Të arriturat dhe ngecjet për MSA-në dhe liberalizimin

Ilustrim

Përfaqësuesit e Institucioneve të Kosovës kanë deklaruar se fillimi i negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit, shënon hapin vendimtar në rrugën e gjatë të vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në Samitin e liderëve të Bashkimit Evropian, i cili u mbajt në Bruksel, në qershor të vitit të kaluar, ishte miratuar autorizimi për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit me Kosovën.

Si rrjedhojë e këtij autorizimi, negociata ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, nisën zyrtarisht më 28 tetor 2013.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, takimin e parë të negociatave, e kanë konsideruar si ngjarje historike.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pati deklaruar se “nisja e këtyre negociatave është meritë e të gjithë qytetarëve, institucioneve dhe partive politike të Kosovës”.

“Sot është një ditë historike, sepse po fillon një kapitull i ri në procesin integrues të vendit tonë dhe po fillon një proces i ri, i cili ndodh një herë në historinë e çdo shteti, pra edhe në historinë e Kosovës”, pati deklaruar kryeministri Thaçi.

Ai ishte shprehur, po atë ditë, se “Kosova po nis rrugëtimin e saj të sigurt drejt BE-së, që do të pasohet edhe me integrimin në NATO”.

Kurse, kryenegociatorja kosovare, Vlora Çitaku kishte thënë se nisja e këtyre negociatave, ka shënuar fillimin e një epoke të re ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

“Kjo do të jetë një rrugë e gjatë dhe dinamika e këtij procesi do të varet në masë të madhe edhe nga aftësia jonë për të çuar përpara reformat e nevojshme. E reformat shumë më lehtë mund të arrihen kur ka konsensus të plotë”, kishte theksuar Çitaku.

Negociata kishin nisur të zhvillohen në katër fusha në atë politike, tregtare, në përafrimin e legjislacionit, si dhe politikave të bashkëpunimit.

Ndër faktorët që ndikuan për nisjen e negociatave për MSA-në për Kosovën, konsiderohet të ketë qenë edhe zbatimi i Marrëveshjes së 19 Prillit ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Deri në vitin 2013, Kosova ishte lënë anash nga ky proces. Ajo përmes dialogut të Stabilizim - Asociimit, e më parë të ashtuquajturve mekanizma përcjellës të MSA-së, kishe arritur që t’i përshtatë disa ligje të saj me BE-në dhe të vazhdojë konsultimet , por nuk kishte mundësi që të negociojë MSA-në.

Ngecjet nuk kishin të bënin për fajin e Kosovës, por para së gjithash, për një pamundësi që brenda BE-së të arrihet një konsensus për mënyrën dhe formën se si të arrihej një marrëveshje e tillë në kohën kur 5 shtete anëtare të BE-së nuk e njohin Kosovën si shtet.

Nga gjithsej 28 vende anëtarë të BE-së, pesë prej tyre, Spanja, Qipro, Sllovakia, Greqia dhe Rumania, ende nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës.

Joost Korte, zëvendësdrejtor gjeneral në drejtorinë për zgjerim të Komisionit Evropian gjatë një vizite në Kosovë, kishte deklaruar se marrëveshja “është një mundësi, të cilën duhet ta kapë Kosova”, por kishte hedhur poshtë mundësinë që, për shkak të pesë shteteve evropiane që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, të paraqiten pengesa në nënshkrimin e marrëveshjes.

Bashkimi Evropian synon të përfundojë negociatat për MSA-në me Kosovën deri në pranverën e 2014-s, ndërsa planifikon ta nënshkruajë atë në verën e atij viti.

Qeveria e Kosovës tashmë ka miratuar Planin e Veprimit për Marrëveshjen e Stabilizim - Asociimi 2014. Ky plan paraqet dokumentin kyç strategjik të Qeverisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.

Plani i Veprimit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit përbëhet nga 355 veprime, implementimi i të cilave do të kontribuojë në arritjen e dy objektiva kyçe: 1 - përmbushjen e kritereve afatmesme; dhe 2 - zbatimin e detyrimeve që do të merren përsipër nga MSA-ja.


Larg liberalizimit të vizave

Nga ana tjetër, sa i takon çështjes se liberalizmit, është thënë se mungesa e rezultateve në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, paraqiten si pengesat kryesore për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave.

Në raportin e fundit, të Komisionit Evropian nga Kosova është kërkuar që të bëhen hapa konkretë në luftimin e dukurive negative, në mënyrë që të ecë drejt liberalizimit.

Mospërmbushja e kritereve të përcaktuara nga Bashkimit Evropian, mund ta lërë Kosovën pa u përfshirë në procesin e liberalizimit të vizave edhe gjatë vitit 2014, kanë tërhequr vërejtjen njohës të proceseve integruese evropiane.

Po ashtu, për shkak të zgjedhjeve në institucionet e BE-së, Kosovës i sugjerohet të shpejtojë me përmbushjen e objektivave, në mënyrë që të kualifikohet për procesin e liberalizimit para se institucionet e BE-së të përfshihen në zgjedhje.

Në bazë të dinamikës dhe punës që është bërë në Kosovë, ish- kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, tani kryetar i Komunës së Gjilanit, kishte thënë për Radion Evropa e Lirë se nuk pret ndonjë zhvillim pozitiv sa i përket përfshirjes së Kosovës në zonën e Shengenit gjatë vitit 2014.

“Ajo që unë po e shoh, është se ka shumë pak mundësi që Komisioni Evropian vitin e ardhshëm t’i japë Kosovës impulse tjera pozitive. Pritja ime më e madhe është që të përfundojnë negociatat dhe dialogu mbi liberalizimin e vizave të qartësohet”, kishte thënë Haziri.

Kurse, për Dren Dolin nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, e vetmja mënyrë që Kosova të kualifikohet për këtë proces, është përmbushja e objektivave nga BE-ja:

Procesi i liberalizimit të vizave, marrë parasysh edhe zgjedhjet për Parlamentin Evropian mund të zgjatet dhe do të mund të përfshijë kohën edhe për pjesën e dytë të vitit 2014”.

Vlora Çitaku

Ndërkaq, ministrja e Integrimit, Vlora Çitaku, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, se sa i takon çështjes së liberalizimit të vizave, pret një bashkëpunim më dinamik me Komisionin Evropian.

“Ne kemi pritur një raport nga Komisionin Evropian në vjeshtë të këtij viti. Fatkeqësisht, Komisioni Evropian i ka dërguar misionet vlerësuese vetëm në dhjetor të këtij viti, dhe atë për vetëm tri blloqe. Presim që Komisioni Evropian të jetë më dinamik në bashkëbisedimet me ne”, ka bërë të ditur Çitaku në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike.

Ndryshe, në tetor të vitit 2012, ishte realizuar vizita e parë e misionit faktmbledhës të Komisionit Evropian, kurse vizita tjetër e këtij misioni u realizua nga data 2 deri më 6 dhjetor të këtij viti.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë deklaruar se misioni faktmbledhës i Komisionit Evropian, i cili së fundmi ka qëndruar në Kosovë, për t’u njohur nga afër me përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave të qytetarëve në zonën e Schengenit, “kanë pasur përgjithësisht vlerësime pozitive” mbi riatdhesimin, riintegrimin dhe sigurinë.

Krahas ngecjeve në përmbushjen e kritereve dhe zgjedhjeve në institucionet e BE-së vitin e ardhshëm, në vitin 2013 vlerësohet se kishte edhe dy çështje që mund të ndikonin në shtyrjen e një vendimi pozitiv të Brukselit për përfshirjen e Kosovës në liberalizim.

Së pari, ishte rritja e migrimeve ilegale dhe numrit të azilkërkuesve nga Kosova për në vendet e BE-së dhe së dyti, rekomandimi i Parlamentit Evropian që edhe për vendet e Ballkanit tashmë të përfshira në liberalizimin e vizave, mund të kthehet regjimi i mëparshëm nëse nuk i zbatojnë kriteret evropiane.