Ndërlidhjet

Varësia e Gjyqësorit


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Sundimi i ligjit në Kosovë mbetet i brishtë dhe pa efikasitetin e dëshiruar, vlerësojnë ekspertët e çështjeve juridike. Ismet Salihu, profesor i së drejtës penale në Universitetin e Prishtinës thotë se ende nuk janë ndërtuar kapacitetet në organet shtetërore, të cilat, sipas Kushtetutës, janë të autorizuara ta zbatojnë ligjin. Ndërkaq, Riza Smaka, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës dhe njohës i çështjeve juridike, vlerëson se Gjyqësori deri tash ka qenë i lënë pas dore, krejtësisht dhe se ka mjaft defekte organizative dhe funksionale. Të dy këta ekspertë, vlerësojnë se Gjyqësori nuk është i pavarur nga ndikimet politike.


Rendin juridik dhe sundimin e ligjit në Kosovë në vazhdimësi janë duke e përcjellë një mori defektesh, të cilat po ndikojnë negativisht në zhvillimin e saj si shtet, vlerësojnë ekspertët për çështje të drejtësisë.

Ismet Salihu, profesor i së drejtës penale në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se Kosova ende nuk ka arritur të ndërtojë dhe funksionalizojë shtetin ligjor, në mënyrë që të respektohet ligji dhe të drejtat e njeriut, si dhe të luftohet kriminaliteti.

Sipas tij, shkaqet që në Kosovë ende mbretëron një sundim i brishtë i ligjit dhe me shumë defekte, janë të shumta.

“Aktualisht, nuk janë nxjerrë ligjet e tërësishme. Kosova ende nuk e ka të ndërtuar sistemin juridik, infrastrukturën ligjore... Aspekti i dytë është se ende nuk janë ndërtuar kapacitetet, organet shtetërore, të cilat, sipas Kushtetutës, janë të autorizuara ta zbatojnë ligjin”.


“Organet shtetërore, që janë më të thirrura, në rend të parë, janë policia, prokuroria, gjykata, inspeksioni dhe doganat. Këto, ende nuk janë as për së afërmi në nivelin e detyrës, të cilën e kërkon sundimi i ligjit, ndërtimi i shtetit ligjor dhe funksionimi i ligjit”
, thotë Salihu.

Mendim të ngjashëm ka edhe Riza Smaka, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës dhe njohës i çështjeve juridike. Smaka thotë se vetë situata në gjykatat e Kosovës shpërfaq defektet, të cilat, sipas tij, janë me shumë pasoja.
Një shtet që nuk e ka gjyqësorin efikas dhe efiçient, praktikisht nuk mund të quhet shtet.


“Ka shumë defekte, organizative, funksionale, etj. Supozohet se janë 200 mijë raste të pakryera në gjyqësore, që nuk janë prekur fare. Ka me mijëra e mijëra lëndë që janë humbur krejtësisht. Ka me mijëra e mijëra lëndë që janë përfunduar, por nuk ekzekutohen. Dua të them se ka shumë defekte. Një shtet që nuk e ka Gjyqësorin efikas dhe efiçient, praktikisht nuk mund të quhet shtet. Gjyqësori deri tash ka qenë i lënë pas dore, krejtësisht”,
shprehet Smaka.

Ndërkaq, mosefikasiteti i Gjyqësorit në Kosovës, sipas Salihut, është pasojë e mungesës së vullnetit politik për ta përmirësuar këtë situatë.

“Kjo shihet me faktin se ka qenë një numër shumë-shumë më i vogël sesa që është dashur të jetë numri i gjyqtarëve dhe i prokurorëve. Madje, edhe pagat kanë qenë shumë të ulëta. Po ashtu, ka pasur mungesë të infrastrukturës ligjore, zyrave, trajtimit.Ndërkaq, mbrojtja - fare e pasiguruar ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Të gjitha këto kanë ndikuar dhe kontribuar që Gjyqësorin ta kemi në këtë gjendje çfarë e kemi pasur deri tash”
, shpjegon Salihu.

Ndërsa, Smaka thotë se Gjyqësori nuk ka qenë dhe nuk është i pavarur nga ndikimet politike.

“Politika është dominuese. Është predominante. Gjyqësori nuk e ka pavarësinë. E ka pavarësinë ku nuk duhet, e nuk e ka ku duhet. Po e zëmë, do të duhej që Gjyqësori të jepte raporte për punën e bërë të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

“Brenda tre vjetësh asnjë raport nuk është dhënë. Kjo është një ndarje fizike, ndërkaq në shtetet moderne nuk ka ndarje fizike. Është ai sistemi ‘ndarje po, por edhe balancime dhe kontrollime reciproke’. E ato te ne nuk janë”
, vlerëson Smaka.
Një gjyqësor, që është i ekspozuar dhe në të cilin ka ndikim politika, aty nuk ka drejtësi.

Sido që të jetë, edhe Salihu shpreh mendimin se politika ka pasur dhe ka ndikim mbi Gjyqësorin në Kosovë.

“Kjo e dëmton shumë. Një Gjyqësor, që është i ekspozuar dhe në të cilin ka ndikim politika, aty nuk ka drejtësi. Aty s’ka respektim të lirive të drejtave të njeriut, s’ka barazi dhe s’ka siguri. Kjo është rrjedhojë dhe pasojë e ndikimit të politikës”,
thekson Salihu.

Lexoni edhe këto:

Peci: Sistemi gjyqësor, në gjendje të keqe
Reformimi i gjyqësorit - sfidë për 2011-ën

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG