Ndërlidhjet

Korrupsion në mënyrë të “ligjshme”


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Zyrat e prokurimit në institucionet shtetërore mbeten fushat ku më së shumti zhvillohet korrupsioni dhe keqmenaxhimi i parasë publike, thonë përfaqësues të shoqërisë civile.

Lëvizja Fol katër herë në vit përgatit raporte për monitorimin e prokurimit në institucionet publike.

Petrit Zogaj, nga kjo lëvizje, thekson se në këto zyre, në mënyrë të “ligjshme” zhvillohet korrupsioni.

Ai madje thotë se muajit e fundit është rritur numri i shkeljeve ligjore në këto institucione, e kjo po i shkakton humbje të mëdha buxhetit të Kosovës.

Fusha e tenderimit, sipas tij, është terreni më i përshtatshëm për keqpërdorimin e parasë publike.

Kemi parë se zyrtarët aty, një pjesë e bizneseve, edhe trupat e pavarur, janë të ndërlidhura njëra më tjetrën dhe më procedurat e tenderimit, ofertimit, vlerësimit. Këta zyrtarë janë të përfshirë në mënyrë direkte në afera korruptive”, tha Zogaj.

Edhe organizata tjetër joqeveritare Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), bën monitorimin e prokurimit publik në disa institucione qeveritare.

Besnik Ramadanaj, nga ky institut, thotë se rezultatet flasin për dyshime të mëdha në mënyrën e funksionimit të prokurimit publik, si në nivel qendror, po ashtu edhe në atë lokal.

Problemet më të mëdha të identifikuara nga KDI-ja, janë proceset para tenderuese, ku kemi të bëjmë me dyshime për kurdisje, përkatësisht për përshtatje të kritereve për tender për kompani që konsiderohen të afërta me autoritetet kontraktuese”.

Po ashtu, është evidentuar edhe problemi dhe dyshimet për mënyrën e zbatimit të kontratave, ndërsa të gjeturat tjera flasin edhe për rastet e konfliktit të interesit, mungesë të transparencës, elemente për cilat KDI konsideron se duhet tërhequr vëmendjen e organeve ndjekëse, organeve të drejtësisë”, shprehet Ramadanaj.

Megjithatë, shoqëria civile nuk e ka shumë të lehtë monitorimin në zyrat e prokurimit.

Lëvizja Fol jo në të gjitha ministritë ka të drejtë monitorimin. Petrit Zogaj, tregon se vetëm me Ministrinë e Drejtësisë, Administratës Publike dhe Ministrinë e Integrimeve Evropiane, kanë marrëveshje dhe kanë të qasje të plotë në dokumentacionet e tenderimit.

Ndërkohë në institucionet tjera, në Ministrinë e Infrastrukturës, të Arsimit por edhe në ministritë tjera, nuk na është dhënë kjo mundësi. Do të thotë, është goxha e vështirë që ne të kemi qasje në procedurat e tenderimit në këto ministri”, thekson Zogaj.

Sidoqoftë, ligji për prokurimin publik siguron mënyrën efikase, transparente dhe të drejtë të shfrytëzimit të fondeve publike.

Ky ligj, gjithashtu ka për qëllim të sigurojë integritetin dhe përgjegjësinë e zyrtarëve publikë dhe personave tjerë që janë të përfshirë në aktivitete të prokurimit, që vendimet e individëve të mos ndikohen nga interesat personale.
XS
SM
MD
LG