektrike, për shkak se mund të kemi trazira dhe pakënaqësi nga ana e qytetarëve”, tërheq vërejtjen Azemi.

Por, shprehje të pakënaqësisë në rast të ngritjes së çmimit, tashmë ka paralajmëruar Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Kryetari i kësaj sindikate, Haxhi Arifaj, për Radion Evropa e Lirë, thotë ka kjo sindikatë ka kërkuar nga ZRRE-ja që të rishqyrtohet vendimi për ngritjen e parë që është bërë muajin e kaluar, e jo tashmë të realizohet edhe ngritja e dytë.

“Ky planifikim është bërë më herët që të ngrihet 10 për qind rryma, por e kanë ndarë dy herë me nga pesë për qind, në një mënyrë që të bëhet një mashtrim optik te popullata. Atëherë, sigurisht ne do të shfrytëzojmë edhe momentet tjera që i kemi paraparë me ligj dhe Statutin e BSPK-së. Ne do të ndërmarrim hapa, të cilët nuk i kemi dëshiruar asnjëherë, sepse ne gjithmonë përmes dialogut kemi arritur shumë si BSPK. Por, kësaj radhe, nëse ata na detyrojnë, hapet një rrugë e cila për ne është e padëshiruar, por ato janë protestat”, paralajmëron Arifaj.

E paralajmërimet për ngritje të çmimit të energjisë më së shumti i kanë nervozuar qytetarët.

Haki Bajrami, rreth të 60-ve e quan katastrofë shtrenjtimin e energjisë:

"Shtrenjtimi do të jetë katastrofë. Edhe me çmimet aktuale, ne nuk po jemi në gjendje t'i paguajmë faturat e shpenzuara”.

Ndryshe, në fund të qershorit, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji kishte aprovuar për rritje të tarifave me pakicë të energjisë elektrike prej 4.57 për qind për konsumatorët e rregullt.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG