Ndërlidhjet

Një kapitull i ri Kosovë - BE


Nisja e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit është përshëndetur edhe nga Komisioni Evropian në Bruksel dhe është thënë se realizimi i kësaj marrëveshjeje do të shënojë raportet e para gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Burimet në Bruksel kanë rikujtuar edhe një herë se MSA-ja me Kosovën do të jetë e ashtuquajtur vetëm kompetencë evropiane. Pra, në emër të BE-së do të negociojë Komisioni Evropian, dhe për dallim nga marrëveshjet tjera ajo nuk do të ketë nevojë të ratifikohet nga të gjitha shtetet anëtare.

Ky edhe ka qenë çelësi i cili ka hapur mundësinë për këto negociata, në kohën kur pesë shtete anëtare të BE-së vazhdojnë të mos e njohin Kosovën si shtet të pavarur.

Komisioni Evropian, në një njoftim të lëshuar në ditën e nisjes së negociatave, ka nënvizuar se gradualisht me zbatimin e kësaj marrëveshjeje, do të krijohet liberalizimi tregtar mes Kosovës dhe BE-së, për lëvizjen e lirë të mallrave, ndërkohë që Kosova do të përshtatë ligjet e saja me standardet e Bashkimit Evropian në shumë fusha.

"Me këtë fillim të negociatave për MSA-në, ne po hapim një faqe të re në marrëdhëniet tona. Kjo është një njohje e qartë për progrsin që ka arritur Kosova në reformat kyçe dhe përpjekjet thelbësore që ka bërë për të normalizuar raportet me Serbinë", tha komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule.

Ai ka shtuar se komisioni ka qëllim të kompletojë negociatat me Kosovën në pranverën e vitit që vjen, që të përgatitet drafti i marrëveshjes në verë, kur edhe do të vihen inicialet në atë dokument, dhe atëherë të paraqitet propozimi për miratim në Këshillin dhe Parlamentin Evropian që të shënohet përmbyllja e procesit për këtë marrëveshje.

"Marrëveshja do të sjellë përfitime të dukshme për qytetarët e Kosovës. Kosova tash duhet të fokusohet për këto negociata, por edhe përtej tyre. Kosova duhet të konfirmojë dhe të sqarojë pozicionet e saja negociuese", ka thënë Fule.

Ai po ashtu ka thënë se Kosova duhet të punojë në tetë prioritetet e identifikuara në Studimin e Fizibilitetit në mënyrë që të jetë në gjendje të zbatojë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, dhe të përmbushë obligimet të cilat i merr mbi vete.

Në deklaratën e lëshuar nga Komisioni Evropian, sqarohet se negociatat për MSA-në me Kosovën do të drejtohen në emër të BE-së nga Komisioni Evropian, ndërsa çështjet e dialogut politik dhe ato të politikës së jashtme dhe sigurisë, do të negociohen me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG