Ndërlidhjet

Luftë krimit dhe korrupsionit


Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit
Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit
Korrupsioni dhe krimi i organizuar, janë dy pengesat më të mëdha në drejtim të përparimit të Kosovës, deklaroi presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, në takimin e radhës të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit.

Ajo theksoi se luftimi i këtyre dy pengesave duhet të bëhet prioritet i secilit institucion në vend.

“Ne, duhet të kthejmë besimin e qytetarëve tanë në institucione dhe këtë mund ta bëjmë vetëm përmes të qenit të pakompromis në këtë luftë. Qytetarët tanë kërkojnë llogari për qeverisjen tonë dhe ata duan tashmë të shohin përfitimet nga shteti që po e ndërtojnë. Ne kemi bërë zotimet se do të kemi tolerancë zero për korrupsionin dhe tani duhet të fillojmë implementimin e ligjeve dhe politikave të cilat i kemi ndërtuar. Është koha të tregojmë rezultate konkrete”, tha Jahjaga.

Presidentja Jahjaga që drejton të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, theksoi se fushë sfiduese mbetet efikasiteti.

Sipas saj rastet e korrupsionit janë komplekse, por përkushtimi për të luftuar ketë dukuri negative duhet të jetë prioritet.

Detyrë e jona është që Kosova të jetë shtet i pa korruptuar me sundimin e Ligjit si garanci e funksionimit tonë. Duhet t’i japim fund trendit që raportet ndërkombëtare të vazhdojnë ta cilësojnë vendin tonë si një vend të korruptuar dhe me krim të organizuar".

"Ky përkushtim i yni duhet të realizohet jo vetëm për të përmirësuar renditjen tonë në këto raporte, por pikë së pari për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ne duhet t’i eliminojmë pengesat që shkaktohen nga korrupsioni, në mënyrë që qytetari i Kosovës të veprojë mbi rregulla dhe praktika të parashikueshme, pa frikë e pa taksa joformale”, është shprehur Jahjaga.

Kurse, zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i pranishëm në takim u shpreh se edhe pse dukuria e korrupsioni është një sfide e madhe për t'u çrrënjosur, sipas tij me sofistikimin e legjislacionit anti- korrupsion do të arrihen rezultatet e kërkuara.

“Në vitin 2013, luftimi i korrupsionit ka zënë vend të lartë në prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Dhe në vitin 2014, pa dallim do të mbetet po ashtu prioritet i lartë. Në vitin vijues ne synojmë të shqyrtojmë dhe të intensifikojmë edhe më tutje përpjekjet tona të cilat do të sjellin rezultate të prekshme, konkrete dhe të matshme”, tha Kuçi.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, tha se në drejtim të luftës kundër korrupsionit, hetuesit policorë kanë iniciuar shumë raste në bashkëpunim me prokurorinë.

Ministri Rexhepi nënvizoi se edhe pse ka një bashkëpunim të mirë ndërmjet hetuesve policorë, prokurorëve dhe EULEX-it, mbetet ende hapsirë që raste që kanë të bëjnë me këto vepra të përgatiten më mirë që, siç tha ai, gjyqësori të marrë vendime përfundimtare.

“Policia e Kosovës përmes departamenteve e njësive përkatëse, ka vazhduar me hetimin e rasteve të dyshuar korruptive dhe gjatë pjesës së dytë të këtij viti, në bashkëpunim edhe me taks-forcën kundër korrupsionit ka hapur 67 raste. 34 raste janë të mbetura nën hetime si dhe janë arrestuar 37 persona të dyshuar për përfshirje në aktivitete korruptive”, bëri të ditur ministri Rexhepi.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha se Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit vazhdon të realizojë misionin e vet të koordinimit dhe harmonizimit ndërinstitucional.

Gjatë kësaj periudhe kohore që kur është themeluar ky mekanizëm, Jahjaga tregoi se janë zgjidhur shumë probleme, të cilat kanë paraqitur pengesë në bashkëpunimin e institucioneve që e luftoni korrupsionin.

“Në nivelin e përgjithshëm kemi rekomanduar dhe është aprovuar strategjia kombëtare kundër korrupsionit si një sukses i rëndësishëm drejt rrugës sonë evropiane”, tha me këtë rast presidentja Jahjaga.

Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit ishte themeluar nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga më 15 shkurt të vitit 2012 me qëllim parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në Kosovë.

Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit, ka për qëllim bashkërendimin e punës dhe të aktiviteteve të institucioneve dhe të agjencive në kuadër të kompetencave dhe fushëveprimeve të tyre për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.

Kosova dhe institucionet e saj ende sfidohen nga dukuria e rëndë e korrupsionit, e cila rrezikon të ardhmen e vendit, kanë vlerësuar njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.
XS
SM
MD
LG