Ndërlidhjet

Kosova i dorëzon BE-së raportin për vizat


Monumenti Shengenit
Monumenti Shengenit
Qeveria e Kosovës nën koordinimin e Ministrisë për Integrim Evropian dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme i ka dorëzuar Komisionit Evropian raportin e parë të gatishmërisë për zbatimin e kritereve të dala nga Udhërrëfyesi për Liberalizimin e Vizave.

Ky raport, sipas një komunikate të lëshuar nga Ministria e Integrimeve, “ofron një pasqyrë të plotë të të gjitha përpjekjeve të ndërmarra deri më tani nga institucionet e Republikës së Kosovës në përmbushjen dhe respektimin e kritereve të përfshira në këtë udhërrëfyes, veçanërisht duke u përqendruar në progresin e arritur në këtë drejtim që nga viti 2008”.

Azhurnimi i dhënë në bazë të çdo kriteri fokusohet në zhvillimet legjislative dhe të politikave, ndërtimit të institucioneve dhe zhvillimit të kapaciteteve dhe zbatimit të tyre në praktikë.

Raporti, thuhet se është përgatitur gjatë muajve korrik dhe gusht 2012, me përfshirjen e drejtpërdrejtë dhe kontributin e të gjitha institucioneve relevante të Republikës së Kosovës të cilat janë përgjegjëse për zbatimin e udhërrëfyesit.

Në ndërkohë, deri më 15 shtator, Qeveria e Kosovës do të dërgojë edhe informata shtesë mbi nivelin e përafrimit të legjislacionit kosovar me atë të BE-së, respektivisht vlerësohet përafrim i detajizuar me Acquis Communitaire të të gjitha ligjeve të Kosovës, relevante për procesin e Liberalizimit të vizave.

Ky raport është vazhdimësi e punës dhe zotimeve të institucioneve të Kosovës të bëra në takimin e zyrtarëve të lartë të mbajtur në Bruksel më 14 qershor 2012, me ç’rast, Kosovës i ishte dorëzuar Udhërrëfyesi për Liberalizimin e Vizave. (z.g.)
XS
SM
MD
LG