Ndërlidhjet

Kosova nis rrugëtimin për në BE


Ilustrim
Ilustrim
Kosova dhe Bashkimi Evropian kanë nisur takimin e parë në kuadër të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.

Kryenegociatorja kosovare Vlora Çitku në një konferencë për media bashkë me kryenegociatorin nga Komisionin Evropian Joost Korte thanë se negociata fillimisht do të zhvillohen në katër fusha në atë politike, tregtare, në përafrimin e legjislacionit, si dhe politikave të bashkëpunimit.

Në hapje e takimit të parë të negociatave, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se nisja e këtyre negociatave është meritë e të gjithë qytetarëve, institucioneve dhe partive politike të Kosovës.

Sipas tij, nga ky moment, Kosova po nis rrugëtimin e saj të sigurt drejt BE-së, që do të pasohet më pas edhe me integrimin e saj në NATO.

“Sot është një ditë historike, sepse po fillon një kapitull i ri në procesin integrues të vendit tonë dhe po fillon një proces i ri i cili ndodhë njëherë në historinë e çdo shteti, pra edhe në historinë e Kosovës”, tha Thaçi.

"Po fillon zyrtarisht një proces që shpie drejt anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe ky moment përputhet plotësisht me vizionin tonë për të qenë anëtar i BE-së dhe NATO“, tha Thaçi.

Në konferencë për media e cila është mbajtur në orët e pasdites në Qeverinë e Kosovës, ministrja e Integrimeve Vlora Çitaku tha se mbetet një rrugë e gjatë deri te nënshkrimi i marrëveshjes.

“Dita e sotme është vërtetë historike sepse shënon hapjen e një epoke të re mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Kjo do të jetë një rrugë e gjatë dhe dinamika e këtij procesi do te varet në masë të madhe edhe nga aftësia jonë për të çuar përpara reformat e nevojshme. E reformat shumë më lehtë mund të arrihen kur ka konsensus te plotë”, tha Çitaku.

Bashkimi Evropian synon të përfundojë negociatat për MSA-në me Kosovën deri në pranverën e 2014-ës, ndërsa planifikon ta nënshkruajë atë në verën e atij viti.

Joost Korte, zëvendësdrejtori gjeneral në drejtorinë për zgjerim të Komisionit Evropian tha se marrëveshja “është një mundësi të cilën duhet ta kapë Kosova”.

Pas diskutimeve fillestare mbi liberalizimin e tregut dhe tregun e brendshëm ai paralajmëroi vazhdimin për tri apo katër kapituj të marrëveshjes në takimin e radhës që do të mbahet më 27 nëntor në Prishtinë.

“Sot kemi diskutuar 3 kapituj të marrëveshjes dhe mendoj se për takimin e radhës më 27 nëntor kanë mbetur katër apo pesë kapituj të tjerë. Atëherë do të kemi përmbushur në fakt pothuajse të gjithë draft-marrëveshjen. Në ndërkohë, do të krijohen tri grupe punuese për t’u marrë me këto çështje në aspektin teknik”, u shpreh ai.

Korte hodhi poshtë mundësinë që, për shkak të pesë shteteve evropiane që nuk njohin pavarësinë e Kosovës të paraqiten pengesa në nënshkrimin e marrëveshjes.

Marrëveshja për Stabilizim Asociim me Kosovën, sipas tij, do të nënshkruhet në emër të BE-së.

Nga gjithsejtë 28 vende anëtarë të BE-së, pesë prej tyre, Spanja, Qipro, Sllovakia, Greqia dhe Rumania ende nuk e kanë njohur shtetësinë e vendit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG