Ndërlidhjet

Gjyqësori - sfida e drejtësisë kosovare


Gjykata e Qarkut në Prishtinë
Gjykata e Qarkut në Prishtinë
Miratimi i një varg ligjesh për funksionimin e sistemit gjyqësor të Kosovës, vlerësohet të jetë një nga të arriturat e Ministrisë së Drejtësisë për vitin që po e lëmë pas. Mirëpo, ekspertët thonë se nuk është i mjaftueshëm krijimi i legjislacionit të nevojshëm, nëse nuk i kushtohet rëndësi zbatimit të tij në praktikë.


Ministria e Drejtësisë ka paraqitur të arriturat dhe vlerësimet për punën e bërë përgjatë vitit 2010. Dalja e Lidhjes Demokratike të Kosovës nga koalicioni qeverisës me Partinë Demokratike në mesin e muajit tetor e la këtë dikaster qeveritar pa ministër dhe pa zëvendësministër.

Dorëheqja e ish-krerëve të Ministrisë së Drejtësisë, Haki Demolli, dhe zëvendësit të tij, Arsim Janova - që të dy nga LDK-ja, vlerësohet se ia ka vështirësuar punën institucionit në fjalë.

Sekretari i përhershëm i Ministrisë së Drejtësisë, Sylejman Sopa, ka thënë se një nga pengesat që ka vështirësuar realizimin e projekteve të caktuara, ishte pamundësia e ministrisë për të nënshkruar kontrata me vlerë të mesme dhe të lartë.

“Është e vërtetë që i ka prolonguar disa çështje dhe ja që sot na ka sjellë në një situatë që, më në fund, po e realizojmë. Ajo që po realizohet sot me një vonesë që do të ishte realizuar në kushte normale, domethënë jemi detyruar të bëjmë një kërkesë në Ministrinë e Ekonomisë dhe të Financave që të na lejojë të bëjmë një pagesë të veçantë, siç është tenderi i furnizimit me vetura”,
ka thënë Sopa.

Fotografi ilustruese

Sopa ka folur edhe për punën që ministria ka kryer në fusha, si bashkëpunimi juridik ndërkombëtar, Shërbimi Korrektues dhe ai Sprovues, Departamenti për Mjekësi Ligjore dhe për Persona të Zhdukur, ndërsa si e arritur më e madhe nga Departamenti për çështje ligjore ai ka përmendur miratimin e një varg ligjesh.

“Në këtë vit janë miratuar nga Kuvendi i Kosovës 4 ligjet bazë për funksionimin e sistemit gjyqësor. Fjala është për Ligjin për Gjykata, Ligjin për Këshill Gjyqësor, Ligjin për Prokuroritë Publike dhe Ligjin për Këshillin Prokurorial. Përveç hartimit të ligjeve të përmendura, Ministria e Drejtësisë ka qenë e inkuadruar në grupe të ndryshme punuese të Qeverisë për shqyrtimin e mbi 64 projektligjeve, dhe të 12 udhëzimeve administrative”,
ka theksuar Sopa.

Rëndësia për krijimin dhe zbatimin e këtyre ligjeve është theksuar shpeshherë edhe nga mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë.

Mirëpo, njohësit e çështjeve ligjore në Prishtinë e quajnë të pamjaftueshëm ekzistimin e legjislaturës për një gjyqësor të pavarur, po qe se, siç thonë ata, nuk ka zbatim në praktikë.

Kreu i Këshillit Gjyqësor të Kosovës në kohën e udhëheqjes së misionit të Kombeve të Bashkuara nga diplomati francez Bernard Kouchner, Riza Smaka, ka drejtuar një varg kritikash në adresë të institucioneve përgjegjëse.

Smaka ka thënë se mungon një koordinim i duhur ndërmjet qeverisë (në largim) dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës - gjë që, sipas tij, ka ndikuar në gjendjen aktuale të sistemit gjyqësor në vend.

“Gjyqësori është në një kolaps; nuk funksionon pothuajse dot. Kam informacione të ndryshme që nuk janë të saktësuara, sepse nuk ekziston sistemi statistikor gjyqësor që ka ekzistuar dikur. Të dhënat që janë publikuar disa herë, tregojnë se mbi 200 mijë raste janë të pavendosura. Le të jetë vetëm gjysma, le të jetë vetëm një e katërta - prapë do të ishte alarmante”,
është shprehur Smaka.

Lexoni edhe këto:

Reformimi i gjyqësorit - sfidë për 2011-ën
Telashet e gjyqësorit

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG