Ndërlidhjet

Nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë


Nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, thonë për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të Zyrës të Rregullatorit për Energji Elektrike, mekanizëm ky i cili përcakton çmimin e energjisë elektrike në Kosovë.

Adelina Muretezaj - Bajrami, zyrtare për marrëdhënie me publikun në ZRRE, i ka thënë Radios Evropa e Lirë raportimet në mediat vendore se kinse do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike për 40 për qind nuk qëndrojnë.

“Kemi parë në disa media këto lajme, por nuk janë të vërteta. Zakonisht vendimi për tarifa i paraprinë një procesit të gjatë të shqyrtimit i cili është publik, po ashtu mbahen edhe seanca publike. Bordi këtë vit ka marrë vendim që tarifat të mbesin të njëjta me ato të viteve të kaluara. Pra, deri më 1 prill të vitit të ardhshëm tarifat do të jenë të ngjashme sikur ato të vitit të kaluar”, bën të ditur Myretzaj - Bajrami.

Në vitin 2011, çmimi mesatar i energjisë elektrike në Kosovë, pa taksa, sipas Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, ishte 5.80 euro cent për kilovat.

Sidoqoftë, sipas disa hulumtimeve të bëra të KOSID - Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm është vlerësuar se shtrenjtimi i energjisë elektrike do të vijë si pasojë e privatizimit të sektorit energjetik në Kosovë.

KOSID konsideron se energjia elektrike do të shtrenjtohet edhe si rrjedhojë e liberalizimit të tregut energjetik, obligim ky që del nga Traktati i Komunitetit të Energjisë.

Kosova, si nënshkruese e Traktati të Komunitetit të Energjisë deri më 1 janar 2015 duhet të kryejë liberalizimin e plotë të tregut të energjetikës.

Një kalkulim i KOSID-it tregon se në vitin 2016, faturat e energjisë elektrike do të jenë shumëfish më të larta se faturat e vitit 2011.

Qytetarët janë ata të cilët ndihen më të shqetësuarit në rast të shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Halit Kosumi, qytetar, thotë se shtrenjtimi i energjisë elektrike është barrë për të, ai thotë se nuk do të arrijë ta paguajë.

“Edhe tani me këtë çmim që ka energjia elektrike në Kosovë është shtrenjtë, e lërë më që po paralajmërohet se do të shtrenjtohet”, thotë Kosumi.

Edhe pensionisti Zylfi Hoxha thotë se rritja e tarifave për energji elektrike nuk duhet të ndodh.

“Edhe tani energjia elektrike është e shtrenjtë. Unë jam pensionist, kam punuar 40 vite, dhe në këtë vend asgjë nuk po shoh se po ndodh diçka e mirë”, shprehet Hoxha.

Kosova nuk ka sektor të zhvilluar të industrisë. Kësisoj, për dallim nga vendet e zhvilluara, shumica e energjisë elektrike në Kosovë shpenzohet nga ekonomitë familjare.

Sipas të dhënave të ZRRE-së, rreth 55 për qind të energjisë elektrike në Kosovë, shpenzohet për çështje amvisërie, 25 për qind për nevoja të industrisë dhe 17 për qind për sektorin komercial. Rreth 3 për qind llogaritet të jenë shpenzimet e vetë KEK-ut për miniera dhe distribucion.

Ndërkohë, edhe prodhuesit në Kosovë ankohen për çmime të shtrenjta të energjisë elektrike.

Pronari i Kompanisë “Pestova” në Vushtrri, Bedri Kosumi konsideron se energjia elektrike në Kosovë është e shtrenjtë dhe sidomos për sektorin e prodhimtarisë.

“Në çdo vend të botës energjia elektrike për prodhuesit është më e lirë, e për restorante për shembull është më shtrenjtë. Ne e kemi të kundërtën ne e paguajmë më shtrenjtë se për amvisëri. Nuk jam asgjë kundër amvisërisë se edhe ata nuk janë në gjendje të mirë, por ne si prodhues duhet të na lehtësohet dhe jo të ngarkohemi”, shprehet Kosumi.

Krahasuar me vendet tjera të rajonit, Kosova paguan më shumë për kilovat sesa Maqedonia dhe Serbia, më pak se Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, dhe Mali i Zi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG