Ndërlidhjet

Ngecjet në përmbarimin e lëndëve në gjykata


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Krahas shtimit të lëndëve të reja, sistemi i drejtësisë në Kosovë po ballafaqohet me numër të madh të lëndëve të vjetra, të cilat kanë mbetur të pazgjidhura në sirtarët e institucioneve përkatëse.

Kësaj problematike i shtohen edhe lëndët e përmbarimit - pra, ato për të cilat është marrë vendimi, por që nuk mund të zbatohet në praktikë.

Nga të dhënat të cilat dalin nga Gjykata Supreme e Kosovës, aktualisht numri i këtyre lëndëve të përmbaruara arrin deri në 100 mijë.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Fajzulla Hasani, tha për Radion Evropa e Lirë se një ndër shkaqet më të mëdha që kanë ndikuar në ketë drejtim, është numri i vogël i punëtorëve në gjykata.

Një arsye ka qenë mungesa e punëtorëve përmbarues. Janë edhe arsye të tjera, për faktin se te ne janë rrethana të tilla ekonomike, që shpeshherë gjykata ndodhet në situata që e ka të pamundur ta përmbarojë një lëndë për faktin se del në teren, shkon në vend, por nuk ka çfarë t’i marrë (atij qytetari- borxhliu). Do të thotë, nuk ka mundësi ta përmbarojë. Të gjitha këto paraqesin probleme për realizimin e lëndëve përmbarimore”, theksoi Hasani.

Hasani bëri të ditur se numri më i madh i lëndëve të përmbarimit kanë të bëjnë me Korporatën Energjetike të Kosovës, PTK-në dhe kompani të tjera publike.

Sipas Hasanit, për të gjithë klientët borxhlinj të ndërmarrjeve të lartpërmendura, të cilët nuk i paguajnë shërbimet e ofruara të këtyre kompanive, pasojat për ekzekutimin e lëndëve po i bartin gjykatat.

Numri më i madh i lëndëve që i kemi janë pothuajse të këtyre kompanive publike: të KEK-ut, telefonave, të kompanisë së pastrimit dhe higjienës, që i kanë lenë borxhet që janë grumbulluar me vite. Kështu, kur e kanë parë se kanë shumë borxhe, çështjen e kanë drejtuar në gjykate. Gjykata, meqenëse shumat e borxheve janë të mëdha, nuk ka mundësi bëjë diçka. Është e lehtë kur dikush është në punë edhe gjykata ia çon lëndën bankës, që t’i ndalë mjetet, por ju e dini që shumica e njerëzve këtu janë të papunë, dhe kështu kjo paraqet problem për t’i ekzekutuar lëndët”, theksoi Hasni.

Për shkak të kësaj gjendjeje në sistemin e drejtësisë, ku numri i lëndëve të papërfunduara vazhdon të jetë shumë i madh, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, në vitin 2010 kishte marr një vendim për hartimin e një strategjie për reduktimin e lëndëve të vjetra.

Pavarësisht dinamikës së grumbullimit të lëndëve të pambaruara, kjo strategji sipas KGJK-së, është duke u zbatuar.

Enver Peci, nga ky këshill, shpjegoi se në kohen kur është hartuar strategjia, ishte menduar se punët do të kryen më shpejt, por siç thotë ai, më vonë problem ka paraqitur identifikimi i lëndëve.

Në kuadër të mundësive buxhetore, ne i kemi punësuar 30 ekzekutues – referentë ekzekutues, në kuadër të pesë gjykatave të cilat janë më të ngarkuara. Tash është bërë inventarizimi, dhe ne po presim që edhe në mënyra tjera alternative t’i përfundojmë këto çështje”, deklaroi Peci.

Ndryshe, njohësit e sistemit të drejtësisë kanë thënë se një sistem i dobët dhe i çalë për përmbarimin e aktvendimeve ndikon direkt në rritjen ekonomike dhe kufizon mundësitë e qytetarëve të Kosovës për të përqendruar kapitalin, për të investuar në të ardhmen e tyre dhe për të gjetur punë.

Pavarësisht emërimit dhe riemërimit të disa gjyqtarëve dhe prokurorëve, numri i lëndëve të pazgjidhura vazhdon të jetë i lartë në përgjithësi në gjykatat e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG