Ngatërresa në ristrukturimin e Gjyqësorit

Ilustrim

Pavarësisht që ristrukturimi i plotë i Gjyqësorit ka nisur me fillimin e këtij viti, në këtë sistem ende nuk vërehen përmirësime në drejtim të një funksionimi më cilësor, thonë përfaqësuesit e organizatave joqeveritare që merren me drejtësinë në Kosovë.

Mirëpo, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzulla Hasani, konsideron se reformat në sistemin e drejtësisë janë duke vazhduar, bazuar në Ligjin për Gjykata, pavarësisht pengesave.

Hasani shpjegon se dy muajt e parë të këtij viti, janë duke shkuar ende për akomodimin e gjyqtarëve në departamente, e po ashtu edhe të dosjeve.

Fejzullah Hasani

“Janë problemet teknike për sallën e gjykimit, barten, ata shkojnë herë atje, herë këtu. Do të thotë është herët të flitet për rezultate deri sa kemi pengesa logjistike. Kemi hasur në probleme të shumta, mirëpo procesi është duke rrjedhur normalisht me këto sfida. Ende është herët të flasim se a ka dështime. Çështje janë duke u zhvilluar, ka seanca gjyqësore, ato mbahen, por fillimi ka qenë me një vëllim më të vogël sesa që do të duhej të ishte”, thotë Hasani për Radion Evropa e Lirë.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Institutit të Kosovës për Drejtësi, thonë se që nga fillimi i zbatimit të ligjeve të reja penale, por edhe ligjeve të pakos ligjore të drejtësisë, nuk vërehen përparime të mëdha.

Ajo që vërehet, sipas Betim Musliut nga ky institut, janë ngatërresat e punëve nga ana e bartëseve të funksioneve gjyqësore.

“Ajo që kemi parë nga një janari në sistemin e drejtësisë, është një pështjellim i punëve, një bartje e ngadaltë e lëndeve dhe një mungesë e zbatimit të planeve të veprimit, për të pasur një reformë siç duhet - pra një zbatim të përpiktë ashtu edhe siç është paraparë. Ka probleme të shumta të qytetarëve, të cilët ende nuk mund t’i zbatojnë të drejtat e tyre”, shprehet Musliu.

Reforma në drejtësi dhe ristrukturimi i tërësishëm i sistemit gjyqësor dhe prokuroria, ka qenë nevojë e kohës, thotë Musliu.

Mirëpo kjo reformë, sipas Musliut, nuk është dashur të bëhet me nguti siç është bërë, ngase shton ai, miratimi i pakos së ligjeve për drejtësi, nuk është përcjellë me përkrahje të duhur financiare nga ana e ekzekutivit dhe assesi s’do të ketë zbatim të efektshëm këtyre ligjeve.
Duhen së paku 6 muaj kohë që të bëhen trajnimet e nevojshme...

“Kur jemi te legjislacioni, kemi një veprim të pakuptimtë të Ministrisë së Drejtësisë dhe Kuvendit të Kosovës, që kanë lejuar miratimin e Kodit të Procedurës Penale vetëm pak ditë pata se të zbatohet. Duhen së paku 6 muaj kohë që të bëhen trajnimet e nevojshme, sepse kështu si ka ndodhur, më 1 janar është futur në fuqi, më 2 janar është paraqitur nevoja që të ndryshohet dhe amendamentohet ky kod - kjo është absurde”, vlerëson zyrtari i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Betim Musliu.

Siaps tij, edhe Prokurori i Shtetit i ka problemet më të mëdha në këtë fazë të ristrukturimit, si pasojë e Kodit të Procedurës Penale, pasi një mori e veprave penale, kanë kaluar në kompetencë Prokurorisë Speciale.

Ndryshe, korrupsioni në gjyqësi, mosefikasiteti, grumbullimi i lëndëve, ngadalësimi në reforma - janë vetëm disa nga kritikat më të shpeshta që i janë bërë sistemit të drejtësisë edhe gjatë vitit 2012.

Ky mekanizëm vazhdimisht ka dalë të jetë i kritikuar nga raportet e ndryshme që kanë monitoruar gjendjen në Kosovë.

Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Kosovë inkurajojnë organet gjegjëse të ndërtojnë një sistem të pavarur e të pandikuar të drejtësisë, i cili do të ishte më efikas dhe më efektiv.